Aktivistë e deputetë të Partisë Demokratike (PDK) akuzuan Qeverinë për mos finalizim të qëllimshëm të objektit të ri të spitalit në Ferizaj, i cili që prej afro katër vjetësh i ka të përfunduara vetëm punimet e vrazhda. Gjatë një aksioni simbolik që e organizuan të shtunën, thanë se bllokimi i projektit po bëhet për inate politike
Sirena të autoambulancave u dëgjuan të shtunën për herë të parë në oborrin e objektit të ri të Spitalit të Ferizajt. Para ndërtesës që prej afro katër vjetësh i ka të përfunduara vetëm punimet e vrazhda, u vendosën edhe pesë shtretër e infuzione të improvizuara.
Këto u bënë, në aksionin simbolik të realizuar nga Rinia Demokratike e Kosovës, në ditën që shënon 25-vjetorin e themelimit të spitalit të qytetit.
“Kemi mbi 200 mijë banorë të cilët kërkojnë trajtim dhe kemi staf mjekësor i cili është duke punuar në kushte minimale dhe gjendja është tepër alarmante, kështu që ne edhe sot prej këtu i bëjmë thirrje Qeverisë që sa më shpejt të jetë e mundur që të finalizohet ky projekt, të finalizohet spitali, në mënyrë që qytetarët të marrin trajtimin e duhur”, ka thënë Arbnora Salihu, kryetare e Rinisë së PDK-së.
Punimet nisën në vitin 2018 në kohën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, tash nënkryetar i PDK-së që është forca më e madhe opozitare në nivel qendror. Por, kontraktori e la objektin e papërfunduar.
Në aksion morën pjesë edhe dy deputetë të PDK-së, Elmi Reçica dhe Rashit Qalaj. Ata akuzuan qeverinë për zvarritje të qëllimshme të projektit.
“Ka qenë e planifikuar që ky spital të lëshohet në punë më 15 qershor 2021, ndërsa ka katër vjet që ky spital fare nuk ka lëvizur nga vendi përkundrazi është duke degradu. Pse? Sepse edhe Qeveria e mëhershme, edhe specifikisht kjo Qeveri, për inate politike, për inate të ndryshme e kanë bllokuar vazhdimin e ndërtimit të këtij spitali”, ka thënë Reçica.
E Qalaj ka theksuar se Qeveria e ka bllokuar projektin vetëm me qëllimin që ta minimizojë atë që e ka quajtur sukses dhe punë të madhe të qeverisjes së PDK-së në Ferizaj.
“Që të tentojë që këtë sukses ta tregojë sa më të dobët, të dëmtojë në fakt pushtetin e PDK-së dhe që ky pushtet duke tentuar që ta godasë qeverisjen lokale, është duke goditur direkt qytetarin jo vetëm të Ferizajt, por edhe të komunave përreth”, ka thënë ai.
E, ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit në Ferizaj, Fikret Arifi, shprehu pritjen që në vjeshtë të rifillojë puna.
“Një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë janë duke punuar dhe në fund të muajit qershor ose në fillim të korrikut do të jepet vendimi definitive për statikën e objektit, pra nëse i plotëson kushtet për të vazhduar tutje dhe nëse jepet drita e gjelbër për të vazhduar tutje, atëherë punimet do të vazhdojnë në shtator. Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt, sepse do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët”, i ka thënë KOHËS Arifi.
Në mars të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar një kompani për ta riprojektuar spitalin Në këtë institucion thanë se punimet do të vazhdojnë pas përfundimit të këtij procesi.
“Aktualisht është një kompani e kontraktuar për ri-projektimin e Spitalit të përgjithshëm në Ferizaj. Riprojektimi është në proces e sipër. Pas riprojektimit, buxheti është i siguruar për vazhdimin e punimeve në funksion të finalizimit të projektit”, i ka thënë KOHËS Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 2021, KOHA pati raportuar se kompania e kontraktuar ishte denoncuar në Prokurori Speciale nga Ministria e Shëndetësisë, nën dyshimin për abuzim me çmime e mospërmbushje të kontratës.