Shtimi i rasteve me Covid-19 dhe rritja e numrit të testimeve ka bërë që IKSHPK-ja të ketë në stokun e vet teste për detektimin e Covid-19 vetëm deri në fund të muajit dhjetor.
Kjo ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që të hapë një tender për blerjen e testeve PCR dhe testeve serologjike, ku është kërkuar që përmes procedurave të prokurimit furnizimi me këto teste të bëhet në afate sa më të shkurta kohore.
MSh-ja ka kufizuar kohën e pranimit të tenderëve deri më 8 dhjetor.
Në tenderin e hapur një ditë më parë nga ky institucion, në përcaktimin e afateve kohore, ka thënë se “duke marrë parasysh situatën alarmante të krijuar me Covid-19 dhe kërkesat e shtuara për testime me RT PCR, stokun e testeve dhe materialit harxhues laboratorik, sipas trendit të tanishëm, ky institucion ka mundësi të testimit më së largu deri në fund të dhjetorit 2020”.
Andaj, sipas MSH-së, është e nevojshme inicimi i këtij aktiviteti të prokurimit me afat të shkurtër kohor në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e testimit.
Përmes këtij tenderi Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar të blejë rreth 300 mijë teste RT PCR, vlera e të cilave, sipas buxhetit të planifikuar, do të jetë rreth 1 milion e 620 mijë euro, me një test që është përllogaritur të kushtojë 5 euro e 40 centë.
MSh-ja në tenderin e hapur gjithashtu ka planifikuar të blejë rreth 10 mijë teste serologjike, 5 mijë prej verifikimin e antitrupave IgM dhe 5 mijë të tjera për antitrupat IgG.
Përveç këtyre testeve, MSh-ja në këtë tender, vlera e të cilit planifikohet në 5 milionë e 209 mijë euro, i ndarë në 10 lote, pritet të blihen rreth 40 lloje të ndryshme të materialeve hargjuese në kuadër të zingjirit të këtyre testimeve.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se rritja e numrit të testimeve ka ndikuar në harxhimin e stokut të testeve PCR, porse ka mohuar se IKSHPK-ja është në krizë për teste.
Furnizimi me një numër kaq të madh të testeve, sipas MSH-së, ka për qëllim rritjen e numrit të testimeve derisa ka thënë se përveç blerjeve që pritet të bëhen përmes këtij tenderi, MSH-ja përmes UNOPS-it do të blejë edhe rreth 100 mijë testime të tjera.
“Rritja e numrit të testimeve ndikon në shpenzime më të mëdha të stokut të testeve PCR. IKSHPK për momentin ka teste të mjaftueshme, por me që qëllimi është që numri i testimeve të rritet, MSh ka hapur procesin për sigurimin e testeve të tjera. Përmes tenderit të hapur/shpallur me procedurë të rregullt synohet të sigurohen 300 000 teste RT PCR, 10000 teste serologjike IgM dhe IgG si dhe material harxhues laboratorik që është i nevojshëm për të kryer testime. Janë rreth 40 lloje/artikuj të produkteve të ndryshme që kompletojnë zinxhirin e testimeve të shpallura në kontratën kornizë në vlerë prej 5. 209.260 euro. Testet do të sigurohen me procedurë të hapur përmes tenderit publik (jo me procedurë të përshpejtuar). Për momentin IKSHPK ka teste që i mundësojnë mbajtjen e këtij niveli të testimeve, por me që synimi është që përveç IKSHPK-së, të fillohet tash edhe me testime Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, numri i testimeve të rritet edhe më tej. Testime të tjera gjithashtu do të blihen (100 000) përmes UNOPS-it, kështu që MSH e IKSHPK presin rritje të numrit të testimeve, jo krizë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërsa drejtori i departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK-së Xhevat Jakupi përmes një përgjigje me shkrim ka konfirmuar për Kohën se aktualisht IKSHPK ka rreth 100 mijë teste në dispozicion të mjaftueshme deri në mesin e janarit të vitit 2021.
“Shtimi i numrit të testimeve natyrisht nënkupton se ka shpenzime të shtuara të testeve dhe materialit harxhues laboratorik. Aktualisht janë mbi 100.000 teste Rt PCR në dispozicion në IKSHPK. Me ritmin e tanishëm, sasia e testeve dhe materialit laboratorik në dispozicion është e mjaftueshme për testim deri në mes të janarit 2021. MSH-ja ka hapur procesin tenderues për 300.000 RT PCR teste dhe materialit harxhues laboratorik me procedura standarde të prokurimit, i cili pritet të përmbyllet në mes të dhjetorit 2020” . Do të blihen Real Time PCR teste dhe material harxhues laboratorik i nevojshëm për testim me real time PCR”, ka thënë Jakupi.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së që nga fillimi deri më tani, IKSHPK ka testuar rreth 139 mijë persona të dyshimtë me Sars Cov 2, ku 37 mijë e 792 kanë rezultuar pozitivë.