Dy arsye ka listuar Ministria e Mbrojtjes, tek ka justifikuar numrin e ushtarëve të larguar nga FSK-ja. Sipas këtij institucioni, ushtarakët që kanë zhveshur uniformën, nuk kanë mundur ta përballojnë disiplinën që kërkohet gjatë shërbimit, ose kanë pasur oferta nga sektori privat. E ish-ushtarakë thanë se situata është prodhuar, shkaku i pagave të ulëta ose gradimeve jomeritore
Ministria e Mbrojtjes ka justifikuar largimin e 251 ushtarëve nga Forca e Sigurisë brenda dy vjetësh, duke theksuar se shumë nga ta nuk kanë mundur ta përballojnë disiplinën që kërkohet gjatë shërbimit në këtë institucion.
Krahas kësaj, në një përgjigje për KOHËN, Ministria ka listuar ndër arsyet edhe ofertën e sektorit privat që ka për pjesëtarët e FSK-së.
“Sigurisht kjo ndodh për shkak të disiplinës dhe përkushtimit që kërkon ushtria e që jo të gjithë janë të gatshëm ta ofrojnë për një periudhë të gjatë kohore, e sidomos jo nëse e kanë parë ushtrinë vetëm si një vend pune, por në rastin e Kosovës në këtë aspekt ka pasur ndikim edhe angazhimi në sektorin privat të punës, për shkak të gamës së gjerë të mundësive për profile të ndryshëm që ky sektor ofron, e që pjesëtarët e përgatitur profesionalisht në FSK, të shkolluar si rezultat i mbështetjes financiare të Qeverise, janë shënjestër e kompanive të mëdha”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Mbrojtjes.
Vetëm gjatë këtij viti, FSK-në e kanë braktisur 119 pjesëtarë të saj.
Ish-ushtaraku Hysen Gecaj, përmend dy shkaqe që kanë prodhuar këtë situatë.
“Njëra është ana financiare, përcaktohet një individ nëse do të qëndroj në ushtri me atë pagë apo jo, kjo nuk është shqetësuese. Është shqetësuese kur nuk respektohet puna e tyre, angazhimi i tyre ose kur është fjala për gradime dhe pozitat të ndryshme, në rast se privilegjohet ata që janë më pak të aftë se kjo pjesa tjetër atëherë kjo shkakton pakënaqësi ushtarakët dhe kjo e humb vullnetin për me qenë pjesë e FSK-së”, ka theksuar Gecaj.
E në Ministri theksuan se shërbimi ushtarak nuk duhet parë vetëm si vend pune.
“Ushtria është shërbim ndaj vendit, do të thotë besnikëri, sakrificë, vetëmohim, prandaj dhe duhet bërë një dallim ndërmjet një vendi të zakonshëm pune dhe gatishmërisë për t’i shërbyer atdheut. FSK nuk shënjestron qytetarë që duan t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës për pagë, por ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ndërkaq, ish-ushtaraku Gecaj thotë se largimi i pjesëtarëve të FSK-së duhet parë edhe si dëmtim buxheti, shkaku i investimit në aftësimin e tyre.
“Investimet janë bukur shumë të mëdha në ngritjen e profesionistit dhe për shumat as që është e nevojshme të flitet dhe çdo largim i pjesëtarit të FSK-së është njëherit edhe dëmtim i buxhetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Pos largimit, brenda 4 vjetëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë rekrutuar 1971 ushtarakë të rinj dhe janë në proces rekrutimi edhe 300 ushtarë të tjerë.