Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, ka thënë se është shqetësuese se si nuk po vlerësohet mjaftueshëm sakrifica e atyre që kanë dhënë jetën për liri.
Sipas tij, ka rrezik që të përsëriten ngjarjet e para 25 vjetëve, marrë parasysh zhvillimet e fundit politike.
“Se sa vlerësohet kontributi i atyre njerëzve që kanë dhënë jetën për të realizuar atë që është më sublimja, më e çmuara, më e shtrenjta – liria – kam përshtypjen që nuk po dimë shumë ta vlerësojmë këtë gjë, sikur e kemi harruar paksa dhe kjo të shqetëson. Ata njerëz që nuk dinë ta vlerësojnë sakrificën e tyre, ka rrezik ta përsërisin, gjë që do të ishte shumë më tragjike sesa e para, dua të besoj se kjo nuk do të ndodhë edhe pse në fakt zhvillimet e fundit politike janë për t’u shqetësuar”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Derisa ka folur për pjesëmarrjen e tij në konferencën e Rambouillet, ai ka thënë se një qeveri e përkohshme është e përmendur midis fazës së parë dhe të dytës, por që mbeti gjysmake për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dërguar emra, si përfaqësues për këtë qeveri.
“Faza më e rëndë e konferencës së Rambouillet ishte atëherë kur pjesë e delegacionit nga Kosova kërkoi që ta kemi një dyjavor për t’u kthyer në Kosovë dhe për të marrë atë lejen përfundimtare për ta nënshkruar marrëveshjen. Një qeveri e përkohshme u përmend midis fazës së parë të konferencës dhe të dytës, aty me ndihmën e miqve tanë u bë kjo gjë dhe që pati logjikë të ndodhte, megjithatë nuk rezultoi ashtu siç deshëm sepse në fazën e dytë kur shkuam në Paris për ta nënshkruar marrëveshjen, ne pritëm që edhe LDK-ja të sjellë njerëz me emra e mbiemra ajo nuk u bë dhe kjo qeveri mbeti gjysmake”, ka thënë ai.
Buja ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka tendencë t’i barazojë krimet e Serbisë me luftën për liri.
“Kjo gjykatë (Specialja në Hagë) ka tendencë të barazimit të krimeve. Kjo nuk ka logjikë. Kush bëri krim? Një popull që luftoi për lirinë e tij? Jemi në këtë pozicion që mund të bëjmë shumë më shumë e nuk po bëjmë, kjo është e keqja. Dënimi që do të shqiptohet në Gjykatën e Hagës është dënim që do t’i bëhet Kosovës, jo atyre burrave që po qëndrojnë atje”, ka shtuar Buja.
Lidhur me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ai ka vlerësuar se është në fazën zero.
“Procesi i dialogut është në fazën zero. Asnjë përparim nuk është bërë. Njohja reciproke u harrua, nuk përmendet fare. Kjo ka rrezikshmëri të madhe”, ka thënë ai.