Arbëri

Sindikata e Sektorit Privat alarmon për migrimin e punëtorëve të kualifikuar

Derisa Sindikata e Sektorit Privat ka ngritur shqetësime për ikjen e rreth 60 mijë punëtorëve të kualifikuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një adresimi në rrjete sociale ka ftuar diasporën për punë në Kosovë. Ai ka thënë se Qeveria synon t’i bëjë mërgimtarët pjesë të vendimmarrjes. Në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 41 mijë qytetarë kanë migruar

Trendi në rritje i ikjes së qytetarëve nga Kosova po konsiderohet shqetësues. Nga Sindikata e Sektorit Privat kanë thënë se vetëm në 7 muaj të këtij viti mbi 60 mijë punëtorë të kualifikuar kanë ikur në drejtim të vendeve të Evropës.

Jusuf Azemi, kryetar i kësaj Sindikate, thotë se kjo është gjendje e jashtëzakonshme dhe në vitet e ardhshme do të përballen me mungesë të mëdha të punëtorëve të kualifikuar. “Në kushte normale do të kishte për të qenë një gjendje e jashtëzakonshme për çdo shtet që pretendon se ka më shumë se 200 mijë punëtorë të sektorit privat. Nëse vazhdon kështu për 3-4 vjet, ne do të mbesim në zero”, ka deklaruar ai.

Azemi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar për të gjetur një zgjidhje për këtë dhe për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve.

“Një pjesë e madhe e këtyre punëtorëve tashmë kanë ndarë mendjen ta lëshojnë Kosovën, pasi që ne nuk u kemi krijuar kushte së paku minimale dhe ky është përfundimi i asaj ose rezultati i bashkëpunimit mes sindikatave të punëtorëve dhe Qeverisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së enjtes iu drejtua diasporës nëpërmjet një videoje në rrjete sociale. Kurti u bëri thirrje mërgimtareve që të aplikojnë në Programin për Diplomaci Qytetare.

“Sot kam kënaqësinë t’ju bëj thirrje për aplikim në Programin për Diplomaci Qytetare. Ky program ka për synim angazhimin e diasporës sonë direkt në institucionet tona. Nëpërmjet Programit për Diplomaci Qytetare duam ta formalizojmë angazhimin tuaj fillimisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e pastaj edhe nëpër institucione të tjera të vendit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri bëri të ditur se në agjendën e Qeverisë është edhe nisma dialogu me mërgatë dhe se diasporën do ta bëjnë pjesë të vendimmarrjes.

“Me Qeverinë tonë ka ardhur koha që diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes në përpjekje të Kosovës sonë, për ta zgjeruar prezencën e saj kudo në botë”, është shprehur ai.

Sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 mbi 41 mijë qytetarë të Kosovës kanë migruar. Viteve të fundit Gjermania ka qenë destinacioni që më së shumti e kanë preferuar kosovarët, derisa në një përgjigje nga Ambasada gjermane nuk kanë treguar se sa është numri i vizave të punës të lëshuara këtë vit.

Nga kjo Ambasadë kanë thënë se në vitin 2021 kanë lëshuar mbi 4 mijë e 400 viza të punës dhe se vonesat janë të pashmangshme për shkak të kërkesave të mëdha.

“Vitet e fundit, Ambasada gjermane ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj për t’i përpunuar aplikimet për viza, në mënyrë që seksioni i vizave në Prishtinë është shndërruar në një nga seksionet më të mëdha të vizave gjermane në mbarë botën. Në këtë drejtim, kërkesa për viza vazhdon t’i rritë kapacitetet ekzistuese, kështu që vonesat e mëtejshme mbeten të pashmangshme”, është thënë në përgjigjen e kësaj Ambasade.

Sipas një regjistri të kësaj Ambasade, në vitin e kaluar me vizë gjermane Schengen u pajisen mbi 16 mijë e 800 kosovarë.

Shqetësimin për rritjen e numrit të ikjes jashtë vendit e kanë ngritur tash e një kohë edhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, të cilët vazhdimisht kanë potencuar se largimi i stafit mund ta vështirësojë ofrimin e shërbimeve.