Arbëri

Sindikata e Policisë e pakënaqur me rritjen e pagave nga Qeveria

Policia e Kosovës

Sindikata e Policisë së Kosovës nëpërmjet një reagimi të martën ka thënë se nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga Qeveria për rritjen e pagave.

Sipas vendimit të Qeverisë, pagat në sektorin publik do të rriten nga janari  për 55 euro e nga korriku rritja pritet të shkojë në 110 euro. Sipas rritjes, policët që aktualisht marrin pagë 550 euro, nga janari do t’i marrin 660 euro.

Por Sindikata ka vlerësuar se rritja nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke marrë parasysh inflacionin.

“Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave. SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit. Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë”, thuhet në reagim.

Sindikata ka kërkuar që rritja e pagave të bëhet duke përfshirë rritje totale prej dy koeficientesh.

“Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë. Kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit”, vijon tutje reagimi.