Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin për vonesat në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë. Sipas Sindikatës, kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe ka ndikuar negativisht në mirëqenien e policëve, të cilët ende nuk e kanë marrë kompensimin e merituar në prag të festave.
Në një deklaratë publike të premten, Sindikata ka bërë thirrje që Ministria e Financave të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke respektuar të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Ata kanë theksuar se mungesa e pagesave për orët shtesë e ndërrimin e natës dëmton moralin dhe motivimin e policëve, të cilët me përkushtim dhe sakrificë mbajnë rendin dhe sigurinë publike.
“Pavarësisht angazhimit të madh të policisë, nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për këtë çështje nga Qeveria”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Sindikata ka paralajmëruar se do të ndjekë me kujdes këtë çështje dhe nuk do të ndalë përpjekjet derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara. Ata gjithashtu kanë theksuar se do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme për këtë problem.
Pas këtij reagimi, Ministria e Financave ka thënë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe që shuma të jetë brenda kufijve buxhetorë, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
“MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale. U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë”, thuhet në sqarim.
Thesari ka thënë se i ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.
“MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompensohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar”, përfundon reagimi i MF-së.