Arbëri

Sinani: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi çon në ikje të shqiptarëve nga Lugina

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka cilësuar rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon, vendimin e shtetit të Serbisë për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në një shkrim në Facebook, Sinani ka thënë se shqiptarët në Luginë të Preshevës mbesin të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit. Ajo ka thënë se shqiptarët do të detyrohen të largohen kur t’i mbushin 18 vjet për t’i ikur shërbimit të ushtrisë së një shteti që i diskriminon.

“Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot, historia rrezikon të përsëritet! Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, ka shkruar Sinani në Facebook.

Ajo po ashtu ka thënë se Serbia nuk është shteti që kërcënohet nga fqinjët e vet, por se kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen nga Serbia.

“Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!” ka përfunduar ajo.