(13:48) - Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku. Atyre u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Avokati i Nikçit, Arianit Koci, ka thënë se klienti i tij po përballet me proces të padrejtë. Sipas Kocit, Nikçi nuk ka të bëjë me rastin për të cilin po hetohet. Ndaj masës së arrestit shtëpiak, mbrojtja e Nikçit do të ankohet.
Po përballet me një proces të padrejtë, nuk jam i kënaqur as me këtë vendim sepse nuk ka asnjë provë që e inkriminon klientin tim... Nuk dua të spekuloj që ky rast ka konotacion politik, por diçka në rregull nuk është. Hetimet kanë filluar para 20 ditëve dhe me nguti janë marrë të gjitha këto vendime”, ka thënë Koci për mediat.
Sillen në gjykatë kryeinspektori Nikçi dhe Shalaku
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, janë sjellë në Gjykatën Themelore të shtunën herët.
Të dy ishin ndaluar të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.
Nikçi, i cili është emëruar jashtëligjshëm në pozitë të kryeinspektorit të punës, dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”.
Edhe Shalaku është ndaluar shkaku i dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Që të dy këta janë intervistuar gjatë të enjtes nga Sektori për Hetime Financiare i Policisë.