Arbëri

Si funksionojnë kriptomashtrimet me figura publike në Kosovë

kibernetik

Mashtrimet me kriptovaluta në botë po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, dhe Kosova nuk është imune ndaj këtyre skemave. Një nga format më të përhapura të mashtrimit në këtë fushë përfshin përdorimin e vegëzave të publikuara në formë imazhi si reklama të sponsorizuara në platforma si Facebook.

Këto publikime, që përdorin imazhe të figurave publike të njohura në Kosovë, pa dijeninë e tyre, duke shfaqur artikuj të rremë për të tërhequr përdoruesit, po qarkullojnë sërish në sferën digjitale.
Në një analizë të publikuar të martën, platforma për verifikim faktesh “hibrid.info” ka treguar se si publikohen dhe funksionojnë këto mashtrime.

Si publikohen?

Kur një përdorues klikon mbi këto vegëza, ai drejtohet në faqe që imitojnë dizajnin dhe stilin e mediave kredibile duke dhënë një pamje të besueshme dhe profesionale. Në këto faqe, paraqitet një intervistë fiktive me figurën publike të shfaqur në reklama, ku pretendohet se ky person ka fituar shuma të mëdha parash duke investuar në platformën e promovuar.

Në realitet, intervista nuk është e vërtetë, por është krijuar për të mashtruar njerëzit dhe për t’i nxitur ata të investojnë në një platformë të rreme kriptovalutash.

Një shembull i tillë i këtij lloji mashtrimi është kur imazhi i një figure të njohur publike nga Kosova është përdorur në mënyrë të paautorizuar për të promovuar një platformë mashtruese të kriptovalutave. Artikujt e rremë pretendojnë se kjo figurë është paditur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke krijuar një ngjarje të rreme për të tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe për ta bërë të duket sa më legjitime platformën e rreme.

Publikuesit

Këto mashtrime me kriptovaluta në Facebook shpesh publikohen nga faqe me numër të vogël ndjekësish dhe me shumë pak ose aspak postime të mëparshme.

Identiteti i administratorëve të këtyre faqeve mbetet i panjohur. Vendndodhja e këtyre administratorëve shpesh tregon vende jashtë Kosovës.

Policia e Maqedonisë së Veriut kishte identifikuar tri platforma të dyshimta për tregtimin e kriptomonedhave: “nearstedge,” “Bitapp24,” dhe “Immediate codex”, të cilat promovohen përmes faqeve të rreme.

Kjo, si pjesë e një skeme më të gjerë që synon audiencën evropiane, ku reklamat përshtaten për vendet përkatëse, duke përdorur emrat e të famshmëve vendas. Gjurmët e këtyre faqeve mashtruese çojnë në adresa në Britani të Madhe, SHBA dhe Singapor, dhe kërkojnë të dhëna personale për tregtim kriptovalutash.

Çka dihet për platformën “Nearest Edge”?

Edhe pse platforma duket legjitime, vlerësimet e besueshmërisë nga platforma të specializuara sugjerojnë se niveli i besueshmërisë së uebfaqes së saj është i ulët.

Gjithashtu, nuk është evidentuar asnjë reagim zyrtar nga “Nearest Edge” lidhur me mashtrimet që po synohet të kryhen në emër të saj, gjë e cila mund të ngrit më tej dyshimet mbi sigurinë e saj.

Në bazë të shqyrtimit të faqes “Techopedia”, platforma “Nearest Edge” pretendohet të jetë një robot për tregtimin e kriptovalutave. Ky shqyrtim vë në dukje se, ndërsa platforma duket të ofrojë shërbime legjitime, ka disa shqetësime mbi besueshmërinë e saj.

Kjo për shkak të mungesës së transparencës dhe reagimeve të përdoruesve si dhe vlerësimeve të ulëta të besueshmërisë nga burime të pavarura. Në rast konsiderimi të përdorimit të kësaj platforme, rekomandohet kujdes i shtuar dhe kërkime të mëtejshme 

Përhapja e mashtrimeve

Përveç Kosovës, mashtrimet në formë të njëjtë janë përhapur edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe vendet e Afrikës.

Këta mashtrues kanë përdorur taktika të ngjashme të sofistikuara për të shpërndarë informacione të rreme duke krijuar uebfaqe që të japin përshtypjen se janë legjitime.

Mashtrimet me kriptovaluta përfshijnë metoda të ndryshme për të mashtruar viktimat, duke përfshirë skema mashtruese investimesh (Investment scams), ku mashtruesit pretendojnë të jenë menaxherë investimesh dhe zhduken me fondet e viktimave; skema “pump and dump”, ku rritet artificialisht vlera e një kriptovalute apo NFT-je për të mashtruar investitorët; skema romantike (Romance scams) përmes platformave të takimeve; phishing për të vjedhur kredenciale; skema Ponzi, ku përdoren fondet e reja për të paguar interesat e larta; dhe mashtrime me mihjet e kriptovalutave, e që në të vërtetë mihja nuk ekziston.

Treguesit e mashtrimesve përfshijnë premtime për kthime të larta me rrezik të ulët dhe strategji sekrete.

Më 3 maj të këtij viti, Policia e Kosovës publikoi një komunikatë duke paralajmëruar qytetarët për mashtrimet e dyshuara online përmes investimeve. Në komunikatë u sqaruan mënyrat e realizimit të këtyre mashtrimeve dhe u ofruan këshilla për mbrojtje. Policia gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të raportojnë rastet e mashtrimeve në stacionin më të afërt policor, nëse janë viktima të këtyre mashtrimeve.