Arbëri

Si dështuan përpjekjet e gruas së Vuçiqit për ta penguar njohjen e Kosovës nga Kenia

Si dështuan përpjekjet e gruas së Vuçiqit për ta penguar njohjen e Kosovës nga Kenia

Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar të mërkurën (dje) se Kenia ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, me një vendim të nënshkruar nga presidenti kenian, William Ruto.

“Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenisë për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, të nënshkruar nga presidenti Ruto dhe të dërguar zyrtarisht në Presidencë pak ditë më parë”, deklaroi Osmani, që falënderoi ish-ministrin Behgjet Pacolli si një nga njerëzit që i prin këtij procesi.

Kenia u bë shteti i 105-të anëtar i Kombeve të Bashkuara që njeh Kosovën dhe i 118-i në total. Megjithatë, anëtarësimi në OKB mbetet i bllokuar për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës, dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Diplomacia serbe dhe vizita e dështuar e Tamara Vuçiqit

Njohja e Kosovës vjen pas një fushate intensive nga Serbia për ta penguar atë. Në tetor të vitit të kaluar, Tamara Vuçiq, bashkëshortja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, zhvilloi vizitë të papritur në Nairobi si pjesë e ofensivës diplomatike serbe.

Vizita e saj nuk u paralajmërua publikisht, duke nxitur spekulime se synimi ishte lobimi kundër njohjes së Kosovës. Ajo u takua me ministrin e Punëve të Jashtme, Musalia Mudavadi, duke diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Në përpjekje për të ndikuar vendimin e Kenias, Serbia ofroi gjithashtu ndihmë financiare, duke përfshirë një donacion prej 150 mijë eurosh për viktimat e përmbytjeve në vend. Gjatë vizitës, Tamara Vuçiq vizitoi lagjen e varfër Mukuru në Nairobi dhe mori pjesë në aktivitete me komunitetin lokal, përfshirë edhe një vallëzim tradicional me gratë keniane.

VIDEO:

 

 

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kenia nuk u ndikua dhe vendosi të njohë Kosovën si shtet të pavarur. Pas këtij zhvillimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka dënuar ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar” dhe “cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të OKB-së”.

“Një vendim i tillë minon përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar. Ai përfaqëson një precedent të trishtuar në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore mes Serbisë dhe Kenias”, thuhet në reagimin e Beogradit.

Pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë, vendimi i Kenias është tashmë zyrtar dhe konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.