Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po i heton keqpërdorimet në PTK, ka vendosur që sërish ta ftoj për raportim ish-kryeshefin e PTK-së, Shyqiri Haxha.
Krejt kjo me arsyetimin se një ditë pas ai e ka tërhequr deklaratën në lidhje me deputeten e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, të cilës i pati thënë se i ka kërkuar që t’ia punësojë një familjar të saj në PTK.
“Haxha, duke qenë se deklaratën e ka dhënë nën betim dhe nëse të nesërmen e ka tërhequr një pjesë të deklaratës, atëherë ai duhet sërish të vijë dhe të raportojë”, ka thënë kryetari i komisionit, Visar Ymeri, raporton Koha Ditore.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Haxha e ka vënë komisionin në lajthitje.
“Ai na ka humbur gati 8 orë në komision”, ka shtuar ai.
Pas kësaj, pritet të raportojë ish-kryeshefi i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.