Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar një numër të madh auditimesh të kryera gjatë këtij viti. Nga 38 komuna, për tri prej tyre u dha opinion pozitiv, e te të tjerat u gjetën shkelje e probleme në raportime financiare e menaxhim të aktiviteteve. Te ndërmarrjet publike, ZKA-ja gjeti se nuk i raportojnë drejt fitimet, borxhet e as vlerën e aseteve
Komuna e Malishevës ka nënshkruar tender në vlerë prej 8.2 milionë eurosh për ndërtimin e sheshit, nënkalimeve dhe parkingut nëntokësor, përderisa fondet e buxhetuara për tre vjet për këtë projekt janë 1.9 milionë euro.
E dhëna u publikua të enjten, në konferencën për media të përfaqësuesve të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), të cilët folën për gjetjet në komuna dhe organizata tjera buxhetore.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se hyrja e komunave në obligime kontraktuale pa i pasur mjetet e nevojshme është bërë dukuri e shpeshtë negative, e cila, sipas saj, çon në prishjen e ekuilibrit buxhetor duke e ngarkuar shtetin edhe me pagesa shtesë përmes përmbaruesve privat.
Malisheva nuk është komuna e vetme që ZKA-ja gjeti probleme.
Nga 38 komuna, vetëm tri prej tyre u është dhënë opinion pozitiv e për të tjerat është konsideruar që aktivitetet i kanë kryer edhe duke dalë përtej kornizës ligjore.
Spanca theksoi problemet kryesore që u identifikuan në shumicën e komunave.
“Papajtueshmeritë tek komunat kishin të bënin me: lëvizjen e fondeve buxhetore për projekte kapitale pa aprovime nga kuvendet komunale, hyrja në marrëveshje kontraktuale pa fonde të mjaftueshme në dispozicion, vonesa në realizimin e kontratave, vonesa në realizimin e pagesave ndaj operatorëve ekonomikë, shmangie nga procedurat e prokurimit publik”, ka thënë Spanca.
Ajo ka theksuar se Komuna e Prishtinës dhe ajo e Vushtrrisë dolën më së keqi në gjetjet e Auditimit.
Përpos komunave, Spanca tha se janë audituar edhe 47 organizata buxhetore të tjera, duke përfshirë edhe ministritë, 9 projekte të donatorëve dhe 13 ndërmarrje publike, nga të cilat “Trepça”, KOSTT-i dhe “Hidrodrini” janë audituar për herë të parë nga ZKA-ja.
“Më duhet të theksoj se rezultatet e auditimit në ‘Trepçë’ kanë treguar se kjo ndërmarrje ka nevojë të domosdoshme të forcojë kontrollet në raportimin financiar dhe udhëheqjen e aktiviteteve në pajtueshmëri me ligjet, pasi që kemi dhënë mendim të kundërt edhe për PVF-të edhe për pajtueshmërinë me kornizën ligjore”, ka thënë ajo.
Spanca ka paralajmëruar se deri në shtator do të publikohen gjetjet lidhur me shkelje të natyrës penale, të cilat nëse hasen tha se materialet do të përcillen në Prokurori.
Deri në gusht të këtij viti pritet publikimi i rezultateve të 123 auditimeve financiare, të pajtueshmërisë, të perfromancës, të prokurimit dhe teknologjisë së informacionit.