Ndërrimi i moteve u prit në sheshe nga shumë qytetarë. Mungesa e organizimeve institucionale u zëvendësua me spektaklin, i cili u ndoq edhe nga ndërkombëtarë që Prishtinën e zgjodhën për ta pritur Vitin e Ri.
Qielli i Prishtinës u shndrit me kolorit ngjyrash me të mbërritur mesnata, që shënoi ndërrimin e moteve.
Spektakli me fishekzjarrë është ngjarja kryesore në kryeqytet dhe ai u ndoq nga shumë qytetarë që mbushën sheshet pak para mesnate.
Disa nga ta shprehën dëshirat për vitin 2025.
Në sheshin “Xhorxh Bush” kremtuan edhe ndërkombëtarët.
Në mesin e tyre janë edhe Kaan Gylpunar dhe familja e tij nga Stambolli, që për herë të parë ndodhen në Kosovë.
“Bashkë me familjen kemi ardhur në Prishtinë, kemi ardhur këtu vetëm për të festuar Vitin e Ri.
Atmosfera po na pëlqen shumë dhe mendojmë të qëndrojmë më gjatë. Urime të gjithëve Vitin e Ri!”, ka thekuar ai.
Të tjerë të huaj thanë se Vitin e Ri po e presin në Kosovë, për shkak të mikpritjes dhe atmosferës së mirë festive.
“Po kemi ardhur dje në Kosovë për të festuar Vitin e Ri. Më pëlqen qyteti, njerëzit. Njerëzit këtu janë shumë të ngrohtë. Ne bashkë me familjen do të festojmë këtu në qytet, sepse ka shumë argëtim”, ka theksuar Mert Boskush, një turist tjetër.
Edhe shqiptarë nga rajoni zgjodhën Prishtinën për të festuar.
“Jemi me familjen këtu. Është hera e parë për mua që po vij në Prishtinë për të festuar Vitin e Ri, me shoqëri dhe familje. Urojmë që ky Vit të shkojë mbarë për të gjithë”, ka theksuar Gani Islami, shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Me spektakle fishekzjarrësh por pa ndonjë organizim institucional, ndërrimi i moteve u prit edhe në sheshet e qyteteve të tjera të Kosovës.