Arbëri

Shumë oferta të ndërmjetësuesve për vaksinat, Qeveria kërkon garanci

Qeveria e Kosovës në baza ditore po merr oferta nga ndërmjetësues për të siguruar vaksina për COVID-19. Por, pavarësisht ofertave nga akterë të ndryshëm, nuk është bërë e ditur nëse ndonjë nga to është futur në procedurë të negocimit, që do t’ia mundësonte Kosovës vaksinimin masiv të popullatës.

Nga Qeveria kanë thënë për KOHËN se oferta të tilla kanë ardhur nga zyrtarë, individë e biznese të ndryshme, përfshirë edhe shumë mërgimtarë, porse për t’u hapur rrugë këtyre, Qeveria thotë se i duhet garanci. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se u duhet të sigurohen se vaksina e cila ofrohet për blerje, ka aprovim nga Rregullatori Evropian i Barnave dhe Agjencia Amerikane e Barnave dhe se subjekti është i autorizuar nga prodhuesit.

“Neve si shtet (e njëjtë është në të gjithë botën), na duhet një siguri të cilën mund ta garantojë vetëm prodhuesi dhe subjektet e autorizuara nga prodhuesi, organizma kredibilë ndërkombëtarë apo qeveritë e vendeve të BE-së dhe SHBA-ja. Ne jemi duke kontaktuar direkt me kompanitë prodhuese dhe qeveri të vendeve mike që të sigurojmë produktin por edhe cilësinë e këtyre vaksinave”, ka thënë ai.

Për institucionet, e rëndësishme është që vaksinat për koronavirus të sigurohen përmes rrugëve zyrtare. Kjo nënkupton marrëveshjen e drejtpërdrejtë me kompanitë prodhuese. Kryeziu ka thënë se në shumicën e rasteve, kërkesave që individët të jenë ndërmjetësues mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanive që duan të shesin vaksinat, u janë përgjigjur, por nuk ka dhënë detaje të tjera se pse nuk ka ende përgjigje lidhur me to.

“Në shumicën e rasteve ju kemi përgjigjur e me shumë të tjerë edhe jemi takuar. Jemi treguar të hapur dhe bashkëpunues, sado që është shumë e vështirë të takohemi dhe t’iu përgjigjemi të gjithëve. Mirëpo, me gjithë ato takime e komunikime, si institucione shtetërore nuk mund të largohemi nga rruga e vetme zyrtarisht e lejuar për sigurimin e vaksinave – pra përmes kontaktit dhe marrëveshjes së drejtpërdrejtë me kompanitë prodhuese”, ka deklaruar më tej ai.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në raport me mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve tanë. Prandaj, për secilin subjekt që na ofrohet ne duhet të verifikojmë paraprakisht se janë subjekte që kanë autorizime nga prodhuesit apo qeveritë e vendeve përkatëse”, ka shtuar Kryeziu.

Frikë për të pranuar ofertat e tilla, ka shkaktuar edhe raporti i Europolit ku vërtetohen paralajmërimet për falsifikimin e vaksinave që prej daljes së tyre në treg e të cilat zakonisht sigurohen përmes kanaleve jozyrtare. Europoli ka inkurajuar shtetet anëtare të shpërndajnë çdo informacion relevant për aktivitete kriminale lidhur me vaksinat për COVID-19, duke kërkuar të rrisin vigjilencën për përfshirjen e kriminelëve në shpërndarjen e vaksinave. Në paralajmërimin e lëshuar thuhet se kërkesa për trajtimin e virusit ka ngritur rrezikun e mungesës së dozave të vaksinës në shumë vende, e që ka lënë hapësirë që kjo kërkesë e lartë “të inkurajojë njerëzit të kërkojnë vaksinën diku tjetër”.

“Këto vaksina të falsifikuara mund të paraqesin një rrezik të rëndësishëm për shëndetin publik nëse ato janë joefektive ose helmuese, duke pasur parasysh prodhimin e tyre në laboratorë pa standardet e kërkuara të higjienës. Këto vaksina false mund të qarkullojnë në tregje të paligjshme ose të futen në tregun legal për shpërndarje”, thuhet në atë raport.

Në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë për KOHËN, është thënë se janë qindra kërkesa nga individë të ndryshëm të cilët kanë dërguar informacione për kompani që janë të gatshëm t’i shesin Kosovës doza të vaksinës. Edhe sipas këtij dikasteri, pavarësisht pozicionit që kanë këta individë “është shumë e rrezikshme” të merren këto oferta për shkak të frikës se mund të jenë të falsifikuara.

Ndërkaq, deri tash nga Qeveria e Kosovës nuk është bërë e njohur se ndonjë nga këto oferta ka marrë përgjigjen pozitive dhe se kanë filluar kontaktin me ndonjë nga kompanitë prodhuese të vaksinave përmes ndërmjetësuesve. Kosova ka siguruar vetëm 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” nëpërmjet programit COVAX. Të martën janë konfirmuar edhe 95 mijë vaksina “Pfizer” nga Bashkimi Evropian.

Sipas shumë raportimeve, kompanitë e mëdha farmaceutike kanë ndaluar, në kontratat e deritashme, që vaksinat e tyre të rishiten nga kompani apo shtetet te shtete të tjera. Ato kërkojnë negocim direkt mes kompanisë së vaksinave dhe shteteve që i kërkojnë vaksinat.