Shumë komuna nuk kanë arritur të realizojnë as gjysmën e buxhetit të investimeve kapitale, për periudhën janar- shtator të këtij viti. Njohësit e çështjes kritikojnë komunat për mosrealizimin e buxhetit për investime kapitale. E nga Asociacioni i Komunave fajin ua lënë institucioneve qendrore për mosbashkëpunim me komunat.
As gjysmën e buxhetit për investime kapitale nuk kanë arritur ta realizojnë komunat për periudhën janar-shtator të vitit 2024.
Sipas raportit të Institutit GAP, Komuna e Prishtinës ka realizuar vetëm 25 për qind të investimeve kapitale.
Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Blendi Hasaj, pohon se është e pakuptimtë se si komunat me territor më të vogël kanë realizuar më shumë projekte sesa ato me territor më të madh.
“Gjetjet tregojnë që kemi një nivel jo të kënaqshëm të shpenzimit të buxhetit për Investime kapitale, veçmas te komunat e mëdha, të cilat menaxhojmë me më shumë buxhet e që ne mendojmë se dinamika e realizimit të punëve do të ishte më e madhe. Sikurse që është Komuna e Prishtinës, e kemi parë një shkallë të realizimit tejet të ulët për këto nëntë muaj, ku vetëm 25 për qind e buxhetit për investime kapitale. Është vërtetë e pakuptueshme që të jetë një dinamike aq e ulët të realizimit të punëve publike”, ka thënë Hasaj.
Koordinatori në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale, Sadri Rrmoku, tregon disa arsye për mos realizimin e buxhetit për investime kapitale.
“Ekzistojnë disa arsye pse ndodhin gjëra të tilla: ose një mos shpenzim i buxhetit kryesisht prej komunave, ku e para ndërlidhet me mungesë të planifikimit të mirëfilltë të projekteve; edhe e dyta, që është goxha problem i madh, është pjesa e procedurave të prokurimit edhe çështja e datave ose e kohës së gjatë që i merr procesi i vlerësimit dhe i ankimimit të projekteve kapitale”, ka thënë Rrmoku.
E drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, fajin për përqindjen e ulët të komunave për realizimin e investimeve kapitale, ua lë institucioneve qendrore.
“Kemi komuna, të cilat i kanë harxhuar qind për qind të investimeve kapitale, e shumica absolute e tyre i kanë harxhuar mbi 60-70 për qind të investimeve kapitale. Kemi vetëm disa komuna, cilat një numër shumë i vogël i komunave të cilat nuk kanë arritur deri në 60 për qind t’i shpenzojnë mjetet për investime kapitale. Pra, kemi komuna, ndoshta nuk kanë mundur t’i shpenzojnë këto mjete, sepse ka mundur të vijë një letër nga niveli qendror, dhe për shkak të asaj letre, asaj kërkese të nivelit qendror, të ndërpriten punimet në zbatimin e një projekti të caktuar”, ka thënë Ibrahimi. “Kërkesat tona të deritanishme sa i përket burokracisë apo problemeve apo tendencave të nivelit qendror, në disa raste që t’i parandalojnë komunat në realizimin e projekteve, i kemi diskutuar me nivelin qendror.”
Ndër Komunat e cila ka realizuar shumën totale të investimeve kapitale janë: ajo e Ranillugut me 100 për qind, ajo e Malishevës me 97 për qind, e Obiliqit me 93 për qind, ndërkaq Komuna e Leposaviqit, ka realizuar vetëm 1 për qind të buxhetit për investime kapitale.