Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë, ka thënë se askujt nuk i shërben bllokimi i procesit të dialogut, e aq më pak Kosovës. Ai ka theksuar se fajin për ngërçin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e kanë vetë palët, të cilat nuk kanë vullnet politik për ta shtyrë përpara.
Sipas tij, nëse realizohen obligimet e marrëveshjeve nga ana e Kosovës, “presioni kalon te Serbia nga QUINT-i dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare”.
“Nuk ka ndonjë mënyrë magjike për të ndryshuar diçka që politikisht është i bllokuar, është vullneti i palëve që nuk duan të takohen, ose është mungesa e vullnetit të palëve për të vazhduar dialogun dhe vullnetit për të zbatuar ato për të cilat janë dakorduar. Kjo është humbje e mundësive për të ecur përpara”, ka thënë ai në një intervistë për KOHËN.
Shtuni është shprehur se qasja e Bashkimit Evropian nuk do të ndryshojë karshi të dyja shteteve edhe me emisarit të ri për dialogun.
“Nuk mendoj që ngërçi qëndron, ose faji për ngërçin mes Prishtinës dhe Beogradit, qëndron në Bruksel. Kushdo që vjen dhe bëhet ndërmjetësues ka për të pasur të njëjtën qasje”.
Shtuni ka theksuar se mes palëve janë arritur shumë marrëveshje, por shumë pak është zbatuar në terren. Ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë kushti kryesor, por se duhet të zbatohet siç parashihet në marrëveshje që Kosova të ecë përpara.
“Nuk mendoj se Asociacioni duhet të jetë kushti kryesor, numër një. Por, nëse është njëshi, shtata, 37-a, prapë nuk ka dallim, sepse është e vetmja urë nga e cila do të kalohet për të shkuar atje ku ka nevojë Kosova të shkojë dhe kërkon të shkojë. Këtë po ta thonë hapur atë që përcaktojnë hapjen e derës apo moshapjen e derës. Nëse partnerët për të cilët ke nevojë po të thonë ja ku është mënyra si mund të arrish në pikën që të heqin sanksionet, atëherë ti thjesht ke për të vendosur do ta bësh ose jo. A është e drejtë kjo apo e pranueshme, nuk e di a ia vlen të diskutohet, sepse këto janë kushte. Duhet veprim e më pak fjalime”, u shpreh ai më tej.
E, sa i përket përballjes me drejtësinë të kriminelit Milan Radoiçiq e serbëve të tjerë që morën pjesë në sulmin në Banjskë, Shtuni ka thënë se nuk pret lëvizje nga Serbia në drejtim të saj.
“Sa i përket dorëzimit të Radoiçiqit nuk pres ndonjë lëvizje të shpejtë në atë drejtim nga ana e Beogradit, por duhet që jo vetëm ai por të gjithë që kanë marrë pjesë në sulmin paramilitar në Kosovë duhet të përballen me drejtësinë”, ka përfunduar Shtuni.