Arbëri

Shtufi: Irani nuk e ka të sinqertë përkrahjen për Palestinën, e sheh "mish për top"

Pal Shtufi

Pal Shtufi, pedagog dhe sociolog, ka thënë se Irani nuk e ka të vërtetë përkrahjen për palestinezët dhe se këta po përdoren si “mish për top”.

“Irani nuk ka sinqeritet në përkrahjen e Palestinës, Palestina është veç mish për top në këtë rast. Irani po do që të stabilizohet. Arabët kanë pasë mbështetje një kohë, e kanë parë që me luftë nuk shkon më, janë tërheqë. Kush mendon që e fiton Izraelin me luftë, mendon që e fiton Amerikën me luftë”, ka thënë ai në “Konfront”.

E, sa i përket mbështetjes së Turqisë, Shtufi ka thënë se deklarimet e presidentit turk janë vetëm propagandë sepse marrëdhëniet ekonomike vazhdojnë të paprekura.

“Erdogani bënë propagandë. 6 miliardë e 200 milionë i ka marrëdhënie ekonomike me Izraelin. Asnjë cent nuk ka ra më poshtë gjatë gjithë kësaj krize”.


Koci: Vendet arabe e duan rënien e Ajetollahëve dhe të Hezbollahut, por nuk e thonë

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se vendet arabe e duan rënien e Ajetollahëve dhe Hezbollahut, por nuk e thonë për shkak se mund të humbasin mbështetjen e popullit. 

I ftuar në “Konfront” të KTV-së të mërkurën, Koci ka deklaruar se në botën arabe ata shihen si faktori më destabilizues dhe më i rrezikshëm. 

“Hezbollahu është themeluar pas ardhjes së Ajetollahut në vitin ’79, në vitin ’82 themelohet. Janë praktikisht xhandarët në Liban, por edhe terrorizues të gjithë asaj hapësire. Nuk kemi informacione, por ata godasin gjithnjë Izraelin. Ditëve të fundit rreth 60 mijë hebrenj janë tërhequr nga vija kufitare në brendi të Izraelit dhe sulme të tilla Izraeli përjeton pothuajse cdo ditë. Është diçka tjetër që ato nuk bëhen publike. Janë dorë e zgjatur e Iranit në kuptimin që përmes tyre, Irani dëshiron dominim në Lindjen e Mesme dhe kjo ka shkaktuar nervozë te regjimet tjera arabe. Në botën arabe ka shumë pak, për të mos thënë asnjë regjim aktualisht që dëshiron mbijetesën e Ajetollahëve në Iran, rrjedhimisht edhe të Hezbollahut sepse janë faktori më destabilizues dhe më i rrezikshëm”, ka theksuar ai. 

 


Koci: Është marrë vendim, do të ketë një luftë të madhe mes Izraelit e Iranit

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se do të ketë një luftë shumë të madhe mes Izraelit dhe Iranit. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Koci ka thënë se nuk do të ketë ndërhyrje tokësore, por do të ketë luftë raketore.

Ai ka shtuar se synimi i Izraelit dhe SHBA-së nuk është pushtimi i Iranit, por ndryshimi i regjimit. 

“Do të ballafaqohemi me një luftë shumë të madhe. Mendoj se është marrë vendim këto ditë, kemi të bëjmë me sulmin para një viti, atëherë Izraeli kërkoi që të goditej Irani, më 7 tetor të vitit të kaluar, amerikanët nuk u pajtuan për shkak të luftës në Ukrainë. Por, këtë vit Irani është shndërruar në furnizuesin më të madh të Rusisë me armatime nga më të ndryshmet, madje e kalon edhe sasinë e armëve që Kina dhe Koreja e Veriut dërgojnë në Rusi. E furnizojnë sepse kanë sanksione dhe supozojnë se nuk mund të marrin goditje tjetër. Nuk e kanë pritur këtë që ka ndodhur dhe Netanyahu më në fund e ka pëlqimin e SHBA-së, jo vetëm për të shkuar në luftë kundër Iranit, por do ta ketë SHBA-në bashkë me vete në atë luftë. Do të jetë ndërhyrje më e fuqishme. SHBA-ja do t’i asistojë, mbrëmë edhe forcat amerikane kanë marrë pjesë në goditjen e raketave iraniane. Nuk do të ketë luftë konvencionale, sepse Izraeli dhe Irani nuk kanë kufij të përbashkët. Lufta do të jetë me goditje raketore. Epërsia e Izraelit dhe e SHBA-së është aq e madhe në aspektin teknologjik, sa e kam përshtypjen që ajo luftë do të përfundojë shumë shpejt. Nuk do të pushtohet Irani, nuk e ka synim as Izraeli e as Shtetet e Bashkuara. Irani do të goditet në të gjitha segmentet deri në ndryshimin e regjimit”, ka thënë Koci. 

 


Gazetari që studion në Izrael tregon se si mbrohen banorët atje

Gazetari Lekë Rezniqi, i cili studion në Tel Aviv, ka treguar përjetimin e tij gjatë qëndrimit në Izrael në gjendje konflikti.   

Rezniqi, i cili është kthyer në Kosovë nga Izraeli dy javë më parë, ka thënë se qytetarët që jetojnë atje lajmërohen në rast rreziku përmes aplikacioneve në telefonat e tyre. Megjithatë, ka shtuar se aty ku vetë ka qëndruar ai, nuk ka ndodhur të jetë zonë në rrezik.

“Përmes aplikacionit në telefon që sugjerohen ta kenë qytetarët në Izrael, në bazë të hartës dhe në cilin regjion e ke lokacionin, atëherë jepen edhe paralajmërime. Sa kam qenë unë atje, jam kthyer në Kosovë para dy jave, nuk më ka ardhur asnjëherë paralajmërimi sepse kam qenë në zonë ku nuk është lansuar ndonjë raketë. Por, mbrëmë ka qenë pikërisht kjo zonë që ka qenë nën alarm”, ka thënë ai në “Konfront”.

Rezniqi është shprehur se qytetarët në Izrael janë të vetëdijshëm për situatën dhe janë të gatshëm për hapat që duhet të ndërmarrin në rast të ndonjë sulmi.  

“Atje situata është ashtu që vetë je më i vëmendshëm, je vetë në alarm. Po mbushet një vit kur ka filluar përgjigja e Izraelit nga sulmi i 7 tetorit dhe si atmosferë është e tillë, kështu që vazhdimisht njerëzit janë në alarm dhe strehimoret janë gjithmonë të hapura dhe sugjerohet gjithmonë që të lihet një çantë gati me gjëra për situata emergjente”.