Arbëri

Shtrohet nevoja për pajisje të rënda e armatim të sofistikuar për FSK-në

Më 28 Nëntor është vlerësuar si asnjëherë më parë nevoja për ta bërë FSK-në me pajisje ushtarake më të rënda dhe me armatim më të sofistikuar. Njohësit e sigurisë thanë se duhet më shumë buxhet, në mënyrë që ushtria ta përballojë çfarëdo kërcënimi

Forca e Sigurisë është institucioni që Kosova i ka dhënë mandat për t’ia mbrojtur territorin.

Në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor, është vlerësuar si asnjëherë më parë nevoja për ta bërë atë me pajisje ushtarake më të rënda dhe me armatim më të sofistikuar.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka bërë thirrje për të ndarë më shumë buxhet, krahas shtimit të rekrutëve.

“1400 pjesëtarë të rinj kur e llogaritë veshmbathjet, trajnimet, akomodimet, pajisjet individuale, armët personale shumë pak apo fare hiç nuk mbesin për projekte kapitale siç janë: blerja e armatimeve të më të rënda, pajisjeve të tjera që nevojiten bazuar në planin zhvillimor 10-vjeçar që është miratuar në vitin 2014, për këtë arsye mendoj se ish dashtë që për Policinë dhe për Ushtrinë të jetë prioritet viti 2024 bazuar në rreziqet bazuar në sigurinë që ne po ballafaqohemi”, ka thënë Kastrati.

Kosova është përballur sivjet me agresionin e një grupi paraushtarak serb, gjatë të cilit një polic u vra, por edhe tre nga anëtarët e grupit. Ndërkaq, ndërkombëtarët kanë shprehur drojën se rajoni është i kërcënuar nga një konflikt i ri, që Rusia synon ta ndezë nëpërmjet Serbisë.

Kastrati ka thënë se bazuar në informata, grupe të tjera të serbëve po përgatiten për sulme të ngjashme si ai i 24 shtatorit në Banjskë.

“Rreth 2 mijë veta janë duke u përgatitur, janë të armatosur, këtu e shoh rrezikun më të madh. Ushtria ka mision dhe detyra të tjera nëse sulmohet nga jashtë. Detyrë parësore e ka mbrojtjen e sovranitetit” ka shtuar Kastrati.

E njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se, për këtë arsye, edhe Ushtria e Kosovës duhet përgatitur shumë më shumë.

“Kjo vjen për arsye të rreziqeve, kërcënimeve të reja pas luftës në Ukrainë ku të gjitha shtetet, sidomos vendet e NATO-së, kanë filluar në mënyrë të konsiderueshëm të pajisen dhe të armatosen. Fatkeqësisht edhe një vend fqinjë i joni, Serbia, duke luajtur në kartën e neutralitetit po vazhdon të armatoset nga shumë burime”, ka thënë Ibishi.

E zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv”, të hënën mbrëma, është shprehur se armët që po blihen janë të standardeve të NATO-s.

“Ne kemi blerë armatim që është adekuat për ngritjen e kapaciteteve dhe gjithnjë duke shkuar në koordinim të plotë, me NATO-n, me shtetet partnere dhe njëkohësisht me shtetet e NATO-s, që janë armatim standard i ushtrisë së NATO-s”, ka deklaruar Syla.

Të hënën është shënuar Dita e Forcës së Sigurisë, gjatë së cilës udhëheqësit e shtetit u zotuan se do të krijojnë kushte më të mira për ushtrinë dhe Policinë e Kosovës.