Është rritur prezenca e trupave të KFOR-it në pikën kufitare në Jarinjë.
Në një përgjigje për KOHËN, nga KFOR-i kanë thënë se shtimi i trupave në këtë zonë është bërë për t’u “monitoruar situata”.
Numër i shtuar i forcave të KFOR-it është parë edhe në Mitrovicën e Veriut, gjë që është konfirmuar dy ditë më parë, nga ky mision i NATO-s në Kosovë.
KFOR-i të dielën përmes një komunikate për media njoftoi se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe “konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”.
Njoftimi për këto stërvitje ndodhi në kohën kur autoritetet e Kosovës janë duke bërë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimin se ka sulmuar zyrtarë policorë dhe ata të KQZ-së.