Me vjet të tërë duhet të presin ish-të burgosurit politikë gjatë regjimit serb për të përfituar kompensimin financiar, i cili u garantohet me ligj. I tillë është rasti i 64-vjeçarit Xhevdet Dërguti nga Rahoveci, i cili ka 6 vjet që mundohet t’i sigurojë paratë që i takojnë, e të cilat thotë se i nevojiten për shërim. Komisioni qeveritar për këtë çështje thotë se vonesat në kompensim janë shkak i mosvazhdimit të mandatit të komisionit nga Qeveria paraprake.
Dy vjet të jetës së tij, Xhevdet Dërguti i ka kaluar në burg si i dënuar politik nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
64-vjecari nga Rahoveci, një nga të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, ka 6 vjet që kërkon kompensimin financiar që i takon për vuajtjet e përjetuara në tri burgje të ndryshme.
Por shteti akoma nuk ia ka mundësuar këtë të drejtë ligjore.
“Maltretimet i kemi pasur të mjaftueshme, rigoroze, sidomos në Lipjan sa kemi ndejtë para bombardimit. Aty veç çdo shujtë që kemi pasë me hangër bukë, ma së pari kemi pasë dajak me hangër, pastaj kemi hangër bukë dhe atë dy rriska të bukës të tosterit”, ka rrëfyer ai.
Dërguti thotë se paratë nuk iu kishin dhënë as kur ato i kishte kërkuar për t’u shëruar nga një problem shëndetësor.
“Aplikimin për këto mjete që e kam ba janë qe 6 vjet, me vërtetimin e mjekut, konkludimin që kam nevojë për operacion të prostatës, por deri sot nuk kam marrë kurrfarë përgjigje. Vetëm thoshin po i japim këto mjete vetëm për ata që janë të sëmurë prej kancerit, që duhen urgjent, përndryshe nuk japin. Thashë kur të bahna për me vdekë, atëherë nuk më duhen as ato mjete”, ka vazhduar ai.
Dërguti ka autorizuar avokatin e tij që të nisë procedura gjyqësore ndaj shtetit, nëse brenda javës së ardhshme nuk merr paratë që i takojnë.
Avokati Zahir Hamza, që përfaqëson edhe disa ish-të burgosur, thotë se nuk u jepet përparësi kategorive të caktuara ashtu siç kërkon ligji.
“Në këtë rast mendoj që ka shkelje pasi kemi kandidat të cilët janë kompensuar të cilët nuk kanë nevojë për kompensim, kanë ekonomi të jashtëzakonshme, biznese të cilët kompensohen. Në këtë rast nuk i ipet përparësi ish të burgosurve politik të cilët kanë raste sociale, sëmundje kronike”, ka deklaruar Hamza.
Pretendimet e avokatit Hamza i mohon sekretari i Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish-të dënuarve politikë dhe ish-të përndjekurve politikë, Shefik Sadiku.
Ai thotë se vonesat janë shkaktuar për shkak të mosvazhdimit të mandatit të komisionit prej muajit shkurt nga Qeveria e kaluar.
“Kjo është pengesa prej 21 shkurtit sepse në shkurt të këtij viti e kemi bërë një pagesë me 1 milion e 367 mijë euro, me 128 ish të dënuar. Prandaj mund të mos jetë Xhevdeti këtu por kur të fillojë punën komisioni, në mënyrë automatike e gëzon këtë të drejtë ndër të parët që i procedohet lënda”, ka thënë Sadiku.
Sadiku shton se po presin përgjigje nga Qeveria Kurti në kërkesën për vazhdimin e mandatit të komisionit.
Pas mandatimit, komisioni thotë se 200 lëndë janë të gatshme të procedohen për kryerjen e kompensimit. Sipas komisionit, deri më tani janë kompensuar rreth 3 mijë e 400 ish-të dënuar politikë, kurse mbi 7 mijë aplikime presin të shqyrtohen.
Ligji për të Drejtat e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë është në fuqi që nga viti 2010. Për një ditë të kaluar në qeli ish-të burgosurit kompensohen me rreth 17 euro.