Jeta pas daljes nga strehimorja shihet edhe më tutje si sfida më e madhe për viktimat e dhunës në familje. Përveç mungesës së ndihmës institucionale, gratë që përjetojnë dhunë e gjejnë vendbanim në strehimore, përballen edhe me paragjykime
Mbi 20 raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm në javën e fundit, sipas raporteve 24-orëshe të Policisë së Kosovës. Prej këtyre, në shumicën e rasteve viktima janë gratë.
Teksa rastet e dhunës në familje shënojnë rritje, gratë të cilat vendosin ta paraqesin rastin në institucionet përgjegjëse ballafaqohen me një varg sfidash më pas.
Psikologu Ilir Havolli ka thënë se trajtimi psikologjik për to, si hap kryesor për integrimin në shoqëri, do duhej të ishte prioritet i shtetit.
“Trajtimi psikologjik i tyre është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për faktin që këto përpos përjetimit të tyre, traumave fizike dhe psikologjike, këto pësojnë edhe ulje të vetëbesimit dhe vetëvlerësimit të tyre dhe momentin kur pësohet kjo ulje, atëherë këta individë fillojnë e largohen nga shoqëria dhe rrethi”, ka thënë Havolli. Sipas tij, edukimi i hershëm është një ndër pikat ku duhet të fokusohen të gjitha institucionet.
Sipas psikologut, rritja e rasteve të dhunës në familje është tregues i qartë se institucionet janë duke e neglizhuar këtë çështje.
Strehë vetëm për gjashtë muaj
Në Kosovë janë mbi pesë strehimore, në komuna të ndryshme për viktimat e dhunës. Gratë strehimin aty e gjejnë për vetëm gjashtë muaj, por që sfidë mbetet dalja nga aty, pasi që shteti ende nuk ofron ndonjë ndihmë të posaçme për këtë kategori.
Gjatë bisedave me përfaqësues të strehimoreve, është thënë vazhdimisht se kjo është arsye që gratë shpesh kthehen te dhunuesit.
Sipas ish-avokatit të popullit, Hilmi Jashari, edhe strehimoret përballen me probleme të shumta, kryesisht për mungesë të financimit.
Ai ka thënë se Kosova ka shumë ligje për këtë çështje, por asnjëri nuk ka gjetur zbatim.
“Komplet sistemi ligjor që e rregullon fushën sociale dhe skemën sociale është i shumtë në numër, janë diku 24 ligje që e trajtojnë këtë sferë, dhe është goxha kompleks. Sepse asnjëherë nuk është bërë asnjë kodifikim i gjithmbarshëm i këtij legjislacioni për t’i përmbledhur këto në një dokument të vetëm ligjor dhe për të qenë ai edhe i qasshëm për qytetarët, edhe lehtë i zbatueshëm për institucionet. Kështu kjo ka krijuar një situatë të papërgjegjshmërisë dhe mungesë të llogaridhënies së institucioneve sa i përket zbatimit dhe e kanë pësuar më së shumti ata që kanë nevojë”, ka thënë Jashari.
Paragjykimi si sfidë e radhës
Mes problemeve të shumta për mbijetesë, gratë që paraqesin dhunën e shkojnë në strehimore, paragjykohen në shoqëri. Sipas, sociologut Jeton Brajshori, situata në Kosovë për këtë kategori nuk ka ndryshuar aspak ndër vite.
“Ajo se çka na pengon neve më së shumti si shoqëri dhe sociologë është stigmatizimi dhe diskriminimi që u bëhet personave që dalin nga strehimorja për arsye të mungesës së sensibilizimit të opinionit shoqëror sa u përket personave të cilët kanë përjetuar dhunë”, ka thënë ai. Është shprehur skeptik nëse situata do ndryshojë për të mirë, në vitet e ardhshme.
Ministria e Drejtësisë e Qeveria e Kosovës kanë zgjedhur një përgjigje të përbashkët për këtë çështje, ndonëse pyetjet nuk kanë qenë të njëjta për këto institucione. Këto dy institucione kanë thënë se adresimi i dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave është prioritet qeveritar, duke mos treguar se cilat janë mundësitë që ofron shteti për gratë që jetojnë në strehimore e nuk kanë ndonjë strehim tjetër.
“Synim është sigurimi i qëndrueshmërisë financiare përmes krijimit të linjës së veçantë buxhetore. Gjithashtu, reformimi i strehimoreve për të garantuar shërbime të cilat do t’i ndihmojnë të mbijetuarat të zhvillojnë aftësi që do t’i ndihmojnë të përfshihen në tregun e punës dhe të fuqizohen financiarisht”, thuhet në përgjigjen e këtyre dy institucioneve.
Në Kosovë të shpeshta kanë qenë edhe rastet që nuk e kanë gjetur trajtimin e duhur nga institucionet e drejtësisë, duke përfunduar me fatalitet. Lirije Qerimaj, 48-vjeçare, u vra mesditën e 5 janarit, nga bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj, me të cilin kishte jetuar dy dekada. Kjo vrasje vuri në pah edhe njëherë neglizhencën e institucioneve të drejtësisë. Lirija e kishte denoncuar disa herë bashkëshortin e saj për dhunë në familje, por nuk ishte marrë seriozisht nga institucionet. Madje e ndjera kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje, gjë që iu ofrua në ditën e vrasjes. Prej janarit të këtij viti e deri në mars janë raportuar 697 raste të dhunës në familje, nga to 581 viktima kanë qenë gra.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.