Edhe pse buxheti i ndarë për Listën Esenciale të barnave konsiderohet më i larti ndër vite, pacientët përballen vazhdimisht me mungesë të tyre. Kur furnizimi nuk është i qëndrueshëm në Barnatoren Qendrore në SHSKUK-së, pacientët detyrohen t’i sigurojnë edhe ato që kanë kosto tejet të lartë. E pavarësisht kësaj, institucionet nuk i rimbursojnë pacientët
“Pembrolizumab” është medikament që përdoret për trajtimin e disa llojeve të kacerit përmes metodës së imunoterapisë.
Ky produkt që hyn në kategorinë e barnave me kosto të lartë të blerjes ka munguar gjatë muajve maj e qershor në Klinikën e Onkologjisë.
Ndonëse një kontratë për furnizimin me këtë terapi është nënshkruar më 15 maj, në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) bënë të ditur se furnizimi ka nisur tek të mërkurën e javës së shkuar.
“Sot është furnizuar Barnatorja Qendrore me produktin Pembrolizumab dhe menjëherë produkti në fjalë është dërguar në Barnatoren e Klinikës së Onkologjisë”, thuhet në përgjigjen që QKUK-ja ia ka përcjellë KOHËS.
Pacientë me të cilët ka biseduar KOHA kanë treguar se e kanë blerë jashtë vendit këtë terapi biologjike, me çmim mbi 2,500 euro.
Në QKUK nuk ofruan përgjigje për arsyen e mungesës e as për mundësinë e rimbursimit të pacientëve që janë detyruar ta sigurojnë në mënyrë individuale terapinë që figuron në Listë Esenciale, pavarësisht kostos së lartë.
Ndonëse shteti e ka për obligim të përmbushë Listën e barnave esenciale, në rastet kur ato mungojnë në stoqet e Barnatores Qendrore, institucionet nuk i rimbursojnë pacientët.
Deri në vitin 2018 për barnat që mungonin, qytetarët janë rimbursuar përmes programit për trajtimin jashtë vendit, por kjo praktikë është ndaluar për shkak të keqpërdorimeve.
Drejtoresha e Barnatores Qendrore, Dardane Mehaj, ka thënë se në SHSKUK nuk ekziston një praktikë e rimbursimit.
Por, ajo ka përmendur disa situata kur thotë se në mungesë të furnizimi të qëndrueshëm janë munduar t’iu bëjnë zgjidhje pacientëve.
“Ne kemi bërë përpjekje sidomos në raste specifike, në rastet kur jemi mundu të paktën me ua zbutë atë gjendjen e rënduar duke kërkuar edhe donacion pavarësisht shumave, kemi pasur raste që kompanitë janë përgjigjë. Domethënë, edhe e kanë blerë në tregun privat për të na furnizuar neve ose pacientët tanë”, ka thënë Mehaj.
Për mundësitë e rimbursimit të pacientëve kur barnat nga Lista Esenciale mungojnë, KOHA ka pyetur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por në këtë institucion ka një javë që nuk kanë ofruar përgjigje.
Në Shoqatën e Pacientëve thonë se ndonëse Lista Esenciale është dashur të përbëjë garanci për pacientët se do të furnizohen me ilaçe sa herë që paraqitet nevoja, përmbushja e saj është larg nivelit të dëshirueshëm.
“Në momentin kur institucionet dështojnë në përmbushjen e këtij obligimi, gjithsesi se pacientët duhet të kompensohen për atë bari që e kanë blerë. Sepse i bjen që ata e paguajnë dyfish. Fillimisht të paguajnë për taksat dhe tani duhet t’i blejnë barnat sepse shteti nuk ka qenë mjaftueshëm i përgjegjshëm për të siguruar ato barna”, ka thënë Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës së Pacientëve.
Edhe pse buxheti i ndarë për Listën Esenciale të barnave konsiderohet më i larti ndër vite, pacientët përballen vazhdimisht me mungesë të tyre.