Shteti ka paguar 66 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë ku e kishte selinë AAK-ja, në bodrumin, katin e dytë dhe koridoret e objektit. Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë
(E përditësuar në 22:36) - KOHA vazhdon të sigurojë informacione dhe dëshmi nga burimet e veta që rikonfirmojnë raportimin se edhe hapësirat e bodrumit, përveç zyrave të AAK-së, kanë qenë të pastruara.
Këto xhirime tregojnë se u pastruan shkallët dhe hapësirat në bodrum, ndonëse së fundmi për to nuk kishte kontratë shfrytëzimi AAK-ja.
Për heqjen e inventarit të secilës nga hapësirat, Ministria e Bujqësisë pagoi nga 2000 euro.
Shteti pagoi 66 mijë euro për t'i heqë mobiliet nga ndërtesa ku e kishte selinë AAK-ja
66 mijë euro të buxhetit të shtetit i janë dhënë një konsorciumi, për ta larguar inventarin nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, ku për vite e pati selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ministria pagoi nga 2 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës, përfshirë salla, korridore e banja të katit të dytë, por edhe nga bodrumi.
Shuma e njëjtë u dha edhe për tualete që nuk kanë inventarë, e krahas kësaj, për secilën nga to u pagua edhe për demolimin e elementeve sanitare. Vetëm për njërën nga to u paguan 1 mijë e 500 euro.
Për këto shërbime dhe rinovimin e më pak se 600 metrave katrorë, Ministria e Bujqësisë i ka shpenzuar 370 mijë euro.
Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë, dhe nuk iu përgjigjën pyetjes se si është e mundur që te specifikat teknike në dosjen e tenderit, vendosën çmime të njëjta për 33 hapësira, që për nga madhësia kanë dallime të mëdha njëra me tjetrën.
Në mungesë të saktësimit, në versionin paraprak të raportit KOHA publikoi të dhënën se paratë u dhanë ndonëse AAK-ja i la zyrat bosh, gjë kjo e dëshmuar edhe në një video.
Por, pas raportimit, u bë e ditur se hapësirat i përkasin pjesëve që AAK-ja nuk i kishte në shfrytëzim me kontratën e fundit, por i kishte shfrytëzuar vite më herët.
KOHËS i janë prezantuar dëshmi që tregojnë se para se AAK-ja të dilte nga selia, ka hequr orenditë edhe në një pjesë të bodrumit dhe katit sipër.
Ministria arsyetoi disa dallime të tjera në çmime, dhe u justifikua se pati vetëm një pjesëmarrës në tender.
“Gjatë implementimit të kontratës, këto dallime janë evidentuar nga menaxheri i kontratës dhe janë zbatuar në përputhje me ofertën e tenderit. Për më tepër, nuk ka pasur aspekte të diskriminimit, pasi operatori në fjalë ka qenë i vetmi pjesëmarrës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Kontrata në vlerë 359 mijë euro është lidhur me konsorciumin e përbërë nga kompanitë “Limit Projekt” dhe “Lurn”. Asaj i është bashkëngjitur edhe një anekskontratë në vlerë rreth 9 mijë euro të tjera. Pronarë të “Limit Projekt” janë Faton Ramadani dhe Lulzim Zaraj, ndërsa i asaj “Lurn” - Albana Shabanaj.
Në kompaninë “Limit Project” thanë se inxhinierët i kanë vendosur çmimet e njëjta për secilën hapësirë që lidhet me largimin e inventarit.
“Te përsëritja e çmimeve, kështu e ka vlerësuar inxhinieri, i cili ka plotësuar çmimet dhe nuk ka pasur vizitë në terren”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
E, pa hyrë në çështjen që lidhet me pagesën e bërë për heqjen e inventarit, një arkitekt e vlerësoi si jashtëzakonisht të lartë vlerën e gjithë kontratës, që përfshin edhe rinovimin.
“Shuma prej 350.000€ për rinovimin e një objekti 600 m² rezulton në rreth 583€/m², një kosto që tejkalon ndjeshëm mesataren e tregut për rinovime të ngjashme. Në bazë të standardeve të ndërtimit dhe çmimeve të tregut, një rinovim cilësor për këtë lloj ndërtese duhet të llogaritet në 100.000€ – 150.000€ (pra 166€ – 250€/m²), varësisht nga materialet dhe specifikimet teknike. Mungesa e një shpjegimi të detajuar përse çmimi është kaq i lartë sugjeron se ka mbivlerësime ose kosto të pajustifikuara në kontratë”, ka thënë ai.
Derisa stafi të bartet në objektin e rinovuar, Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të paguajë nga 27 mijë e 300 euro në muaj për objektin me qira që shfrytëzohet nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, pronë e kompanisë “A2 GROUP”, për çka ka kontratë valide deri në gusht të këtij viti.
Shumën e njëjtë do ta paguajë edhe për pjesën ku është i vendosur stafi i Ministrisë së Bujqësisë.
KOHA kishte raportuar disa herë për objektin që e shfrytëzonte AAK-ja e që ishte e Institutit Bujqësor të Kosovës, i cili funksionon nën kupolën e Ministrisë. Ajo ka bodrumin, katin përdhes dhe dy kate të tjera, me një hapësirë prej rreth 1 mijë metrash katrorë.
Për këtë, AAK-ja paguante një qira simbolike, 2.5 euro për metër katror. Kësisoj, kontrata me këtë institucion ishte 2.450 euro për muaj.
Ndërkaq, Ministria paguan më shumë se shtatë fish më shtrenjtë për qiranë ku e ka dislokuar këtë vit stafin.
Qiraja që nga shtatori i 2019-s Ministria paguan për metër katror është 18 euro, ndërsa në 2022 ai ishte zbritur për 0.50 euro, përkatësisht në 17.50 euro për metër katror.