Arbëri

Shteti nuk kërkon dëmshpërblim për projektin milionësh e jofunksional

Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk kanë qasje në platformën digjitale “E-edukimi” e cila buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 5.6 milionë euro. Në kontratën e nënshkruar para dhjetë vjetësh theksohet se të drejtat autoriale i takojnë shtetit të Kosovës. Aty përfshihet edhe dëmshpërblimi, por një kërkesë e tillë nuk është bërë ende nga Ministria për të shpëtuar buxhetin e shtetit

Kontrata e nënshkruar para 10 vjetësh mes Ministrisë së Arsimit dhe kompanisë austriake “Bit media e-Learning Solution GMBH & CO KG” për digjitalizimin e arsimit parasheh se të drejtat autoriale mbi platformën “E-edukimi” i takojnë shtetit të Kosovës.

Në kontratën, të cilën KOHA e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, theksohet se Ministria ka qasje dhe të drejtë të modifikimit mbi platformën digjitale.

“Autoriteti kontraktues do të mbajë të gjitha të drejtat autoriale dhe të pronës intelektuale mbi softuerin dhe kodet e ndërlidhura, dokumentacionin, specifikacionet dhe të gjitha materialet e tjera që përgatiten dhe liferohen sipas kësaj kontrate, përveç në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje tjetër në Shtojcën 12.  Këto të drejta përfshijnë të drejtën e modifikimit dhe delegimit”, shkruan në kontratë.

Por në Ministri të Arsimit kanë thënë se nuk kanë qasje në këtë platformë.

“Duke e pasur të pamundur të qasemi në këtë sistem jofunksional të zhvilluar në vitet 2013-2017 dhe duke pasur parasysh koston e lartë prej 5,6 milionë eurosh, për çka do të paguhet kredi deri në vitin 2032, me të marrë detyrën, kemi kërkuar auditim të këtij projekti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

E përgjegjësit në kompaninë austriake kanë thënë të kundërtën.

“Ne supozojmë se Ministria ende përdor sistemet dhe pajisjet dhe si të tilla ka ende të gjithë aksesin në to. I gjithë sistemi ishte i instaluar në ASHI, prandaj nuk mund të besojmë që sistemi është zhdukur. Serverët duhet të jenë aty. Megjithatë, me kërkesë formale të Ministrisë së Arsimit ne kemi humbur të drejtën e qasjes për mirëmbajtjen e sistemit”, ka thënë Stefan Düss, drejtor menaxhues i kompanisë.

Qeveria në vitin 2013 ka negociuar marrëveshjen për kredi të butë, përmes bankës austriake UniCredit Bank Austria dhe Qeverisë austriake si garantuese, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më 30 shtator 2032 në një vlerë totale prej 5,637,519 eurosh.

Bashkëpunimi me kompaninë austriake ka qenë i paraparë të vazhdohet deri më 2017. Qëllimi i projektit ka qenë të krijohej sistemi me dy module, për komponentin e mësimit elektronik dhe komponentin e digjitalizimit të provimit të maturës, si dhe serverët për vendosjen e sistemit të zhvilluar.

Kjo platformë për të cilën shteti do të paguajë nuk do të përdoret nga Ministria e Arsimit. Nga ky institucion kanë thënë se është duke u punuar një platformë të re.

“Duke i ditur zhvillimet e teknologjive dhe sistemeve nga ajo periudhë dhe mospërditësimin kronologjik të bazuar në kërkesa të sistemit arsimor, ky sistem konsiderohet jofunksional dhe nuk i përmbush objektivat e digjitalizimit në arsim”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Për mospërmbushjen e obligimeve në kontratë parashihet edhe kërkesa për dëmshpërblim. Ministria e Arsimit ka pasur mundësi që të vendosë ndëshkime ditore për mospërmbushjen e obligimeve. Gjoba përfshin 0.01 për qind të çmimit të kontratës. E në rast se shërbimet vazhdojnë të mos ofrohen, Ministria ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim.

“Autoriteti Kontraktues ka të drejtë dëmshpërblimi në rast të shkeljes së dispozitave të neneve të mësipërme. Në rast të dëmeve të tilla do të zbatohen nivelet vijuese të kufizimit të përgjegjësisë: Përveç nëse rregullohet ndryshe me nenin 12, dëmet maksimale zakonisht kufizohen në vlerën e barabartë me 10 për qind të çmimit të kontratës”, shkruan në nenin 15, pika 20 të kontratës.

Pushtetet e kaluara nuk kanë bërë kërkesë për dëmshpërblim. Edhe në Ministrinë aktuale nuk e kanë përmendur se kanë bërë kërkesë për dëmshpërblim.

“Siç kemi thënë, si MASHTI, të gjitha gjetjet lidhur me këtë projekt do të adresohen në organet kompetente për hetim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

E, në kompaninë austriake nuk e pranojnë se sistemi nuk ka funksionuar.

“Ne e dimë se platforma ka qenë aktive dhe është përdorur në mënyrë aktive nga më shumë se 70.000 nxënës kosovarë dhe disa mijëra mësimdhënës kosovarë deri në fund të vitit 2018. Duke qenë se nuk kemi asnjë të drejtë qasjeje në sistem që nga fundi i vitit 2018, nuk kemi informata për numrat aktualë”, ka thënë Stefan Düss, drejtor menaxhues i kompanisë.

Për këtë projekt, të cilën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ishte mbikëqyrëse për një periudhë, është hapur tender në vitin 2022 për angazhimin e dy ekspertëve për auditim. Por i njëjti ishte anuluar me arsyetimin se kanë aplikuar kompanitë dhe jo individët.

E dy vjet më vonë, Zyra Kombëtare e Auditorit ka nxjerr një raport të performancës së projektit. Në raportin e publikuar në prill të këtij viti, është thënë se sistemi i zhvilluar nuk ka arritur të zbatohet në shkolla për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme dhe qasjes në rrjet për përdoruesit.

“Ky projekt i financiar plotësisht nga huamarrja është realizuar pa planifikim paraprak i cili është përcjell me mangësi gjatë zhvillimit që kanë ndikuar në mos arritjen e qëllimit dhe përmbushjes së misionit të organizatës”, thuhet në raport.

Prej vitit 2014 deri në vitin 2023 për këtë projekt, Qeveria e Kosovës ka paguar vlerën prej 740,945 eurosh në emër të kryegjësë, interesit dhe tarifave sipas marrëveshjes.

Digjitalizimi i arsimit është pjesë e objektivave të “Strategjisë së Arsimit 2022-2026”, e cila është udhërrëfyes për ngritjen e cilësisë në sektorin e edukimit. Deri tash Ministria e Arsimit nuk ka arritur të zhvillojë një platformë unifikuese për të gjitha shkollat.