Pacientët në Kosovë kanë mbetur viktimë e procesit që ka për synim nivelimin e çmimit të barnave në treg. Ligji për çmimet e produkteve medicinale që hyri në fuqi në muajin shkurt nuk ka nisur të zbatohet plotësisht. E në treg ka nisur të vërehet mungesa e një sërë ilaçesh. Mungojnë edhe ato më baziket. Pacientët kanë mbetur pa zgjidhje, e kompanitë farmaceutike refuzojnë t’i furnizojnë barnatoret me produkte pasi thonë që Ministria e Shëndetësisë ka caktuar marzhë të ulët të fitimit. Ministria nuk ka reaguar ndaj kësaj situate
Ministria e Shëndetësisë ka lënë pacientët në mëshirën e kompanive farmaceutike.
Ose duhet t’i blejnë ilaçet sipas çmimeve që i përcaktojnë këto kompani, ose nuk mund t’i blejnë fare.
Lista e çmimeve të produkteve medicinale që ka hyrë në fuqi para dy muajsh ka shkaktuar pakënaqësi te Distributorët e Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale deri në atë masë sa refuzojnë t’i furnizojnë barnatoret me produkte. Përveç shumë ilaçeve të tjera, nëpër barnatore mungojnë ato më baziket – tretjet fiziologjike, si NaCl ashtu edhe Glukoza.
Përfaqësues të distributorëve farmaceutikë thonë që Ministria e Shëndetësisë ka caktuar marzhë shumë të ulët të fitimit, e ata të Ministrisë ka një javë që kanë shpërfillur pyetjet se si do të mbrohen pacientët nga kjo situatë.
Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale përmban 3011 produkte. Sipas shifrave të paraqitura aty, barnat me çmim nën 100 euro kanë marzhë fitimi për kompanitë rreth 25 për qind, e ato mbi këtë vlerë, rreth 10 për qind. Ndërkaq, çmimi me pakicë në barnatore rritet në shumicën e tyre edhe për rreth 10 për qind, përveç 110 produkteve të cilave nuk iu ndryshon.
Bari më i shtrenjtë aty, “Tafamidisi” që kushton 11 mijë e 558 euro e 80 centë ka marzhë fitimi për kompanitë 1 mijë e 155 euro e 88 centë, e për barnatore edhe 1 mijë e 17 euro. Ky ilaç nuk gjendet në barnatore e në Agjencinë e Barnave nuk treguan pse.
Ndërkaq, bari më i lirë, “Vitamine B6” që kushton 14 cent, ka marzhë fitimi 3 cent. Tani shitet 1.20 centë, ose dhjetë fish më shtrenjtë.
Medikamenti tjetër që deri më tani është shitur afër 67 për qind më shtrenjtë është ilaçi për kancer “Avastin” i 400 miligramëve. Çmimin me shumicë e ka 836 euro e 88 centë, e në rastet kur gjendet në treg pacientët e blejnë atë me çmim rreth 1 mijë e 400 euro. Ministria ia ka caktuar çmimin 994 euro e 21 centë. Marzha e fitimit për kompaninë është 83 euro e 69 centë, e për barnatoren 73 euro e 64 centë.
Një produkt tjetër ilustrues si hormoni i tiroides, “Euthyrox” në dozën 25 miligramë, tregon se ai shitet trefishi i vlerës së blerjes. Çmimin me shumicë e ka 52 centë, e pacientët e blejnë 1 euro e gjysmë. Ministria ia ka caktuar çmimin 70 centë. Aty përfshihet marzha për kompanitë 25 për qind dhe ajo për shitje me pakicë 10 për qind.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë treguar nëse e dinë që Lista nuk është duke u zbatuar. As për pakënaqësitë e distributorëve dhe as që pacientët janë bërë viktimë.
Ka gati që dy javë prej kur KOHA ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë nëse janë identifikuar kompanitë farmaceutike që kanë ndërprerë furnizimin me barna duke lënë qytetarët pa produkte bazike dhe nëse Ministria do të ndërmerr ndonjë masë ndëshkuese ndaj tyre, por në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje.
Shoqata e Distributorëve Farmaceutik ka shprehur pakënaqësi me marzhën. Sipas saj, ajo është 7.5 për qind.
“Marzhat kanë variuar prej 15-30% varësisht nga çmimi i barit. Për barnat me çmime më të ulëta, marzha ka qenë më e lartë dhe për barnat me çmime më të larta furnizimi, marzha ka qenë më e ulët. Kurse tani, me ligjin për përcaktimin e çmimit të barnave me shumicë dhe pakicë, marzha për distributor (për çmimet mesatare nga vendet referente ku marzha në këto vende varion prej 9-13%) në Kosovë është përcaktuar jo më shumë se 7.5% bruto”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kësaj Shoqate. “Paradoksi dhe absurdi në këtë rast është që vetë shteti në momentin e importit të barnave e vjelë TVSH-në prej 8% neto, kurse importuesve/distributoreve i është përcaktuar marzha 7.5% bruto. Kjo marzhë nuk mbulon as kostot bazike për të mundësuar regjistrimin dhe vendosjen e produkteve në treg. Si rrjedhojë ka mungesë të produkteve në treg pasi që nuk mund të furnizohen me çmime nën kosto sipas çmimeve të miratuara nga MSH-ja”
Një vit e gjysmë i janë dashur Ministrisë së Shëndetësisë që ta bëjë Listën finale zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale si obligim që derivon nga Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale i miratuar në Kuvendin e Kosovës në korrik të 2023. Ligji ka për qëllim të sigurojë kosto të përballueshme të produkteve medicinale për qytetarët, duke përcaktuar dhe nivelizuar çmimet e tyre në treg.
Lista e parë e çmimeve të produkteve mjekësore, e cila u publikua më 15 maj 2024, u anulua gati një muaj më vonë, më 7 qershor 2024, pas një sërë ankesash e parregullsish të vërejtura gjatë deklarimit të çmimeve.
KOHA pati raportuar se në atë kohë një pjesë e madhe e kompanive farmaceutike i kanë paraqitur rrejshëm çmimet. Barnave që kanë hyrë në Kosovë, ato ua kanë prezantuar çmimet shumë më të larta sesa realet.
E lista që hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti u publikua nga Ministria më 23 dhjetor 2024.
Brenda kësaj periudhe distributorët farmaceutikë, që janë rreth 141 në Kosovë, kanë kundërshtuar mënyrën se si Ministria synon të rregullojë çmimet e barnave. Përmes disa reagimeve publike ato kanë deklaruar se procedura e përpilimit të kësaj liste është në kundërshtim me vetë ligjin.
Megjithatë, veprimtaria e shitjes dhe blerjes së barnave rregullohet dhe menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë që është institucion që me Ligjin për Shëndetësi obligohet të ndërmarrë masa për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në kujdesin shëndetësor. Si barnatoret ashtu edhe kompanitë farmaceutike, duhet të licencohen nga Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, që është organ i pavarur ekzekutiv i Ministrisë së Shëndetësisë.
Përcaktimi i çmimeve të barnave bëhet duke u bazuar në Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili e parasheh që bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme, të vendeve siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe vendi i origjinës së produktit.
E në Shoqatën e Distributorëve Farmaceutikë pretendojnë se Ministria ka bërë shkelje duke mos marrë për bazë çmimet referente te vendet e regjionit.