Arbëri

Shtetet perëndimore bashkëpunuan në hetimin për shtetasit kosovarë për krime kundër njerëzimit

Murat Dernjani i akuzuar për krime kundër njerëzimit, përfshirë dhunën seksuale e skllavërimin e grave të komunitetit jazid, nuk e ka pranuar fajësinë. Deri te kjo aktakuzë, siç ka mësuar KOHA, Prokuroria Speciale arriti pasi viktimat që jetojnë në shtete evropiane kanë dëshmuar në distancë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Organet e drejtësisë së shteteve perëndimore kanë qenë të përfshira në hetimin në ngritjen e aktakuzës ndaj Murat Dernjanit, ish-pjesëtar i organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), i akuzuar prej Prokurorisë Speciale për krime kundër njerëzimit ndaj vajzave të komunitetit jazid në Siri dhe Irak.
Këto dy shtete nuk e njohin Kosovën.

Megjithatë, burimet e KOHËS në institucionet e drejtësisë bëjnë të ditur se autoritetet e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë, si dhe Gjermanisë kanë bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale lidhur me rastin meqë të mbijetuarat e dhunës seksuale jetojnë në këto shtete.

Të mbijetuarat, siç thonë burimet e KOHËS, kanë dhënë dëshmi në prokurori dhe potencialisht do të japin dëshmi në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes videolidhjeve në proces gjyqësor. 

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë e kanë konfirmuar se të hënën e kaluar është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin.

“Më datën 29.04.2024, në ora 09:30, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurit M.D. Seanca në këtë çështje penale është mbajtur e mbyllur për publikun në bazë të nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale. I pandehuri M.D. nuk e ka pranuar fajësinë dhe konform rregullave të Kodit të procedurës penale është udhëzuar mbrojtësi dhe i pandehuri për kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kërkesën e kundërshtimit të provave, në afat prej 30 ditësh. Në këtë çështje penale janë të propozuar të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve, pesë të dëmtuara/ viktima”.
Prokuroria Speciale po e akuzon Murat Dernjanin për dhunë seksuale dhe skllavëri gjatë periudhës 2014-2017, e sipas aktakuzës pjesa më e madhe e të mbijetuarave të propozuara si dëshmitare kanë qenë të mitura në kohën ku pretendohet se janë kryer veprat penale.

Prokuroria Speciale i ka ngritur aktakuzë Murat Dernjanit edhe më herët. Ai e pati pranuar fajësinë për pjesëmarrje në grup terrorist.

Demjani u ishte dorëzuar autoriteteve turke në gusht të 2017-s, pasi kishte dalë nga territori nën kontroll të ISIS-it, siç kishte njoftuar prokuroria me lejen e eprorëve të ISIS-it. Mediat gjermane patën raportuar se ai është nga qyteza Dinslaken në lindje të Gjermanisë.

Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Antiterrorizëm në Hagë (ICCT), deri më tani janë në total 85 raste në Evropë që ndërlidhen me krimet kundër grave të komunitetit jazid ku përfshihen aktakuza, arrestime, aktgjykime të formës së prerë e edhe lirim të të pandehurve.