Plani për hapjen e urës qendrore të Ibrit, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka prezantuar në takimin e 2 gushtit, është kundërshtuar edhe nga shtete të tjera të QUINT-it. Britania e Madhe dhe Gjermania e kanë përsëritur qëndrimin se mbesin prapa deklarimit që kishte bërë ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, menjëherë pas takimit me Kurtin, ku ishte shpalosur plani. Çështja e urës së Mitrovicës ka qenë temë diskutimi edhe në takimin mes ndihmëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s , Boris Ruge, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Plani për hapjen e urës, të cilin e përmendi së fundi kryeministri Albin Kurti, u ishte prezantuar përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të QUINT-it në takimin e mbajtur më 2 gusht.
Nga SHBA-ja shefi i ekzekutivit tha se autoritetet e Kosovës janë duke u koordinuar me ndërkombëtarët rreth planit për hapjen e urës.
Por burime të ndryshme i thanë KOHËS se nuk ka pasur dakordim rreth atij plani, i cili do të niste me testimet mbi urë që tashmë kanë përfunduar. Me këtë rast i ishte kërkuar kryeministrit që në rrethanat aktuale të mos e hapë urën për qarkullimin e automjeteve.
Mospajtimin me vendimin e Qeverisë për hapjen e urës e ka shfaqur menjëherë pas takimit ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara së bashku me të Zyrës së BE-së në Kosovë u takuam me kryeministrin Kurti sot për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, pati deklaruar Hovenier.
Në një deklarim për “Zërin e Amerikës” të martën, Kurti tha se autoritetet e Kosovës janë të interesuar që hapja e urës të bëhet në bazë të planit që kanë ndarë me partnerët e aleatët amerikanë e evropianë.
Pas BE-së që rikonfirmoi se nuk ndryshon qëndrim nga deklaratat e mëhershme duke kërkuar koordinim të veprimeve rreth urës, KOHA ka mësuar se edhe SHBA-ja mbetet në këtë linjë.
Njësoj janë deklaruar edhe në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, përmes një përgjigjeje me shkrim.
“Ju referoj përsëri në vërejtjet e bëra nga ambasadorët e QUIN-it pas takimit të tyre me kryeministrin Kurti më 2 gusht. Nuk kemi asnjë koment tjetër publik në këtë moment”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike.
Edhe në Ambasadën e Gjermanisë kërkuan që referencë të merret një deklaratë e ambasadorit Jorn Rohde, i cili ka kërkuar koordinim nga Qeveria e Kosovës për çështjen e urës.
Rohde i ka ofruar mbështetje të plotë zyrtarit të lartë të NATO-së, Boris Ruge, i cili një ditë më parë takoi presidenten Vjosa Osmani, ku temë diskutimi ishte edhe ura.
“Gjermania po kryen pjesën e saj në mbështetje të NATO-s – KFOR-it që nga fillimi i tij, duke kontribuuar në siguri dhe stabilitet në Republikën e Kosovës dhe të gjithë rajonin. Ky stabilitet i arritur nuk duhet të vihet në rrezik nga mungesa e dialogut apo veprime të pakoordinuara”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Pas Prishtinës, Boris Ruge ka qëndruar të martën në Beograd ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Një bashkëbisedim i mirë me presidentin Aleksandar Vuçiq për marrëdhëniet NATO-Serbi shpresojmë t’i shohim të thellohen. Po ashtu kemi diskutuar çështjet rajonale, përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO pret nga Serbia që të ndihmojë të sigurojë llogaridhënie të plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vitit 2023”, ka shkruar Ruge në platformën “X”, duke iu referuar sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan në maj 2023 dhe sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
E, Vuçiqi i është ankuar zyrtarit të lartë të NATO-s për gjendjen e serbëve në Kosovë.
“Shpreha shqetësimin e madh për tendencën që të komplikohet situata me gjithë përpjekjet e Beogradit për t’i kthyer çështjet e hapura në kornizën e dialogut. Gjithashtu theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve që Prishtina provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme, ka një ndikim të madh te populli serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën e tyre”, ka shkruar Vuçiq.
Ai ka shtuar se është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet diplomatike dhe të koordinohen me forcat e KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 dhe kompetencat që ato forca kanë si pjesë e mandatit të tyre “për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë, kthimin e Prishtinës në dialog dhe ajo të përmbushë të gjitha detyrimet, e mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Lidhur me zhvillimet rreth urës, në KFOR kanë thënë më herët se nuk do të hezitojnë të veprojnë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë në veri.