Në Prizren, ushtarët gjermanë po ngriheshin në qiell. Andej prej nga për 72 ditë me radhë u bombarduan forcat serbe e jugosllave për krimet e kryera kundër shqiptarëve të pafajshëm. Në Prishtinë, një burrë mahnit një ushtar britanik duke ia puthur çizmen. Paqeruajtësi ishte në gjendje gatishmërie në pozicion kur burri po e nderonte me këtë gjest të jashtëzakonshëm. Këto janë disa prej skenave që dokumentohen në xhirimet e agjencisë amerikane të lajmeve, AP, që dokumentojnë edhe historinë e vendosjes së paqeruajtësve të NATO-s në shtëpinë e Bylykbashëve në “Bregun e Diellit” më 12 qershor 1999
Gjithandej Kosovës, ushtarët e NATO-s u pritën si heronj të gjallë. Gjithsecili po mundohej t’ua demonstronte paqeruajtësve mirënjohjen në ditën e parë të lirisë.
Në Prizren, ushtarët gjermanë po ngriheshin në qiell. Andej prej nga për 72 ditë me radhë u bombarduan forcat serbe e jugosllave për krimet e kryera kundër shqiptarëve të pafajshëm.
Në Prishtinë, një burrë mahnit një ushtar britanik duke ia puthur çizmen. Paqeruajtësi ishte në gjendje gatishmërie në pozicion kur burri po e nderonte me këtë gjest të jashtëzakonshëm.
Këto janë disa prej skenave që dokumentohen në xhirimet e agjencisë amerikane të lajmeve, AP.
Çizmja e çlirimtarit
Ishte hera e parë kur çizmja e një ushtrie të huaj në Kosovë simbolizonte çlirimin. Madje, në emër të të drejtave të njeriut. Britanikët po nderoheshin edhe me atë që ne edhe i referohemi si çaj rusi.
Në xhirimin prej dy minutash e pesëmbëdhjetë sekondash nga Prishtina po pasqyrohej lindja e një dielli të ri për shqiptarët. 12 qershor 1999. Në “Bregun e Diellit”, paratrupat britanike, po vëzhgonin me sytë katër pas disa të shtënave me snajperë nga forcat e mposhtura të regjimit serb.
Deri atë ditë, uniformat ushtarake serbe ua kallnin frikën fëmijëve të lagjes. Krejt i ndryshëm ishte reagimi ndaj ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Tensionet ende ishin të larta, por shqiptarët nuk kish kush që i mbante brenda. Madje, menjëherë paqeruajtësve të KFOR-it ua lëshuan shtëpitë. Njëra prej tyre, ajo e vëllezërve Bylykbashi afër shkollës “Ismail Qemali” në kryeqytet.
“Vendësit po vazhdojnë të vijnë, me buqetat e luleve që kemi marrë, mund ta hapim lulishten tonë. Ata po na sjellin bukë, ushqim, ujë, çfarëdo që na duhet. Personi që kujdeset për këtë shtëpi, na tha se lirisht mund të bëni gjumin këtu kurdo që dëshirojmë dhe nga këtu t’i kryejmë patrullimet për aq kohë sa na duhet”, deklaronte paraushtaraku britanik për AP-në, para derës së Bylykbashëve. “Është mirë që ka ujë, madje ka edhe ujë të ngrohtë. Jemi larë e kemi bërë dush, edhe jemi rruar – madje qysh në natën e parë – dhe kjo na bën të ndihemi mirë”.
“Pëllumbat e Krishtit”
Zija Bylykbashi, njëri prej tre ish-pronarëve të kësaj shtëpie – tani pronë e familjes Krasniqi - teksa kthehet në pranverën e vitit 1999 tregon se si shtëpia ishte thyer e plaçkitur nga serbët. Vetëm pesë minuta u ishin dhënë afat banorëve të lagjes që të largoheshin nga shtëpitë. Në këmbë në kolonë u urdhëruan të shkonin në Stacionin e trenit të Prishtinës për të vazhduar drejt ferrit të Bllacës para se të kalonin në Maqedoni.
“Fati e solli që forcat e ushtarëve e NATO-s, të cilët… po e përdori një fjalë që pas ikjes sonë në Bllacë, Maqedoni që më në fund përfunduam në Gjermani, baca Pashkë, ky fqinji ynë përballë, i cili është kujdesur aq sa ka mundur dhe ne i jemi mirënjohës, na thirri e na tha se në shtëpinë tonë janë vendosur ushtarët britanikë. Tha kanë ardhur pëllumbat e Krishtit”, thekson Bylykbashi.
Britanikët ende ndodheshin në shtëpinë e Bylykbashëve kur fqinji Agron Dida u kthye nga Maqedonia disa ditë pas marshimit triumfues të NATO-s. Baba Sadat dhe nënë Nadirja, ndër mësueset e para në Kosovë, do t’u gatuanin paqeruajtësve britanikë specialitete shqiptare e të huaja.
“Edhe unë kam pasur rastin me iu afru e me bisedu me ta”, thekson fqinji Agron Dida, ish-profesor universitar. “Ka qenë gëzim i madh që kanë ardhur trupat britanike. Nëna ime menjëherë ka nisur me iu ba çaj, ëmbëlsina, do krofne. Iu ka dërguar si fëmijëve të tyre”.
Sot në këto shtëpi, dhjetëra vogëlushë hynë e dalin nëpër këto shtëpi të kthyera në çerdhe. Madje, hanë po në të njëjtat kuzhina e flenë po në të njëjtat dhoma ku gjumin e bënin misionarët e paqes.
Agresori e viktima në një dhomë spitali
Që nga fëmijëria, krejt ndryshe e kishte menduar takimin me Kosovën gazetari kukësian, Bashkim Shala, i cili do t’u bashkohej trupave gjermane që po merrnin udhë drejt zonës së luftës për ta sjellë paqen.
Këmbësoria gjermane po u bashkohej forcave amerikane, britanike, franceze e italiane tashmë që kishin vendosur njësitet e para në tokën e djegur nga forcat e Slobodan Milosheviqit.
“Ka qenë dita më e mrekullueshme e jetës sime”, kujton Shala, korrespodent i Grupit KOHA nga Shqipëria.
Për gazetën “Koha Jonë”, Shala shkruante për atë që e quante “Marshimi i dytë kosovar”, apo “Rikthimi në tokën e djegur”.
Në shkrimet e tij do të përmblidhte edhe historinë e agresorit serb e viktimës shqiptare që po trajtoheshin në të njëjtën dhomë në Spitalin e Prizrenit, derisa autoritetet shqiptare po merrnin kontrollin e institucioneve.
Misioni prej rreth 50 mijë trupash të NATO-s do të njihej si KFOR, apo Forca e Kosovës. Forca paqeruajtëse, nën autorizimin e Kombeve të Bashkuara, ishte prej misioneve më të mëdha ushtarake në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Perëndimi si rrallëherë në historinë e shqiptarëve, u bë bashkë kundër pushtuesve të Kosovës.
“Kam parë edhe viktimën dhe agresorin në një sallë reanimacioni në të njëjtën dhomë, siç ishte rasti i 17-vjeçares nga Rahoveci, Heroina Popaj”, thekson Shala. E mundin emocionet dhe ndal për pak rrëfimin, duke treguar pastaj se si tinejxherja nuk do t’u mbijetonte plagëve të snajperistit serb.
Roli vendimtar amerikan
Historiani Besim Qeriqi është marrë gjerësisht me studimin e faktorëve që unifikuan liderët perëndimorë për ndaljen e masakrave serbe në Kosovë. Ai thotë se Perëndimi i kishte paralajmëruar palët në Konferencën e Rambouilletit se kushdo që do të refuzonte nënshkrimin e marrëveshjes, do të ndëshkohej. Pala jugosllave refuzoi, duke i hapur rrugë bombardimit.
“Natyrisht se uniteti nuk ka qenë aq i dëshirueshëm, mirëpo falë insistimit të SHBA-së, në veçanti presidentit Bill Clinton, sekretares Madeleine Albright, janë harmonizuar të gjitha ato dilema që Perëndimi i ka pasur rreth Perëndimit”, thekson Qeriqi.
Kosova nuk ka ditë zyrtare të çlirimit, por 12 Qershorin e njeh ligjërisht si Dita e Paqes. Ditët e çlirimit të qyteteve janë të ndryshme, varësisht prej datës së marshimit të trupave të KFOR-it e të ushtarëve të UÇK-së.
Njëra prej rrugëve kryesore të Ferizajt mban emrin 12 Qershori.
Prizreni ka nderuar më 2010 me këtë monument të gjithë ushtarët e NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit paqësor në Kosovë. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, e kishte vlerësuar si monument të shprehjes së mirënjohjes së qytetarëve të Kosovës për kontributin e NATO-s për mbrojtjen e vlerave humane.
Më 2014, po në Prizren, në Ditën e Përkujtimit, përkujtimit të ushtarëve amerikanë që kanë rënë gjatë shërbimit në forcat e armatosura, Thaçi dhe ambasadorja e atëhershme Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Jacobson, përuruan obeliskun kushtuar dy pilotëve amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, të cilët kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit “Apache” gjatë një fluturimi rutinor në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë.
Tre vjet më parë, në Prishtinë, Qeveria e Kosovës ngriti këtë lapidar në nderim të 158 ushtarëve të NATO-s që humbën jetën derisa po shërbenin në Kosovë.
Edhe pas më shumë se dy dekadash, historianët, veteranët e luftës dhe politikanët kanë pikëpamje të ndryshme për 12 qershorin dhe rolin e NATO-s, ani pse Aleanca Veriatlantike nuk pati asnjë telash të bashkëpunonte nga qielli me luftëtarët e UÇK-së në tokë për ta çliruar Kosovën.
Kurorëzimi i misionit paqësor
Zija Bylykbashi, në shtëpinë e të cilit u vendosën ushtarët e parë britanikë, thotë se populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Perëndimit, kah, sikurse thoshte Konica, lind dielli për shqiptarët.
“Kurorëzim më i mirë i kësaj shtëpie se në këtë të vijnë brezi më i ri dhe të fillojë formimin e edukimit për të qenë të dobishëm për familjet e veta dhe për Kosovën, mendoj se nuk ka gjë më mirë”, thekson Bylykbashi në dhomat e qendrës edukative për fëmijët parafillorë, LET.
Lida Hoxha, drejtoreshë e qendrës, thotë se fëmijët njoftohen herë pas here me copëza historie të kësaj shtëpie.
“Por sigurisht se kur të rriten do ta kuptojnë se kanë qenë në këto shtëpi, ku kanë qëndruar paqeruajtësit tanë dhe ku kanë qëndruar ata në fillet e para të lirisë së Kosovës”, thotë Hoxha.
Xhirimet e agjencisë amerikane të lajmeve, për këtë shtëpi dhe për shumë zhvillime vendimtare për Kosovën, janë thesar i rrallë në mungesë të një strategjie të mirëfilltë shtetërore për kujtesën kolektive.
“Assesi nuk duhet të harrohen këto gjëra. Fëmijë kanë vra këta (forcat serbe, v.j.). Përditë duhet me ardhë këtu”, thekson Dida, derisa flet për rëndësinë e kujtesës kolektive.
Ndryshe nga trupat serbe që u larguan me gjuhë e këngë të urrejtjes e me peshën e krimeve mbi shpatulla, ushtarët e NATO-s largohen nga Kosova me ndjenjën e krenarisë se i kontribuuan paqes së njerëzimit.
Qindra mija syresh, kanë ardhur e shkuar e edhe për kushedi sa të tjerë do të vijnë e shkojnë duke marrë me vete edhe kujtimet për vlerën e lirisë pavarësisht racës a etnisë, sikur e dëshmojnë edhe fjalët e rreshterit amerikan, Scott Weiner, teksa pyetet prej kameramanit të AP-së: “Si ndiheni për këtë që po bëni?”
“Ndihem mirë”, ia kthen ai.
Kameramani e pyet përsëri: “Si ndiheni që keni ardhur në Kosovë?”
“Është mirë të bësh diçka të mirë për dikë tjetër”, thotë shkurt ai pak pasi dëgjon falënderimet në kor të fëmijëve: “USA! USA!”.