Arbëri

Shtëpia ku lindi një qytet

Gjithçka është ruajtur e mirëmbajtur. Janë shtretër e pajisje në shtëpinë katërkatëshe, që ishte kthyer në burim jete në kohë lufte. Janë po ato instrumente e ai shtrat ku nëna e Forca Jasharit, kishte duruar dhimbjet për ta sjellë në jetë. Forca, përkthyese e moderatore në Grupin KOHA, fillimisht emocionohet derisa shikon sallën e improvizuar të lindjes, derisa kujton nënën e ndjerë. Pastaj forcohet kur sheh tabelën e maternitetit “Nëna Terezë” në “Kodër të Trimave” të Prishtinës.

“Unë e pashë edhe këtu se kanë ardhur në jetë thuajse 12 mijë e 500 fëmijë, thuajse një qytet”, thekson Jashari para tabelës ku shkruan se në shtëpinë-maternitet të udhëhequr nga Shoqata Humanitare Bamirëse, “Nëna Terezë”, nga 8 korriku i vitit 1996 deri më 28 mars 1999, u lindën 12.489 fëmijë, e “që është dëshmia më e fuqishme se njerëz të zakonshëm bëjnë punë të jashtëzakonshme”. Ngjitur me të, është shtëpia tjetër e Shaban Svircës, ku banon njëri prej katër djemve të Shaban Svircës. Ajo kishte shërbyer si poliklinika e parë e “Nënë Terezës”.

Lutja e Çettës dhe fjala e mbajtur e Svircës

Materniteti katërkatësh ishte hapur katër vjet pasi gjithçka kishte nisur vetëm me një laps të thjeshtë dhe një letër të bardhë. Mjekët Gani Demolli dhe Bashkim Islami po hidhnin në letër planin se si do të dukej ambulanca e parë që do të hapej në kuadër të Shoqatës Humanitare Bamirëse, “Nënë Tereza”. Ishte marsi i vitit 1992 në Kosovë, nën sundimin e hekurt serb.

Në fund të muajit të asaj pranvere, pa reklamë e propagandë do të fillonte puna e poliklinikës humanitare “Nëna”. Demolli, kryetar i degës së parë të “Nënës Terezë”.

Shtëpitë në emër të humanizmit do t’ia lëshonin Demollit edhe dy fqinjët e Shaban Svircës, Isa Abazi dhe Rasim Zullufi.

“Erdh Anton Çetta për me na uru dhe me festu njëvjetorin. Dhe nejtëm dhe kur dolëm te dera, tha: ‘Shaban, një lutje e kam për ty. Thashë: Çfarë lutje? Tha: Dy dhoma me m’i ba poshtë. Tha: Për Gjinekologji. Tha lindje me pasë. Thashë: Fjalën po ta jap se kam me e ba”, tregon Svirca në katin e tretë të maternitetit të dikurshëm.

Jashtë shtëpisë numër 17 të Svircës, më së shumti do të binte në sy portreti i nobelistes shqiptare, që ishte dhuratë e Shani Ibrahimit.

Ngjitur me poliklinikën, shoqata “Nëna Tereza”, në korrikun e vitit 1996 do të hapej materniteti pasi nënat shqiptare frikësoheshin të lindnin jetë në klinikat publike nën kontrollin e autoriteteve serbe që gjysmë dekade më parë ua kishin helmuar e vrarë fëmijët në shkolla.

“Shpirtin këtyne dy shpijave, ua jep familja, por shpirt institucional i kanë dhënë mjekët, edhe motrat”, thekson Svirca në objektin e ish-maternitetit. “Në okupim me pa fytyra të gëzueshme, thashë, qëtu kam pa. Kanë vlu si bletët që dalin prej koshere, kanë vlu, studentët, mjekët, nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë. Pacientët. Kjo rrugë, edhe oborri u kanë plot”.

Image
Gjithçka është ruajtur e mirëmbajtur. Janë po ato instrumente e ai shtrat ku nëna e Forca Jasharit, përkthyese e moderatore në Grupin KOHA, kishte duruar dhimbjet për ta sjellë në jetë

”Shtëpi e bekuar nga Krijuesi”

Aktiviteti humanitar i tetëmbëdhjetë mjekëve, infermiereve e vullnetarëve të poliklinikës së parë të SHHB-së “Nëna Terezë” kishte marrë hov në kohën kur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, e prirë prej urtakut Anton Çetta, kishte pajtuar 1.170 bela.

Ishin hapur më shumë 100 ambulanca, ku do të punonin më shumë se 1.600 mjekë, infermiere, teknikë e personel teknik.

“Ky oborr dhe kjo shtëpi prapa nesh është e bekuar nga ana e Krijuesit. Këtu janë ba punë shumë të mëdhaja dhe shumë të mira për Kosovën”, thekson Hysen Hyseni, anesteziologu që kishte punuar në maternitetin “Nëna Terezë”.

Shqiptarët nën pushtim do të merrnin forcë nga përkushtimi i nënës që ia dhuruan botës e që po frymëzonte këdo me kujdesin ndaj të varfërve pa dallim feje a kombi.

Nëna Terezë, duke punuar në lagjet e varfra të Kalkutës, kujdesej për të varfrit, strehonte foshnjat e hedhura në grumbuj plehrash dhe ndihmonte të sëmurët me probleme mendore. Ajo ishte në krye të më shumë se 500 misioneve në 100 vende nga mesi i vitit 1990, nga vatrat e kombeve të Botës së Tretë në zonat e varfra të New Yorkut.

Portreti i Nënë Terezës në pllakën përkujtimore të vendosur në qoshen e murit të shtëpisë së ish-poliklinikës, koleges Forca Jashari ia kujton butësinë e nënës që e lindi në maternitetin me emrin e nobelistes së paqes e shenjtores katolike. Në vjeshtën e vitit 1998, kur u lind Forca, Serbia kishte ashpërsuar luftën.

Gjenerata e luftës

Por fotografitë përgjatë korridorit e shkallëve të shtëpisë, janë shenja se jeta gjithnjë e mbisundon vdekjen. Forca ndalet te fotografia e plakut me plis që në krah mban nipin në ditën e parë të jetës, shoqëruar nga reja dhe anesteziologu Hysen në krye të shkallëve të hyrjes.

“Pas pesë vajzave lind djali, dhe vjen, vjehrri, gjyshi me marrë nipin. Ka qenë një moment i prekshëm për neve”, kujton me emocione Hyseni. “Unë atëherë kam pasë flokë”, qeshet pas pak. “Edhe jemi gëzu, e kemi përcjellë, edhe jemi gëzu sa këta, edhe na, edhe pse për ne s’ka qenë me rëndësi a ka qenë djalë a vajzë”.

“Unë sot, datën 14 shtator do ta mbaj mend gjithmonë, për shkak se është hera e parë që kam ardhur në vendin ku jam lindur, dhe në vendin ku nëna jem, tashmë e ndjerë, më ka dhënë jetë”, thekson Jashari. “Për mu është një emocion i papërshkrueshëm nga fakti se nuk e kam pritur se ky vend është kaq i ruajtur”, thekson ajo, duke u bërë thirrje edhe të tjerëve që ta vizitojnë ish-maternitetin “Nëna Terezë” në “Kodër të Trimave”.

Anesteziologu Hyseni e pronari Svirca nisin nga kati i parë deri në të katërtin të rrëfejnë përmbledhtas historinë e krejt aktivitetit të kryer në maternitet për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ishin kryer edhe ndërhyrje kirurgjike për rastet e shtatzënave me lindje të komplikuara. Salla ndodhet në katin e parë, bashkë me dhomën me dy shtretër për kujdes intensiv. Aparaturat, që ruhen aty, ishin më modernet për kohën, tregon Hyseni.

Në katin e katërt ende ruhet tavolina e madhe e studentëve dhe specializantëve të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës gjatë gjysmës së dytë të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Në rafte ende ka pajisje e veshje të sterilizuara për ndërhyrje të ndryshme kirurgjike. Pos shtatzënave, ishin ndihmuar edhe qytetarë të ndryshëm që të plagosur e në gjendje të rëndë ishin sjellë nga vatra të ndryshme të luftës.

Image
Anesteziologu Hysen Hyseni e pronari Shaban Svirca në sallën e operacioneve në katin e parë në ish-maternitetin “Nën Terezë”, në “Kodër të Trimave” në Prishtinë. Në kohë lufte, materniteti do të kthehej në burim shprese e jete

Ulëset historike të Rugovës

Svirca ishte pjesë e ekipit të strukturës që kujdesej për mirëmbajtjen dhe organizimet protokollare të presidentit historik, Ibrahim Rugova, prej nisjes së aktivitetit politik në vitet nëntëdhjetë deri në vdekjen e tij në dimrin e acartë të vitit 2006. Në katin e tretë të ish-maternitetit, Svirca ka ndarë një dhomë të madhe, ku po i ruan me fanatizëm kauçët, kolltukët dhe tavolinën e bukës së presidentit të parë të Kosovës. Mbi tavolinë ka vendosur nga një ekzemplar të librave për Nënë Terezën e Rugovën.

“Këto janë ulëse për vendime të mëdha”, thekson Svirca, ulur në njërën prej tyre. Nuk ka delegacion prej ’92-s tek teri në 2003-tën sa janë kanë, që nuk janë ulë në këto fotele te Rugova”, shton Svirca. Shikimin kthen kah një fotografi e Rugovës me ish-emisarin amerikan, Richard Holbrooke, sipër orendive. Në anën tjetër është “kreveti i gjelbër ku Rugova ka hangër bukë”, derisa “në krevetin tjetër ka pi kafe Rugova”.

“Edhe këto e kanë vlerën e vet”, thekson Svirca, duke shpresuar se orenditë e Rugovës do të ekspozohen në ndonjë muze.

Ka pothuajse dy dekada që ka kërkuar nga institucionet lokale të Prishtinës dhe ato qendrore qeveritare që ta marrin nën kujdes shtëpinë-maternitet dhe që të hapet për të gjithë vizitorët. Edhe tani, kujtdo që ia hap dyert. E thotë se fort i vogël është edhe numri i atyre që punuan, u shëruan ose u lindën këtu dhe që u kujtuan ta vizitonin ndonjëherë.

Forca fuqizon kujtimet e rrëfyera nga nëna e ndjerë, derisa sheh e prek instrumentet dhe shtratin ku nëna e kishte mbajtur e ushqyer në ditën e parë të jetës.

“Fatura” e ruajtjes

Megjithëse paguan fatura tatimi, uji, rryme e mbeturinash – derisa shteti ende nuk e ka marrë nën kontroll për ta dokumentuar një prej organizimeve më të ndritshme për njërën prej dekadave më brutale të shekullit të kaluar – Svirca nuk e ka ndërmend ta shembë. Familja e tij ka sakrifikuar edhe më shumë.

“Në fakt, tanë familja e Shabanit ka qenë e angazhume në këtë shtëpi me ndihmesa të ndryshme. Mes tjerash, ne i kemi shfrytëzu fëmijët e Shaban Svircës me dhanë gjak sa herë ka pasë nevojë”, thekson anesteziologu Hyseni, duke kërkuar nga shteti që të marrë përsipër kujdesin për shtëpinë dhe të mos i mbyllen dyert.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme ruajtja e këtij vendi. Është në gjendje të mirë, qysh e pashë, dhe ka shumë detaje të rëndësishme dhe mendoj se duhet t’i jepet rëndësi edhe prezantimit të këtij vendi”, thekson kolegia Forca Jashari pas vizitës. “Mendoj se është vlerë e shtuar, sidomos për ndërtimin e personalitetit dhe besoj se do të më ndihmojë shumë që në të ardhmen kam me qenë edhe më e qartë edhe fëmijëve të mi me iu kallxu historinë tem; prej ku kam lind, ku jam lindë dhe qysh ka shku gjithçka”.

E deri atëherë, Forca Jashari nuk do të ketë nevojë që pas vizitës t’ia mbyllë derën shtëpisë ku erdhi në jetë. Në kohë lufte. Në liri, shtetit nuk po i bëhet vonë.