Arbëri

Shtatëvjetori i vrasjes së Ivanoviqit, Serbia vazhdon t’i strehojë kriminelët

Të enjten janë bërë shtatë vjet qëkur është vrarë para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut politikani Oliver Ivanoviq. Familja e tij është shprehur e zhgënjyer me autoritetet e Serbisë për moszbardhjen e rastit. Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit, ku katër serbë janë dënuar me mbi 20 vjet burgim së bashku

Shtatëvjetori i vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq ka nxitur kritika për autoritetet në Serbi.

Familjarë të Ivanoviqit e kanë fajësuar udhëheqjen e Serbisë për moszbardhjen e rastit, ndonëse kjo ishte premtuar.

Nikola Ivanoviq, djali i Oliver Ivanoviqit, në një intervistë për N1, të enjten, ka thënë se Kosova ka dënuar disa persona që kanë dhënë ndihmë për vrasjen e babait të tij, por meraku i tij është se kë ndihmuan dhe ku ndodhen ata.

“Jam i zhgënjyer, jam shumë i zhgënjyer. Nuk kam pritur që duhet ta përjetoj gjithë këtë, këtë pjesë ku asgjë dhe askush nuk u soll para drejtësisë. Nuk prisja aq shumë nga Prishtina, por pritej shumë më tepër nga Beogradi, por kjo nuk po ndodh. Nuk kemi emra, kë po ndihmonin? Kush e urdhëroi vrasjen e Oliverit dhe kë ndihmuan edhe në mënyrë indirekte? Dhe kjo është një pyetje që nuk ka përgjigje”, ka thënë Ivanoviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor të vitit të kaluar ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve: Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq. Të gjithë bashkë janë dënuar me mbi 20 vjet burgim.

Pas këtij vendimi i dënuari me 10 vjet burgim, Roshiq, u arratis.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD, është shprehur se Serbia po u ofron ndihmë atyre që kryejnë krime në Kosovë.

“Mirë që procesi gjyqësor së paku në këtë fazë ka ardhur ku jemi sot, nuk është diçka për t’u habitur që Serbia është kthyer në një vend parajsë të kriminelëve, Serbia është kthyer në një vend ku të gjithë ata të cilët kryejnë krime në Kosovë, në njëfarë mënyre ikin në Serbi dhe atje e gjejnë shpëtimin duke iu ofruar një mbrojtje institucionale nga ana e shtetit të Serbisë, për t’i ikur ndëshkueshmërisë, për t’u ikur proceseve gjyqësore”, ka thënë ai.

Sipas Miftarajt, Qeveria e Kosovës duhet ta bindë BE-në që të bëjë presion mbi Serbinë për ta ndalur këtë qasje.

“Por është e pakuptimtë se si Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur që për këtë problem t’i bindë shtetet e Bashkimit Evropian për të ndaluar një qasje të tillë të Serbisë. Ne e dimë që Serbia është në një fazë shumë më të avancuar të integrimit evropian, ka hapur kapituj sa i përket gjyqësorit dhe do të duhej që në këtë aspekt Serbia ta kishte kusht në integrimin evropian që të ndërmerrte masa që personat që kryejnë krime në Kosovë në një formë të mos gjejnë strehë në Serbi”, ka shtuar Miftaraj.

Oliver Ivanoviqi është vrarë më 16 janar 2018, para zyrës së partisë që udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut.

Milan Radoiçiq, i cili është një nga të akuzuarit, ndodhet në Serbi. Ai ka udhëhequr edhe grupin terrorist serb që organizoi sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Për këtë rast janë akuzuar edhe mbi 40 të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Serbi.

Serbia refuzon të dorëzojë edhe të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, duke bërë që disa nga proceset gjyqësore të mbahen në mungesë të të akuzuarve.