Janë bërë një muaj e gjysmë prej kur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka kontraktuar një operator ekonomik për të furnizuar klinikat dhe spitalet me kontrast, por ky material vazhdon të mungojë për pacientët.
Kompania është kontraktuar më 25 nëntor të vitit që shkoj.
Të mërkurën në një përgjigje për KOHËN, sektori për furnizim me barna dhe material medicinal i SHSKUK-së ka njoftuar se sipas informacioneve të fundit operatori ekonomik është zotuar që deri në fund të javës do ta kryejë liferimin.
Në përgjigjen e tyre thuhet se për vonesat operatori ekonomik është gjobitur.
“Operatori përkundër që ka hyrë në vonesë, ende nuk e ka liferuar produktin në fjalë. Po i njëjti ka kërkuar shtyrjen e afatin të liferimit me arsyetimin që kanë probleme me prodhuesin, por kërkesa për shtyrjen e afatit është refuzuar nga zyra e prokurimit ... në faqen zyrtare të SHSKUK-së është publikuar lista e shqiptimit të dënimeve sipas Ligjit për prokurimin publik, për të gjithë operatoret ekonomikë që nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre e në mesin e tyre është edhe operatori me të cilin SHSKUK ka nënshkruar kontratën me produktin kontrast”, thuhet në përgjigje.
Javën që shkoj KOHA ka raportuar se pacientëve që u duhet të kryejnë disa incizime në QKUK dhe në spitale, për rreth tre muaj, vazhdojnë ta blejnë materialin e nevojshëm që qartëson imazhet e organeve dhe enëve të gjakut.