Gjatë dhënies së mbrojtjes Muhamet Alidemaj, i akuzuar për pjesëmarrje në masakrën e Izbicës, ka thënë se gjatë kohës së luftës ka jetuar në Serbi dhe nuk është kthyer në Kosovë deri në vitin 2021, kur edhe është arrestuar nga policia. Përderisa ka thënë se mban mend detaje të ditës së masakrës, Alidemaj nuk ka ditur t’u japë përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me identitetin e familjarëve të tij, përfshirë emrin e burrit të motrës, gruas së vëllait, nipave e mbesave
Muhamet Alidemaj, i akuzuar nga Prokuroria Speciale si pjesëmarrës në masakrën e Izbicës së Skenderajt, ka deklaruar të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë se nga shtatori i vitit 1998 deri në mars të 2021-tës nuk ka qenë në Kosovë.
Kjo periudhë korrespondon me kohën kur është kryer masakra, në të cilën u vranë afro 130 civilë shqiptarë.
I akuzuari Alidemaj dha mbrojtjen e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit, prokurorit, mbrojtësit të viktimave, viktimave dhe trupit gjykues.
Ai ka thënë se në vitin 1998, për shkak të kushteve të rënda të jetesës, ka shkuar të jetojë në Serbi.
“Aty jemi përshëndetë, jam futë në autobus dhe kam marrë rrugën për Beograd”, ka thënë i akuzuari.
Alidemaj ka deklaruar se në kohën kur ka ndodhur masakra e Izbicës ka qenë te xhaxhai në Beograd dhe i kujtohet se atë ditë ka qenë festë Bajrami.
“Më 28 mars ka qenë Bajram, kjo mund të vërtetohet. Kemi blerë qengj apo dele, Milan Obaçiqi e ka therë dhe është blerë nga Nenad Boriqi”, ka deklaruar ai.
Përderisa i akuzuari Alidemaj ka thënë se mban mend detaje të ditës së masakrës në Izbicë, ai nuk ka ditur t’u japë përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me identitetin e familjarëve të tij, përfshirë emrin e burrit të motrës, gruas së vëllait, nipave e mbesave.
Prokurori Ilir Morina e pyeti për këtë.
“Unë e kam të paqartë dhe ndoshta mund të ma shpjegosh se prej kujt e ka blerë axha kurbanin në mars të 1999-s, kurse krejt këto ngjarjet e tjera, duke përfshirë edhe emrat e familjarëve të tu nuk po të kujtohen”, ka thënë Morina.
Alidemaj është përgjigjur se serbët i njeh qe një kohë të gjatë.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, e ka pyetur se si është e mundur që për 23 vjet nuk ka ardhur në Kosovë ta vizitojë babanë, nënën e familjarët e tjerë.
I akuzuari ka thënë se jetën e ka krijuar në Beograd dhe nuk i ka rënë në mend të vijë në Kosovë.
“Kam shkuar, kam filluar të punoj, e kam krijuar familjen time. As që më ka rënë në mend, kur nuk kanë dashur këta të më vizitojnë as unë nuk kam dashur”, ka deklaruar Alidemaj.
E për masakrën e Izbicës ka shprehur keqardhje.
“Më vjen keq që ka ndodhur ai rast dhe duhet të vijnë ata kriminelë që i kanë bërë ato krime, të vijnë para gjykatës dhe të gjykohen, e jo unë që nuk kam lidhje me këtë ngjarje. Se nuk jam tranu që të luftoj kundër popullit shqiptar”, ka thënë ai.
Gjykimi ndaj Alidemajt është drejt fundit. Për seancën e radhës është planifikuar të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë dhe pas saj të shpallet aktgjykimi.