Shqiptarët po shijojnë kafetë në rrezet e ngrohta pranverore në tarracat e kafeneve në qytetet suedeze. Suedia, ndryshe prej shteteve të tjera, ende nuk ka marrë masa radikale për kufizimin e jetës publike.
“Të vetmen gjë që e kanë ndaluar është me pi pije në banak në bare. Afër banakut nuk mundesh me porosit, por prej tavolinës po”, thekson Samira Shala, mësimdhënëse e muzikës në një shkollë fillore në qytetin Osby. “Përndryshe, krejt gjërat vazhdojnë me funksionu qysh duhet”.
Flamujt partiakë bien para atij kombëtar
Shteti skandinav gjatë javës ka rrokur vëmendjen e mediave botërore për shkak të qasjes ndryshe të Qeverisë së atjeshme për luftimin e koronavirusit. Anketimet e fundit tregojnë se gjysma e qytetarëve të kryeqytetit, Stokholm, po vazhdojnë jetën si para shpërthimit të pandemisë. Autoritetet qendrore kanë mbyllur shkollat e mesme dhe universitetet, të cilat po vazhdojnë mësimin online. Hapur ende janë shkollat fillore dhe çerdhet. Suedia ka identifikuar deri të enjten në mesditë katërmijë e pesëqind raste. Prej tyre, 239 të prekur kanë vdekur, ndërkaq 402 janë nën kujdes intensiv.
“Janë raste të moshës së shtyrë tetëdhjetë e nëntëdhjetëvjeçare. Suedia e ka qëllim me shpëtu moshën shtatëdhjetëvjeçare”, u referohet të dhënave zyrtare, Bashkim Jashari, mësimdhënës muzike dhe aktivist shqiptar që me familje jeton e punon në Malmo. Ish-kryetari i qendrës kulturore “Okarina”, thotë se të gjitha partitë politike pa dallim janë bashkuar për ta fituar luftën kundër koronavirusit. “Të gjitha partitë, edhe ato në opozitë i kanë ulur flamujt partiakë kur dalin nëpër konferenca dhe e kanë vetëm atë suedez”, thekson Jashari, lindur në Prekaz të Skenderajt.
Megjithatë, pandemia e ka bërë të veten. Shala thotë se rrugët janë dukshëm më të qeta se normalisht. Edhe shoqatat e bizneseve kanë alarmuar gjatë javës për pasojat e pandemisë në ekonomi. Qeveria përditë po del me masa stimuluese financiare që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike.
“Më shumë panik na bëjnë lajmet e Kosovës”
“Këtu panik nuk ka, as te fëmijët, as te personeli i arsimit, kurrfarë paniku nuk ka. Unë lirisht mundem me thanë se më shumë panik na bëjnë lajmet e Kosovës që po i dëgjoj çdo ditë, se lajmet e këtushme”, thotë Shala, duke shtuar se suedezët i marrin shtruar lajmet të lidhura me koronavirusin. “Janë më të ftohur si njerëz, por ndoshta i marrin me qetësi për shkak të kulturës që kanë. Nuk është se kanë afërsi sikurse ne që jemi më të afërm, ose kur përshëndetemi, ia zgjasim dorën tjetrit”.
Në një shkrim të BBC-së për mënyrën se si po e menaxhon Suedia situatën, bëhet e ditur se suedezët kanë besim të lartë në institucionet publike. Dhe kjo besohet se i ka shtyrë autoritetet që të përqendrohen më shumë në fushata këshillimore për qytetarët. Një tjetër faktor është demografia. Ndryshe prej shtëpive me shumë breza nën një kulm, si në rastet e shteteve mesdhetare që po përballen me përhapje të rrufeshme të pandemisë, më shumë se gjysma e shtëpive e banesave suedeze banohen vetëm prej një personi. Kështu reduktohet bajagi shumë rreziku për përhapjen e virusit brenda familjes. Njëherësh, suedezët e duan jetën jashtë shtëpisë dhe zyrtarët e shëndetit publik kanë thënë se kanë shmangur izolimin e qytetarëve në shtëpi që të ruhet shëndeti fizik dhe mendor i tyre, shkruan BBC-ja.
“Kuku, Kosova ...”
“Këta kanë shumë vetëbesim dhe nuk i marrin gjërat afër zemrës. Unë mundem me thanë që kur Kosova i mbylli shkollat, i pari kur doli i infektuar, edhe iu pata thanë kolegëve të mi: Kuku, Kosova është njëri prej shteteve më të varfra në botë, edhe sa shpejt ka marrë masa, dhe thashë Suedia njihet me ekonomi bajagi standarde, bajagi të fortë, thashë, pse nuk po ndërmerr kurrgjë”, kujton Shala bashkëbisedimin me kolegët suedezë, të cilët po vazhdojnë mësimin në shkolla fillore. “Jo bre se kurrgjë, veç është një grip i zakonshëm, hajt se kalon. Nuk kemi nevojë me pasë frikë, këto janë çështje politike”, ia kishin kthyer ata. “Besojnë shumë në shkencë, janë njerëz të ftohtë dhe nuk e lodhin shumë mendjen sikur na”, shton ajo.
Autoritetet e shëndetit publik dhe politikanët ende shpresojnë se mund ta ngadalësojnë përhapjen e virusit pa pasur nevojë për masa drakonike si gjetkë. Ka shumë udhëzues se sa rregulla strikte kufizimi që duhet të respektohen me përpikëri nga qytetarët, sikur po ndodh pothuajse në krejt shtetet e tjera të Evropës, ku është ngritur shkalla e masave për shkak se Spanja dhe Italia janë kthyer në vatra të nxehta pandemie. Dy shtetet jugore evropiane e kanë kaluar Kinën, ku ka rrënjët virusi, me numrin e viktimave.
“Ne që jemi të pjekur duhet të veprojmë saktësisht ashtu: Si të pjekur. Të mos përhapim panik ose thashetheme”, ka deklaruar kryeministri suedez, Stefan Lofven, në adresimin televiziv popullit. “Askush nuk është i vetëm në këtë krizë, por çdo person ka përgjegjësi të madhe”.
Besimi i madh në institucione
Shumica e suedezëve kanë shikuar dhe aprovuar fjalimin e tij, ka treguar një anketim i kryer nga Novus, kompani e madhe për matje të opinionit në shtetin skandinav. BBC-ja raportoi se gjatë javës rrugët gjithandej Suedisë dukeshin të qeta, madje larg më të qeta se zakonisht. Kompania e transportit publik në Stokholm, SL, njofton se ka vërejtur rënie të numrit të pasagjerëve për pesëdhjetë për qind në trena dhe metro. Në Suedi autoritetet janë përqendruar me këshilla për pleqtë, duke iu kërkuar të qëndrojnë në shtëpi, sidomos ata që kanë probleme kronike shëndetësore.
Mësimdhënësja Shala thotë se Suedia ka disa tipare që e dallojnë nga vendet e tjera evropiane. “Midis të tjerash, pleqtë që ndodhën në zonën e rrezikuar, kanë qenë të izoluar nga shoqëria edhe përpara se të niste pandemia”, ka thënë ajo, duke shtuar se shteti u ka dhënë punëtorëve të drejtë të rrinë në shtëpi nëse ndihen të sëmurë. Nuk iu preket paga.
“Vërehet një kujdes më i madh, por faktikisht panik nuk ka, sepse janë institucionet që e kanë nën kontroll gjendjen. Populli suedez zakonisht është i dëgjueshëm ndaj institucioneve të veta, ndaj profesionistëve që merren me këtë punë”, thotë Jashari, njëherësh përgjegjës për sektorin e teknologjisë dhe kryetar i Shoqatës së Mësimdhënësve të shkollës ku punon. “Strategjia e tyre është që të mos infektohen krejt përnjëherë, që mos me qenë ngarkesë për sistemin shëndetësor dhe normal mos me kolapsu krejt sistemi në përgjithësi”, ka thënë Jashari, duke treguar se Qeveria po mbështet bizneset që kanë nisur të raportojnë për rënie goxha të theksuar të hyrash.
“Unë nuk po mundem m’i kuptu suedezët”
Laura Tmava, e cila tani jeton në Londër, ka jetuar më parë në Suedi. Megjithëse i njeh goxha mirë kulturën dhe mendësinë suedeze, nuk po arrin ta kuptojë qasjen e tanishme të suedezëve në luftën përballë pandemisë botërore.
“Unë për popullin suedez, mundem me thënë se janë njerëz shumë të relaksuar, ‘easy going/chill people’, i marrin gjërat shumë normalë dhe s’ka shumë stres në Suedi”, thekson Tmava, duke përdorur fjalë angleze, teksa përshkruan suedezët si njerëz që i marrin gjërat prajshëm. “Por, për sa i përket lidhjes me virusin, nuk di me shpjegu?!!!” – ka thënë Tmava gjatë një interviste elektronike. Ndryshe nga shteti skandinav, shteti ishullor ka marrë masa të ashpra pas ngritjes së vrullshme të numrit të të infektuarve. Britania ua ka lejuar qytetarëve daljen nga shtëpia vetëm për shërbime të domosdoshme dhe për një vrapim ose shëtitje brenda ditës. “Ajo që dua të them është se në Angli, shteti mundohet t’i edukojë njerëzit dhe ta kuptojmë vetë çka duhet të bëjmë, e jo të na ruajë policia non-stop”, ka thënë ajo.
Kujdesi për shëndetin mendor të fëmijëve
Shala në Osby thotë se përgjegjësia publike e qytetarëve është thelbi i strategjisë së Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë për ta luftuar virusin, që ende nuk i është gjetur vaksina. Javën e fundit është ngritur numri i nxënësve që kanë munguar në shkollën e saj. Janë fëmijë që kanë probleme shëndetësore. Por Shala beson se nuk përjashtohet mundësia e mbylljes së shkollave fillore e çerdheve. Në shkollën e saj, fëmijët po drekojnë në klasa, ndryshe prej situatës krejtësisht normale kur qindra sosh ushqeheshin bashkërisht në mensën e shkollës. Për koronavirusin, nxënësit janë informuar më shumë nga prindërit, e jo nga mësuesit. Qëllimshëm, tregon ajo, duke kujtuar një përvojë personale.
Javën e kaluar, i shkoi në zyrë drejtoreshës. “A kam të drejtë të mbaj dorëza në klasë?” – e pyeti Shala. “Dhe ajo më tha: Jo, sepse nuk lejohet me ndjell frikë te fëmijët. Sa më pak që flasim, aq më mirë për shkak që të mos frikësohen, dhe sa më shumë ata me mendu se kurrgjë nuk po ndodh”, ka treguar Shala.
“Vazhdojnë me jetu normal, me fjalë të tjera. Jetojnë normal thuajse kurrgjo nuk është kah bëhet”.