Presheva është komuna e radhës në të cilën shqiptarët e Luginës do të protestojnë kundër shkeljeve që janë duke iu bërë nga shteti serb. Më 28 shtator është planifikuar që të marshohet me thirrjen “Për identitet e dinjitet”.
Shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia.
Pas protestës së mbajtur më 12 gusht në Bujanoc, në javën e fundit të shtatorit ata do të marshojnë në Preshevë.
Motoja “Për identitet dhe dinjitet” do t’iu prijë qytetarëve më 23 shtator.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka thënë se kërkesat vazhdojnë të jenë të njëjta.
“Kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, do t’i qesim në pah të gjitha format e diskriminimit të cilat me vite po i realizojnë Serbia dhe normalisht i qesim në pah të gjitha ato marrëveshje dhe zotimet që Serbia i ka marrë karshi komunitetit shqiptar, ku në shumicën e marrëveshjeve kanë qenë ndërmjetësues edhe faktori ndërkombëtar, por që Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar ato marrëveshje”, ka deklaruar ai.
Pas protestës së mbajtur muajin e shkuar, në Bujanoc u ekspozuan thirrje kërcënuese për shqiptarët.
Sipas Lutfiut, organizimi i shqiptarëve kundër padrejtësive është duke i shpërfaqur nacionalistët.
“Ne i kemi njoftuar (ambasadat) dhe ka pasur edhe reagime. Normalisht që është dënuar ajo gjuhë e urrejtjes. Faktikisht organizimi i protestës po i shpërfaq nacionalistët, të cilët sikur të ekzistonin rrethanat e përshtatshme për ta, ata do të ishin destabilizues dhe keqbërës për vendin tonë. Por, normalisht imagjino, ende nuk kemi përgjigje nga autoritetet përgjegjëse për autorët e këtyre mbishkrimeve që paraqesin gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve”, ka shtuar Lutfiu.
Thirrje për pjesëmarrje në protestë ka bërë edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.