Arbëri

Shqiptarët e komunave veriore, të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës

Prania e njësiteve të KFOR-it e të EULEX-it është vërejtur edhe të shtunën në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë pikën kufitare në Jarinjë. Derisa dominonin grafite me porositë se serbët lokalë do të kundërshtojnë vendimet e Qeverisë, shqiptarët në komunat veriore shprehen të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës

Në fshatin Rudar që gjendet në pjesën veriore të Kosovës është vendosur patrulla e parë e KFOR-it. Ky mision ndërkombëtar ka shtuar ditëve të fundit prezencën në veri pas ngritjes së tensioneve në prag të vendosjes së reciprocitetit për letërnjoftimet serbe, i paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë që javën tjetër pritet që të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës, për reciprocitetin për letërnjoftim dhe targa të jashtëligjshme në pikën kufitare po vazhdon zbatimi i reciprocitetit për mbulimin e simboleve të shtetit të Serbisë. Në këtë pjesë, të shtunën u panë edhe disa vetura të EULEX-it.

Zyrtarë policorë që qëndrojnë pranë kufirit me Serbinë kanë thënë se deri tash nuk kanë pasur ndonjë problem. Njëjtë sikurse edhe në rastin e vendimit të fundit të ekzekutivit, serbët kishin rezistuar edhe për reciprocitetin në targa, duke i bllokuar këto dy pika kufitare.

Në shtyllat elektrike, flamujt e Serbisë, tashmë shoqërohen edhe me grafitë që kanë përmbajtje kundërshtuese ndaj masës së reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës, e që për banorët shqiptarë të kësaj pjese përbënë shqetësim. Megjithatë, Faik Kelmendi banor i fshatit Kelmend të Komunës së Zveçanit, shpreson që më 1 shtator nuk do të ketë përshkallëzim të situatës.

“Tensionet e kohëve të fundit në këto fshatra tona që janë të banuara me shqiptarë, herë pas here janë të ndryshueshme edhe konkretisht ndikojnë edhe në frikën e banorëve, që është evidente të thuhet se edhe rruga që është e bllokuar, po duhet të kalohet në lagjen e Boshnjakëve, pastaj çdo tension për ne është shqetësim”, thotë ai, duke shtuar se tashmë edhe janë mësuar me këtë gjendje, ku serbët shkaktojnë tensione.

Shumë pranë fshatit Kelmend, gjendet fshati Boletin. Rrugëve të këtij fshati vërehej qetësia, për shkak se shumica e banorëve tashmë ishin larguar nga aty. Shpresë të njëjtë kanë edhe qytetarët të cilët marrin shërbime në Mitrovicën e Veriut. Ata thonë se pavarësisht situatave që krijohen, institucionet nuk duhet të heqin dorë nga vendimet që kanë marrë. Kadri Bunjaku, gjatë së shtunës kishte shkuar në veri për të blerë medikamente, pasi që siç thotë ai kushtojnë më lirë. Ai shton se pret që Qeveria e Kosovës të mos dorëzohet karshi vendimit të saj.

“Presim ditë më të mira me udhëheqësin tonë me Albinin në krye, kemi shpresa që nuk do të lëshojë pe, jona e huaja nuk bëhet, Kosova është jona, por jona ka me mbetë, mos u dorëzoni”, thotë ai.

Urall Boshnjaku shprehet se bisedimet në Bruksel mund të ndikojnë në uljen e tensioneve dhe në ndalim të përshkallëzimit të situatë.

“Me këto tensione të fundit, gjendja është përshkallëzuar edhe më shumë dhe njerëzit edhe ashtu nuk kanë ndier siguri të madhe më parë edhe tash po ndihen edhe më të pasigurt me gjendjen në veri. Por po shpresojmë që pas marrëveshjeve të fundit dhe pas bisedimeve në Bruksel, tash do të vijë në një stazh ku gjithçka do jetë në rregull”, shprehet ai.

Sabit Mehmeti thotë se druan të kalojë në Mitrovicën e Veriut.

“Të them të drejtën ne dalim në pjesën veriore, por gjithmonë është ajo frika”, thotë Mehmeti, teksa shton se institucionet ndërkombëtare duhet të merren më shumë me shtetin serb.
Për vizitë në Kosovë, kishte ardhur Hysen Ibrahimi, i cili jeton në Suedi. Ai thotë se i ka përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit, në këtë pjesë dhe se mendon se së shpejti do të ketë një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, për këtë çështje.

“Marrëveshje do të ketë, tension nuk do të ketë, nuk ma merr mendja, sepse Vuçiqi më në fund e ka kuptuar realitetin edhe e ka kuptuar që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, dhe do të bindet sepse marrëveshja e nënshkruar në vitin 2011 duhet të realizohet pikë për pikë, sikurse qysh po kërkojnë për Asociacionin”, shprehet Ibrahimi.

Vendimi i ekzekutivit për zbatimin e reciprocitetit në targa dhe dokumente të hyrje-daljes është shtyrë, me kërkesë të Ambasadës së SHBA-së, derisa sheshin e Mitrovicës së Veriut vazhdojnë të dominojnë grafitet në të cilat shkruhet: “S’ka dorëzim, KM mbetet”.

Reciprociteti për targa dhe dokumente pritet të fillojë së zbatuari nga 1 shtatori.