Arbëri

Shqiptarë e serbë, titullarë të pronave të shpronësuara në veri

Në krah të vendimit të Qeverisë për shpronësimin e tokave në veri, ka dalë presidentja Vjosa Osmani. Një ditë pas reagimit të ndërkombëtarëve, Osmani tha se shpronësimet po bëhen në përputhje me ligjin. Ani se BE-ja dhe QUINT-i shprehën shqetësimin se me vendimin e Qeverisë preket komuniteti serb, shpronësimet përfshijnë edhe pronat e shqiptarëve.

Afër 130 hektarë tokë do të shpronësohet në Leposaviq e Zubin Potok pas vendimit përfundimtar të Qeverisë që ato të vihen në shfrytëzim për projekte me interes publik. Prej tyre 96 në Leposaviq e 34 në Zubin Potok.

Në Leposaviq shpronësimet do të bëhen në Bistricë, Bistricë e Shalës, Dren, Leshak dhe Koshotovë. 
Ndërkaq në Zubin Potok, përveç në qytet, edhe në fshatrat Bërnjak, Bregu i Madh, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.

Ndonëse vendimi u mor për interesin e përgjithshëm, vendet e QUINT-it, BE-ja dhe OSBE-ja i reaguan Qeverisë, dhe i kërkuan që të përkushtohet në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë.

Por, në mesin e pronarëve që do t’u preken hiset nga shpronësimi, nuk ka vetëm serbë. Ka edhe pronarë shqiptarë. 

Shpronësimi nuk kufizohet vetëm në prona private, por përfshin edhe ato shoqërore e gjithashtu edhe ndërmarrje publike.

Vetëm në Bistricë të Shalës, që ndodhet në Komunën e Leposaviqit, do të shpronësohen 5 prona të katër shqiptarëve me sipërfaqe prej afër 4 hektarësh.

Në Leposaviq preken pronat private të 10 pronarëve serbë të cilat janë kryesisht male e kullosa.

E në Zubin Potok do të shpronësohen pronat private të 56 pronarëve serbë, shumica e të cilave janë male, kullosa, ara e livadhe. 

Nga to do të shpronësohen 9 shtëpi, prej të cilave disa edhe me oborre.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kthyen përgjigje se cilat do të jenë projektet infrastrukturore veç e veç që synohet të realizohen në këto prona. 

Por, në një reagim ndaj vendeve të QUINT-it e BE-së, ku thanë se shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria e jo nga etnia, Qeveria bëri të ditur se investimi përfshin edhe stacione të policisë.
Në mbështetje të vendimit të Qeverisë të premten doli presidentja Vjosa Osmani.

“Është zbatuar edhe ligji ynë, edhe kërkesat tona kushtetuese dhe edhe kërkesat e standardeve të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe shpronësimet vazhdojnë në përputhje me ligjin pa asnjë tendencë për diskriminim të askujt”, tha Osmani.

Në mungesë të objekteve të tilla, Policia në Zubin Potok, operon në kontejnerë, në kushte jo të favorshme. 

Në këtë hapësirë është paraparë edhe ndërtimi i njërit prej stacioneve. 

Në mbledhjen e Qeverisë të 30 majit ku u mor vendimi për shpronësim, u tha se kjo u bë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës.