Shqipëria ka shtyrë për pesë vjet të tjerë moratoriumin e gjuetisë. Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin që do të zgjasë moratoriumin e gjuetisë edhe për pesë vjet të tjerë. Qëllimi i këtij projektligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.
Ky projektligj që do t’i dërgohet për miratim Parlamentit, përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se ky projektligj është vazhdim i dy ligjeve që i kishte mbaruar afati. Kumbaro theksoi se vendimi për zgjatjen me 5 vite të moratoriumit u bë pasi janë parë efekte pozitive nga dy ligjet e mëparshme.
Sipas ministres, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës.
“Projektligj i ri që është në vazhdim të dy ligjeve që i kishte mbaruar afati dhe është shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Ka pasur dy ligje më parë, një për vitin 2014-2016 dhe një tjetër në 2016-2021 që i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar efekte pozitive të masave të marra, në lidhej me faunën e egër, por sidomos me shpendët e egër, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës. Në vitin 2016, në censusin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë lloje shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptarë, ndërsa në vitin 2021 jemi në rreth 140 mijë lloje të tilla. Shpallja e këtij moratoriumi kufizon ndjeshëm edhe kërkesën për t’u pajisur me leje armësh gjahu. Në vitet e para janë sekuestruar mbi 800 armë gjahu”, tha Kumbaro.
Kjo është hera e tretë që Qeveria e Shqipërisë kërkon moratorium gjuetie në vend.
Moratoriumi i parë 2-vjeçar i gjuetisë ishte për periudhën mars 2014 - mars 2016. Për shkak se nga moratoriumi erdhën rezultate pozitive sa i përket shtimit të faunës, përfshirë disa specie që ishin në rrezik për zhdukje, sipas specialistëve ishte i domosdoshëm vazhdimi i moratoriumit. Andaj, shtyrja u bë për 5 vjet, 2017-2021.
Sipas projektligjit të miratuar nga Qeveria dhe që do të depozitohet për miratim në kuvend, shkeljet e këtij Ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si: Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800.000 lekë (më shumë se 6.500 euro) deri në 1.000.000 lekë (rreth 8.200 euro). Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara , përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.