Arbëri

Shqipëria pajisi me pasaportë një kosovar të dënuar për vrasje

Presidenca e Shqipërisë i ka dhënë shtetësinë shqiptare një personi nga Deçani që ishte dënuar për vrasje.

Deçanasi kishte kryer vrasjen kur ishte i mitur, por kishte ikur për në Shqipëri dhe ka ndërruar shtetësinë, duke e marrë pasaportën shqiptare. Ai ka marrë emrin Bledar Tahiraj, por bëhet fjalë për A. H.

Fakti është zbuluar pasi Gjykata e Pejës më 9 gusht të këtij viti kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg” për deçanasin për “falsifikim të dokumenteve.

Bledar Tahiraj ose A. H. nga Deçani Kosovës, është arrestuar para pak ditësh në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli qysh nga koha e UNMIK-ut. Ndalimi i Tahirajt u krye për qëllim ekstradimi në drejtim të Kosovës.

Gjykata e Durrësit, aty ku Tahiraj ka vendbanimin prej disa vjetësh, ia ka caktuar të enjten masën e burgimit me afat 40 ditor ndaj Tahirajt, duke qëndruar në pritje të mbërritjes së letërporosisë nga Kosova për ekstradimin e tij.

Deçanasi kishte shumë vjet që jetonte në Durrës. Ai strehohej në këtë qytet pasi kishte kryer një vrasje në Kosovë gjatë kohës kur ishte i mitur. Ai vrasjen e kishte kryer në Deçan dhe nga ajo ditë ishte larguar nga Kosova dhe kishte falsifikuar identitetin. Qëndroi në Shqipëri me vjet duke bërë që dënimi për vrasjen e kryer t’i parashkruhej. Por, megjithatë ai ka arritur të marrë shtetësinë e Shqipërisë me një identitet të rrejshëm.