Arbëri

Shqipëria në KiE do të kërkojë të shpallen të pabaza pretendimet e bëra nga Dick Marty

Të mërkurën në Këshillin e Evropës, Shqipëria do të kërkojë të rishikohet Rezoluta e propozuar nga ish-raportuesit zviceran Dick Marty, dhe të shpallen të pabaza pretendimet për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.

Një delegacion i Parlamentit të Shqipërisë do të jetë të mërkurën në Strasburg të Francës rreth orës 15:00.

Kryeminsitri Edi Rama do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për afro një orë me një fjalim ku do të kërkojë të bëhet rishikimi i Rezolutës 1782.

Vetë Rama e kishte paralajmëruar një kërkesë të tillë në KiE, kur Shqipëria miratoi në muajin korrik në Kuvend, Rezolutën kundër raportit të Dick Marty, pasi akuzat e bëra prej tij, sipas rezolutës së miratuar, janë totalisht të pabaza dhe nuk janë vërtetuar në të gjithë këto vite dhe njollosin një luftë të drejtë të popullit të Kosovës.

Një kërkesë të tillë kryeministri i Shqipërisë, Rama e bëri edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Rama kërkoi nga OKB-ja që ta pranojë kërkesën e Shqipërisë për ta paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Marty, që sipas tij ka nxirë qëllimisht UÇK-në, por edhe vetë historinë e Kosovës. Rama tha se ky raport është një trillim dhe fantazi, por e cilësoi si edhe më të rëndë faktin që mbi atë se çfarë politikani zviceran shkruante në 2011, sot mbahen padrejtësisht në burg drejtuesit e UÇK-së.

“Sa pëmendet fjala Ballkan, vijnë imazhet e njollosura të krimeve njerëzore, të gjenocidit në Srebrenicë dhe spastrimin njerëzor në Kosovë, llogaridhënia duhet të vazhdojë, por kjo kërkon angazhim dhe vendosmëri ndaj idealeve të drejtësisë dhe bashkëpunimit mes palëve, drejtësia shërbehet me fakte, prova dhe me të dhëna, nuk mund të mos ndaj një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë një mësim për botën. Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të EVropës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifestit kundër pavarësisë së Kosovës. Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin, ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë enjë organizatë kaq të rëndësishme”, tha Rama gjatë fjalës së tij në asamblenë e Përgjithshme të Kombeve Bashkuara.