Termocentralet lundruese, që janë ankoruar në Gjirin e Vlorës, do të fillojnë të prodhojnë brenda muajit tetor 15 për qind të sasisë së energjisë vjetore që u duhet ekonomisë dhe familjeve në Shqipëri. Sipas ekspertëve, kostoja e qirasë është tri herë më e ulët se që do të kushtonte blerja e energjisë së njëjtë që prodhojnë këto dy termocentrale
Dy termocentrale lundruese, që janë ankoruar në Gjirin e Vlorës, në Detin Jon, do të fillojnë të prodhojnë brenda muajit tetor 15 për qind të sasisë së energjisë vjetore që u duhen ekonomisë dhe familjeve në Shqipëri.
Sipas ekspertëve vendës, energjia e prodhuar nga dy termocentralet lundruese, të marrë me qira për dy vjet nga kompania amerikane "Excelerate Energy”, do të ketë një kosto tri herë më të ulët sesa e njëjta energji të importohej.
“Aktualisht jemi në fazën e zbatimit të kontratës, po punohet për bërjen të mundur të ankorimit dhe lidhjen me rrjetin e impianteve gjeneruese lundruese me kapacitet të instaluar në total prej 110 MW. Brenda muajit tetor 2022, pritet që impiantet lundruese të jenë në operim të plotë. Nevoja për marrjen me qira të këtyre aseteve ndihmon jo vetëm në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë në kohë sa më të shpejtë, por edhe rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike”, deklaroi Ergys Verdho, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare(KESH). Çmimet e larta të energjisë në bursë dhe situata hidrike ende problematike nënkuptojnë për Korporatën Elektoenergjetike Shqiptare (KESH) një vjeshtë dhe dimër të vështirë. Varësia e lartë nga burimet hidro të prodhimit të energjisë në Shqipëri, vlerësohet se ka një rrezik të lartë për përmbushjen e detyrimit për shërbim publik me kosto të ulët për klientët fundorë, kjo për arsye se prodhimi i energjisë elektrike, ndryshe nga furnizimi, i cili është i vazhdueshëm për 12 muaj të vitit, është i përqendruar në 6-mujorin e parë të vitit, ku tepricat e energjisë (oferta) ndikojnë në uljen e çmimeve të tregut vendës dhe atij rajonal dhe 6-mujori i dytë për shkak të uljes së prurjeve dikton prodhim të ulët e për pasojë edhe import me çmim të lartë. Si pasojë e situatës jo të favorshme hidrike, prodhimi i energjisë për këtë periudhë në Shqipëri rezulton në 1,711 GWh ose 28 për qind më pak krahasuar me 2,377GWh të prodhimit shumëvjeçar për të njëjtën periudhë.
Ndonëse të ndodhur në kushte të tilla, sasia totale e energjisë e siguruar për klientët nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) dhe Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) llogaritet në 2,495,449 MWh. Kjo sasi është siguruar nga prodhimi i HEC-eve të administruara nga KESH (1.699.505 MWh - 68%) dhe 795,944 MWh (32%) nga importi + shkëmbimi me KEK-un (sipas marrëveshjes të shkëmbimit).
Në aspektin financiar, kostot për blerjen e 752,306 MWh deri tani nga ana e KESH-it kanë arritur në 173,1 milionë euro.
“Aktualisht sfida më e madhe me të cilën përballet KESH-i mbeten çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Një tjetër sfidë, por jo vetëm e KESH, por e gjithë qytetarëve shqiptarë, është kursimi i energjisë, i cili, në kushtet e sotme është obligim qytetar”, thotë Ergys Verdho.
Shqipëria dhe Kosova do të kenë Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX). Pas 19 muaj zvarritjeje dhe dy shtyrjesh, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në mbledhjen e fundit të Bordit ka licencuar Bursën Shqiptare të Energjisë, në veprimtarinë e operimit të tregut të energjisë elektrike. Licenca do të ketë një kohëzgjatje 5-vjeçare. Vendimi u mor pas plotësimit të dokumenteve që ishin domosdoshmëri për funksionimin e saj. Licencimi i Bursës Shqiptare të Energjisë do t’i hapë rrugë nisjes së operimit në muajin nëntor për tregun e ditës në avancë, ndërkohë që në muajin janar 2023 parashikohet të nisë tregtimi për tregun e Kosovës dhe bashkimi i të dy tregjeve Shqipëri – Kosovë.
Po ashtu, parashikohet që në dhjetor të vitit 2023 të nisë tregtimi i energjisë elektrike brenda të njëjtës ditë për tregun e Shqipërisë dhe dy muaj më pas të bëhet bashkimi i tregjeve (Shqipëri & Kosovë) brenda së njëjtës ditë për të dy tregjet.
Ngritja e bursës shqiptare vlerësohet se merr një rëndësi të madhe, pikërisht në një kohë kur dy kompanitë e prodhimit të energjisë në Shqipëri e Kosovë, Koorpotata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Koorporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK) janë të detyruara të dalin në treg dhe të blejnë sasi energjie nga importi. Deri tani KESH-i dhe KEK-u kanë qenë të detyruar të dalin në tregun rajonal jashtë bursës, ku çmimi në tregun jashtë bursës mund të jetë deri në 100 euro për megavat më i lartë.
Specialistë të sektorit të energjisë në Shqipëri argumentojnë se nëse KESH-i dhe KEK-u do të anëtarësoheshin në Bursën e Budapestit, gjithsesi do të përballeshin me mangësi dhe kosto shumë të mëdha, siç është ngrirja e miliona eurove si garanci, në kohën kur paratë buxhetit të shteteve u duhen këtyre vendeve. Së dyti, të gjithë energjinë e regjistruar në bursë, kompanitë, në rastin konkret KESH-i dhe KEK-u, janë të detyruara ta blejnë me kontrata paraprake (pra, për javët, muajt, tremujorët apo për vitin e ardhshëm).
Ndërkohë që për këtë rast ekziston rreziku që paratë e parapaguara mund edhe të humbin në rast se blerësi nuk siguron mjetet e duhura të transmetimit, transportit të kësaj energjie, aty ku është prodhuesi dhe ku ndërmjetësi i Bursës së Budapestit e ka gjetur furnizimin, për në Shqipëri apo Kosovë.
Aktualisht KESH-i po blen energji nga operatorë privatë jashtë bursave ndërkombëtare, ku pagesa kryhet pasi të arrijë sasia e importuar e energjisë në Shqipëri dhe i gjithë rreziku i transmetimit të energjisë deri te blerësi mbahet nga shitësi privat i energjisë.
Konfindustria (Konfederata e Industrialistëve shqiptarë) kërkon që të përshpejtohet si një domosdoshmëri krijimi i Tregut të Përbashkët të Energjisë Shqipëri- Kosovë . Konfindustria vlerëson se pasojat e krizës globale të energjisë do të jenë shkatërrimtare për biznesin prodhues, industritë dhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës me falimentime masive, papunësi dhe deri rrezikim të rendit kushtetues, nëse nuk merren masa parandaluese.