Arbëri

Shqipëria e para në botë për azilkërkues në raport me numrin e popullatës

Sipas statistikave, për çdo 1.000 banorë, 5 prej tyre kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të BE-së në shtatë muajt e parë të këtij viti. Lart në listë Shqipërinë e ngre numri i madh i azilkërkuesve në Britani të Madhe. Në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkues në këtë vend

Shqipëria renditet e para në botë, ndërsa Kosova e nënta për aplikimet për azil në raport me popullsinë për 7-mujorin e parë të vitit.

Sipas statistikave të Eurostatit, pas Shqipërisë renditen shtete si Eritreja, Afganistani, Venezuela, Moldavia, Armenia, Tunizia dhe më pas janë Maqedonia e Veriut e Kosova.

Shqipëria kryeson me kërkesa për azil, në raport me popullsinë, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE.

Për çdo 1.000 banorë, 5 prej tyre kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të BE-së.

Shqipëria në krye të listës botërore për azil është vënë si pasojë e numrit të madh të shtetasve që ia kanë mësyrë Mbretërisë së Bashkuar, pas zbutjes së masave të pandemisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, vetëm për 6-mujorin e parë të vitit azil kërkuan 7.267 shtetas të Shqipërisë, më shumë sesa në gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Për Britani vendin e parë për azil e mban Irani, por vetëm si numër, jo si përqindje në raport me popullsinë.

Në raport me popullsinë, Shqipëria ka 2.6 aplikime në Britani për 1.000 banorë, kundrejt Iranit me 0.1 aplikime për 1.000 banorë.

Shqipëria llogaritet se ka 2.8 milionë banorë.

Në fakt, numri i personave që futen në Mbretërinë e Bashkuar është më i lartë, por jo të gjithë kërkojnë azil. Mediat britanike raportojnë se 12.000 shtetas nga Shqipëria kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit përmes detit. Duke përfshirë dhe hyrjet në Mbretërinë e Bashkuar, në total janë 14 mijë aplikime nga shqiptarët në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e parë të vitit.

Sekretarja e Brendshme e Britanisë Madhe, Suella Braverman, tha se shqiptarët janë tashmë grupi më i madh i atyre që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla për të mbërritur në ishull.

Braverman tha në fillim të javës se Anglia jugore po përballet me një "pushtim" të emigrantëve, ndërkohë ka akuzuar gjithashtu "shumë" shqiptarë për "abuzim me ligjet moderne të skllavërisë".

Javën e kaluar Braverman tha se 12.000 shqiptarë janë futur në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit, pasi kaluan Kanalin, ndërkohë që në vitin 2020 kaluan vetëm 50 shqiptarë. Nga ky grup 10.000 ishin burra, të cilët përfaqësojnë 1% të popullsisë së rritur mashkullore të Shqipërisë.

Deklaratat e sekretares së Punëve të Brendshme të Britanisë Madhe, Suella Braverman, ka hasur në reagimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Shefi i Qeverisë së Shqipërisë ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po përdor shtetasit shqiptarë si “kokë turku” për të justifikuar “politikat e dështuara” mbi kufijtë dhe migracionin, raportoi BBC-ja. Edi Rama foli për BBC-në edhe për deklaratën e sekretares Braverman se “Britania e Madhe po pushtohet”.

"Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program", tha Rama. Sipas tij, fjala "pushtim" ishte çmenduri dhe se ai e pati “të pamundur të mos reagonte".

"Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe me gjetjen e një koke turku për fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara mbi kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. Nuk është gjë tjetër veçse nxitje e ksenofobisë dhe synim është veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë”.

Kjo deklaratë e Ramës u bë pasi ai më herët në Twitter shkroi se Britania e Madhe po diskriminon shqiptarët për të hequr vëmendjen nga "dështimet e politikave".

Zyra e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka reaguar në lidhje me kritikat e kryeministrit Rama në BBC. Në reagimin e zyrës së shefit të qeverisë britanike theksohet se Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe i është mirënjohëse për punën për të trajtuar kontrabandistët e njerëzve. “Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe është mirënjohëse për punën që bën për të trajtuar kontrabandistët e njerëzve”, ka thënë zëdhënësja e kryeministrit Rishi Sunak. “Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta”.