Shqipëria depoziton në Kosovë 2760 megavatorë energji, afërsisht sa 1/3 e gjenerimit aktual të Kaskadës së Drinit. Nga përfaqësues të institucioneve prodhuese të energjisë bëhet e ditur se ka shumë vite që Shqipëria e Kosova ndihmojnë njëra-tjetrën në situata të vështira.
“Energjia e Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL) për shërbim publik që KESH-i i detyrohet OSHEE Group (Operatori i Shpërndarjes Energjisë Elektrike) është 800 megavatorë. Gjenerimi i Kaskadës është 9500 megavatorë. Depozitimi në KEK është 2760 megavatorë. Importi i kontraktuar që në muajin shkurt është 1200 megavatorë nga data 1 prill deri me datën 1 korrik. Pritshmëritë janë që deri me datë 17 prill niveli i liqenit të Fierzës të jetë 276 metër. Prurjet do të jenë 350-400 metër kub në sekondë për një rezervë energjetike të rritur deri në 650 GWh”, deklaroi drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) Ergys Verdha.
Drejtori i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në Shqipëri, Petrit Ahmeti, ka vlerësuar lart marrëdhëniet me Kosovën.
“Ka shumë vite që nuk bëhen shkëmbime të energjisë, por në këtë rast pjesë e shkëmbimit është një marrëdhënie e cila ne jo vetëm ndihmojmë njeri-tjetrin, por zgjidhim edhe situata të ndryshme, qoftë në Kosovë, qoftë edhe në Shqipëri. Dhe unë dua ta vlerësoj këtë fakt, i cili është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Ahmeti.
Drejtori i Operatorit Sistemit të Transmetimit (OST), Skerdi Drenova, thotë se linja e interkoneksionit 400 kilovatë Shqipëri-Kosovë është e gatshme për të balancuar energjinë.
“Linjat e interkoneksionit janë të pangarkuara dhe në stadet optimale për të përballuar importin apo çdo lloj nevoje që mund të ketë KESH-i për të eksportuar apo për të balancuar energjinë, të cilën mund të jemi të detyruar ta prodhojmë dhe ta depozitojmë në Kosovë”, tha Drenova, drejtor i OST-së.
Situata në kaskadën e Drinit ka vijuar përmirësimin dhe të dhënat e fundit tregojnë se niveli i Fierzës ka shkuar në kuotën 269.78 metra mbi nivelin e detit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëri publike të dhënat këtë të premte, ku niveli në liqenin e HEC-in e Komanit ishte 172.80 metra mbi nivelin e detit dhe në HEC-in e Vaut Dejës 73.86 metra.
Prurjet në HEC Fierzë janë 400 m3/s, në HEC Koman 140 m3/s dhe HEC Vau i Dejës 10 m3/s. Prodhimi ditor në kaskadë në të tre HEC-et është 5,469 MWh (ditor), duke përbërë rreth 1/4 e sasisë së konsumit në vend.