*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!
Nga të dhënat e pyetësorit online që është realizuar nga KOHA, del se 21.6 për qind e të rinjve e vlerësojnë të dobët sistemin e arsimit në Kosovë e 16.5 për qind të tjerë se shërbimet shëndetësore nuk janë të mira. Pas tyre pasojnë shqetësimet për pagat e ulëta, për mungesën e perspektivës, papunësinë, banimin dhe migrimin. Pjesa më e madhe e të anketuarve apo 37.5 për qind, kanë thënë se nuk e dinë nëse duhet adresuar këto shqetësime në Qeverinë e re, ndërsa 36.6 për qind janë deklaruar se nuk do t’i drejtohen, meqë nuk merren parasysh nga ajo
Florinda Abazi
Cilësia e dobët e sistemit arsimor në vend është vlerësuar si çështja që i preokupon më së shumti të rinjtë në vend. Të dhënat janë nxjerrë nga një pyetësor i realizuar nga KOHA.
Në pyetësor online me titull “Çfarë duhet të bëjë Qeveria e re për të rinjtë?”, në pyetjen se cili është shqetësimi kryesor i të rinjve në Kosovë, nga mbi 900 të anketuar 21.6 për qind prej tyre u përgjigjën për sistemin e dobët në arsim. Të rinjtë kanë shprehur ankesa edhe për shërbimet jo të mira në shëndetësi (16.5 për qind), për pagat e ulëta (15.4), mungesën e perspektivës (15.3), papunësinë (10.9), pamundësinë për siguruar banimin (10) dhe për fenomenin e migrimit (9.3). Rezultatet kanë nxjerrë se 36.6 për qind e të rinjve nuk mendojnë t’i adresojnë shqetësimet e tyre në Qeverinë e re, sepse nuk do të merren parasysh, ndërsa 37.5 për qind të tjerë se nuk dinë nëse duhet drejtuar asaj.
Se Qeveria e re do t’i adresojë nevojat e tyre janë deklaruar 26 për qind e të anketuarve.
Sociologu Avni Rudaku përmendi disa arsye që, sipas tij, kanë prodhuar këtë opinion.
“Përqendrimi në rezultate të maturës, testeve të kota e mekanike të arritshmërisë dhe jo në zhvillimin e aftësive të rinisë; shumë shkolla janë të paaftë të ofrojnë mësim cilësor për shkak të mungesës së burimeve; përpjekjet për përmirësim të arsimit janë shpesh pa koordinim të duhur; kualifikimet e mësuesve dhe profesorëve shpesh janë të papërshtatshme për nevojat e sotme të nxënësve dhe studentëve; shpërndarja e burimeve është joproporcionale midis qyteteve dhe fshatrave; mungesa e mundësive për të rinjtë për t’u angazhuar në aktivitete praktike; si dhe mungesa e lidhjeve të forta ndërmjet arsimit dhe tregut të punës”, janë disa nga problematikat që ka numëruar Rudaku.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se mendimi kritik nëpër shkolla fillore do të bënte që të ndryshohej një mendim i tillë. Për nivelet e larta të arsimimit Qehaja përmend një zgjidhje tjetër.
“Në nivelin e dytë, tretë e të katërt, pra nga shkolla e mesme e lartë e tutje, ku përfshihet edhe universiteti, me prioritet dhe në fokus duhet të jenë profilet e studimit që në të vërtetë i shërbejnë punësimit të të rinjve. Pra, jo profile të studimit vetëm për regjistrim e diplomim, po profile për të cilat ka nevojë tregu i punës, profile që tregu i punës ofron dhe gjeneron një pagë të mirë dhe mundëson një zhvillim të mirëfilltë në karrierë”, ka theksuar Qehaja.

Çështja e cilësisë së dobët të arsimit në Kosovë është ngritur në vazhdimësi, ndër vite. Shqetësimet janë rritur sidomos pas matjeve ndërkombëtare të nivelit të dijes së nxënësve.
Dhjetorin e vitit të kaluar në testin ndërkombëtar TIMMS nxënësit kosovarë u renditën në fund të listës në fushën e shkencës dhe të matematikës. Edhe në testin PISSA të realizuar në 2022, të rinjtë e Kosovës nga 80 vende pjesëmarrëse u renditen ndër të fundit.

Marigona Shabiu, drejtuese e organizatës së të rinjve “YIHR”, thotë se për asnjë qeveri deri tash arsimi nuk ka qenë prioritet.
“Sistemi i arsimit fatkeqësisht asnjëherë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie që nga përfundimi i luftës dhe si pasojë po përballemi me një sistem të dobët. Kjo dëshmohet edhe me buxhetin jashtëzakonisht të ulët që dedikohet për këtë sektor ndër vite. Në vazhdimësi janë bërë reforma të ndryshme, por që këto reforma nuk kanë qenë të planifikuara mirë e as të koordinuara me akterët relevantë e sidomos ata në nivelin lokal”, ka deklaruar Shabiu.
Nga pyetësori online i KOHËS, 21.9 të të anketuarve presin nga Qeveria e re investime në arsim, 18.8 investime në shëndetësi, e të tjerët në përqindjet mes 10 e 15 presin paga më të mira, politika frenuese të migrimit, vende të reja pune, subvencionim të banimit dhe mbështetje të ndërmarrësisë.