Arsyet e dorëheqjes së tyre nuk janë bërë të ditura nga Policia. Por, pas publikimit të lajmit për to kanë reaguar përfaqësues shtetërorë dhe ata ndërkombëtarë në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se dorëheqja e policëve është rezultat i kërcënimeve dhe i frikësimeve të vazhdueshme ndaj tyre nga Serbia. Giovanni Pietro Barbano, shef i misionit të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se e sheh me shqetësim këtë zhvillim. E të njëjtat shqetësime i kanë shprehur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde
Një muaj pasi që e kanë nisur detyrën, tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje të enjten nga Policia e Kosovës.
Këta dhe rreth 50 të rinj të tjerë serbë, të cilët kanë veshur uniformën e Policisë së Kosovës, janë përballur me një fushatë linçuese dhe me kërcënime nga përdorues serbë të rrjeteve sociale, me ta nisur detyrën muajin e shkuar.
Arsyet e dorëheqjes së tyre nuk janë bërë të ditura nga Policia. Por, pas publikimit të lajmit për to, kanë reaguar përfaqësues shtetërorë dhe ata ndërkombëtarë.
Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se dorëheqja e policëve është rezultat i kërcënimeve dhe i frikësimeve të vazhdueshme ndaj tyre nga Serbia.
“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Giovanni Pietro Barbano, shef i misionit të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se e sheh me shqetësim këtë zhvillim.
“EULEX-i po i përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e Policisë duhet të reflektojë dhe të përfaqësojë shoqërinë që i shërben dhe e mbron. Anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre nëpërmjet punës së tyre të orientuar nga komuniteti”, ka shkruar Barbano në rrjetet sociale.
Të njëjtat shqetësime i ka shprehur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Ndajmë plotësisht këto shqetësime dhe përsërisim përkushtimin tonë ndaj forcës policore multietnike të Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime”, ka theksuar Hovenier, në një postim në Facebook.
E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur pritjen që të gjithë pjesëtarët e Policisë të mund t’i ushtrojnë detyrat e tyre pa frikë.
“Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Policët e rinj serbë janë rekrutuar për të shërbyer në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë. Rekrutimi i tyre është bërë pasi që në nëntorin e vitit të shkuar, përfaqësues të këtij komuniteti kanë zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës, si pjesë e dorëheqjes kolektive të zyrtarëve serbë në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin-Potok, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë që targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbia të zëvendësoheshin me ato RKS.
Dorëheqjet i patën paraqitur 550 policë serbë, që në Policinë e Kosovës ishin integruar në bazë të marrëveshjes së 2013-s në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve.
Për ta mbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë kanë shpallur konkurs për pranimin e policëve të rinj.