Në tetor bëhen 4 vjet nga zgjedhjet e fundit lokale. E bazuar në ligj, presidenti duhet t’i shpallë të rejat jo më vonë se 4 muaj e jo më herët se 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Monitorues të proceseve elektorale theksuan se periudha e mbetur është e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka listuar problemet e identifikuara që i kanë përcjellë zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, por zyrtarë në këtë institucion kanë thënë të enjten se jo të gjitha mund të evitohen për zgjedhjet lokale.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka theksuar se pas punëtorisë që është mbajtur në fundjavë, do të adresohen rekomandimet.
“Presim që në ditët në vazhdim të merremi ekskluzivisht me rekomandimet të cilat i kemi nxjerrë për t’i adresuar saktë edhe përgjegjësitë, por në të njëjtën kohë edhe ndryshimet që duhet të bëhen sa më shpejt, në mënyrë që kurdo që shpallen zgjedhjet atëherë ne të jemi të gatshëm ta krijojmë një plan operacional, i cili i shërben pastaj secilit operacion më vete deri në kohën kur do të vijnë zgjedhjet”, ka thënë ai.
E, tek ka folur për telashet me të cilat KQZ-ja është përballur, Gashi ka bërë fajtor ndryshimet ligjore e lëvizjet e brendshme në KQZ.
“I kemi adresuar edhe sfidat, edhe rekomandimet se çka duhet bërë që procesi i ardhshëm i zgjedhjeve lokale të mos na gjejë me disa defekte të cilat kanë rrjedhë qoftë nga ndryshimet ligjore, edhe defektet e brendshme të cilat kanë rrjedhë nga lëvizjet në administratë, organogramin e brendshëm, i cili ka rrjedhë nga ndryshimet e ligjit për financimin e subjekteve politike dhe nga ndryshimet e ligjit për zyrtarët publikë”, ka thënë Gashi.
Nga problemet, ai ka veçuar votimin që bëhet jashtë shtetit. Anëtari i PDK-së në KQZ ka paralajmëruar se deri në zgjedhjet lokale mund të mos evitohet problemi që mundëson manipulimin me votën me postë.
“Me këtë ligj në fuqi mundësia e manipulimit të procesit nga ata që kanë vullnet të manipulojnë është jashtëzakonisht e madhe dhe e pamundur që të monitorohet ose kontrollohet qoftë nga KQZ-ja apo dikush tjetër, për shkak se ai operacion mbahet larg syve të KQZ-së dhe mekanizmave vendës që janë të përfshirë në këtë proces”, ka thënë Gashi. “Ka shumë çka duhet të bëhet sa i përket votës së diasporës, sepse vullneti i qytetarëve atje është lehtësisht i manipulueshëm dhe unë frikësohem që në zgjedhjet lokale, ku rezultatet janë afërsisht gjithmonë të ngushta mes kandidatëve për kryetarë të komunave, mund të na bien në situata ku manipulimet e mundshme atje të determinojnë edhe zgjedhjen e kryetarëve të komunave në Kosovë”.
E hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka vlerësuar se shumë prej problemeve të evidentuara mund të evitohen vetëm nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Por, ka thënë se periudha e mbetur deri në zgjedhjet lokale është e pamjaftueshme për këtë.
“Me afatet aktuale nuk pritet që të kemi qeveri e parlament të ri funksional, të paktën deri nga fundi i muajit prill, nëse jo fillimi i muajit maj. E fillimi i muajit maj është periudhë shumë e shkurtër kohore për shkak se, sipas Komisionit të Venecias, ndryshimet esenciale në raport me procesin zgjedhor duhet të kenë një periudhë prej të paktën 6 muajsh që të njëjtat të implementohen e madje në raste të caktuara parashihet që kjo periudhë të jetë deri në një vit në mënyrë që institucioneve t’u ofrohet kohë e mjaftueshme”, ka thënë Cakolli.
Sipas tij, që procesi zgjedhor të përmirësohet, ligjvënësit e rinj duhet të trajtojnë reformën zgjedhore në tërësinë e saj.
“Mbes me shpresën që ligjvënësit e rinj do ta trajtojnë reformën zgjedhore në tërësinë e saj duke mos u kufizuar vetëm në çështjet kozmetike, por për të trajtuar çështje që prekin edhe nivelin qendror, por edhe ndryshimet e tjera në zgjedhjet e nivelit lokal”, ka thënë Cakolli.
KQZ-së i janë dashur 46 ditë kohë për ta përmbyllur procesin zgjedhor, nga dita e zgjedhjeve e deri te certifikimi i rezultateve.
Që nga mbyllja e kutive të votimit, KQZ-ja është përballur me telashe me sistemin elektronik për publikimin e rezultateve, e probleme teknike janë evidentuar edhe gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të atyre për subjekte politike.
Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Zgjedhjet, procesi i numërimit të votave të deputetëve është ndarë në disa faza. Pas atij të zhvilluar ditën e votimit, në secilën prej komunave në Qendra Komunale të Numërimit, është dashur të numëroheshin votat e kandidatëve për deputetë e të verifikoheshin ato për subjekte politike.
Numërimi i tyre nisi me vonesë e fillimisht në vetëm katër komuna nga 38 gjithsej. Qendrat Komunale të Numërimit u përballën me telashe, nisur nga ato me mungesë të rrymës e ngrohjes, te problemet me sistemin e deri te kacafytjet mes vëzhguesve e komisionerëve.
Zgjedhjet e fundit lokale janë organizuar në tetor të 2021-tës. Sipas ligjit, presidenti duhet t’i shpallë të rejat jo më vonë se 4 muaj e jo më herët se 6 muaj para datës së zgjedhjeve.