Granata

Shpërthimi në “Lagjen e profesorëve”, ekspertët alarmojnë për cenim të sigurisë publike

Në Prishtinë, në “Lagjen e profesorëve” ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë janë dëmtuar gjashtë vetura. Sipas Policisë së Kosovës, mjeti shpërthyes dyshohet se ka qenë një granatë dore, ku pos dëmeve materiale nuk ka të lënduar. E, ekspertë të sigurisë alarmojnë për cenim të sigurisë publike në Prishtinë. Sipas tyre, kjo është pasojë e mosfunksionimit të zingjirit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe atyre të drejtësisë

Gjashtë automjete janë dëmtuar nga shpërthimi që ka ndodhur mëngjesin e së premtes në rrugën “Zekirja Cana”, në “Lagjen e profesorëve” në Prishtinë. Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, zyrtarët policorë të Kosovës kanë bërë të ditur se bazuar në rezultatet e para, mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë një granatë dore. Dëme në njerëz nuk ka pasur. 

“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën ‘Zekirja Cana’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz. Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Gjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga ishte bllokuar për lëvizje, ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese e ka bërë pastrimin e terrenit.

Banorët e lagjes ku ka ndodhur rasti nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen nëse ndihen të rrezikuar nga raste të tilla, pasi ky nuk është rasti i vetëm i përleshjeve me armë zjarri që kanë ndodhur në kryeqytet. 

Në anën tjetër, ekspertë të sigurisë alarmojnë se raste të tilla po e rrezikojnë sigurinë publike në Prishtinë. 

“Përpos sigurisë në përgjithësi që kemi sidomos tek pjesa e sigurisë në veriun e Mitrovicës, po del se siguria publike është një problem mjaft serioz në territorin e Republikë së Kosovës e veçmas në Komunën e Prishtinës, sepse referuar fakteve dhe statistikave kemi një rritje serioze të numrit të personave dhe grupeve të cilët qoftë për llogari të shkëmbimit të çështjeve mes tyre, qoftë të rrezikimit në mënyrë të drejtpërdrejtë të qytetarëve kemi një numër rekord të rritjes dhe realisht këto veprime e cenojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë sigurinë e qytetarëve në përgjithësi e sidomos në Prishtinë”, ka thënë Bedri Elezi. 

Ai e ka përmendur rastin e para disa ditëve ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes disa grupeve, një kalimtare e rastit humbi jetën. Eksperti i sigurisë thotë se siguria publike në Prishtinë është njëri prej problemeve më serioze aktualisht. 

“Rritja e numrit të madh të rasteve tregon qartë për një efikasitet të dobët. Me një fjalë, zinxhiri i cili duhet të merret me këtë çështje duke filluar nga Policia e cila fillon zbatimin e veprimeve të para deri te Prokuroria e cila procedon tutje me kallëzimet penale dhe ngritjen e aktakuzave deri tek gjykatat... duket se Prokuroria dhe gjykatat janë mjaft dorëlirë në këto raste. Prishtina ka nisur të bëhet zonë interesi e grupeve kriminale, të cilat po veprojnë fuqishëm, madje kanë siguruar edhe zona të caktuara, ku dyshohet se ndoshta edhe Policia e Kosovës nuk e ka mjaftueshëm kontrollin e duhur”, ka theksuar Elezi. “Mund të themi se mosfunksionimi i mirëfilltë i bashkëpunimit mes strukturave, të cilat fillimisht janë strukturat policore deri tek ato të drejtësisë, është një arsye pse këto grupe apo këta qytetarë vendosin që të merren me çështje të tilla dhe rritet pa dyshim numri i tyre”. 

Lidhur me çështjet e ngritura nga Elezi, KOHA u ka adresuar pyetje Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës, por ende nuk ka marrë përgjigje.