Tregtia e kokainës është dukshëm më e madhe dhe gjeografikisht më e shumëllojshme se në çdo moment në histori, ndërsa trafikuesit shqiptarë kanë zgjeruar tregun në Evropë
Lordi i drogës tashmë i kishte shpëtuar ligjit në tre vende dhe ai planifikoi ta bënte sërish.
Në më pak se një dekadë, Dritan Rexhepi kishte ndërtuar një biznes kontrabande që shkonte nga fushat e Kolumbisë për te portet e Ekuadorit dhe deri në rrugët e Evropës, thanë hetuesit italianë e latinoamerikanë, shkruan “The Washington Post”. Ai kishte rivalizuar ndikimin e karteleve të fuqishme meksikane të drogës. Marka e tij, e gdhendur në paketimet e kokainës, ishte “Bello” – që përkthehet si “e bukur”.
Ngritja e shqiptarit në një “mbret” transatlantik është pjesë e një shpërthimi global në industrinë e kokainës, një tregti që është shumë më e madhe dhe më e shumëllojshme se që kishte qenë ndonjëherë.
Amerika e Jugut tash prodhon dyfish më tepër - nëse jo edhe më shumë - kokainë se që prodhonte një dekadë më parë. Kultivimi i kulturave të kokës në Kolumbi, nga ky buron origjina e shumicës së kokainës në botë, është trefishuar, sipas shifrave të SHBA-së dhe sasia e tokës e përdorur për të kultivuar përbërësin bazë të kokainës është pesëfishë më e madhe se që ishte në kohën e bosit famëkeq të drogës Pablo Escobar, i cili u vra në vitin 1993.
E prodhimi po vazhdon të rritet. Një rekord prej 2757 tonë kokainë u prodhua në gjithë vitin 2022, një rritje prej 20 për qind nga viti 2021, sipas raportit më të fundit nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC).
“Po shkon lartë e më lartë”, tha Thomas Pietschmann, një hulumtues në UNODC. “Disa vite më parë, njerëzit thoshin se e ardhmja janë drogat sintetike...Por tash për tash, është ende kokaina”.
Për dekada, konsumuesit e kokainës ishin kryesisht amerikanë dhe ndalimi i drogës ishte prioritet i qeverive të SHBA-së. Por, pavarësisht dhjetëra miliarda dollarëve të shpenzuar në luftën e SHBA-së kundër drogës në Amerikën Latine, industria jo vetëm që është rritur, por është globalizuar, me rrugë e tregje të reja dhe me sipërmarrje të reja kriminale.
Pothuajse çdo vend i Amerikës Latine është bërë një prodhues i madh apo transportues i drogës, me Ekuadorin tash një nga pikat më të rëndësishme të transitit të kokainës nëpër botë.
Kërkesa po rritet në Evropë, e cila po e rivalizon SHBA-në si destinacionin kryesor botëror për kokainë. Konfiskimet e kokainës në shtetet e BE-së u rritën për pesëfishë mes viteve 2011 dhe 2021, dhe tejkaluan ato në SHBA në vitin 2022. Derisa SHBA-ja mbetet treg masiv, përdorimi i kokainës ka rënë për 20 për qind aty që nga viti 2006, sipas UNODC-së.
Grupet kriminale ballkanike, italiane, turke e ruse janë përfshirë të gjitha në Amerikën Latine për një pjesë të hises. Pak kanë arritur të futen në tregun e kokainës, ashtu si grupet kriminale shqiptare, thonë hetuesit dhe analistët.
“Ne e dimë se nuk ka vetëm një kanal për kokainën”, tha Marco Martino, një zyrtar i lartë i policisë italiane që është i ngarkuar me koordinimin e operacioneve antidrogë. “Por, shqiptarët janë më të mirët dhe më të mëdhenjtë”.
Ndërsa prodhimi i kokainës po shpërthente, hetuesit thonë, se rrjetet kriminale shqiptare shfrytëzuan mundësinë që ajo ofronte. Këto grupe ishin vendimtare për dërgimin e drogës në Evropë dhe për nxitjen e konsumit në të gjithë kontinentin evropian.
Rexhepi 44-vjeçar, kishte ndërtuar pjesën më të madhe të perandorisë së tij nga një qeli e burgut në Ekuador, duke krijuar lidhje me bandat latino-amerikane e duke e kthyer burgun në një “seli” të tij.
Një avokat që e përfaqëson atë në Shqipëri nuk pranoi të komentonte.
Rexhepi, në Apel në vitin 2015, kishte mohuar çdo përfshirje në trafikimin e drogës, “qoftë edhe si bashkëpunëtor apo ndihmës”.
Por, në vitin 2021, Italia kërkoi ekstradimin e tij, duke paralajmëruar autoritetet në Ekuador në një letër dërguar nga Ambasada e saj në Quito, se Rexhepi ishte “lider i padiskutueshëm” i një rrjeti shqiptar të trafikut të drogës me shtrirje globale dhe qasje “në sasi të pafundme kokaine”.
Dalja e Rexhepit në skenë si një ndërmjetës i frikshëm e i fuqishëm nga burgu në provincën Cotopaxi ishte sinjal i humbjes së kontrollit të qeverisë në Ekuador. Por, me autoritetet në Romë që kërkonin burgimin e tij për trafikim droge, ai vendosi të lëvizte sërish.
Një gjykatës vendas, duke përmendur një urgjencë mjekësore, lëshoi urdhër që ai të mbahej në burg shtëpiak në një lagje të pasur në qytetin-port Guayaquil në gusht të vitit 2021, sipas zyrtarëve ekuadorianë.
Më pas, siç edhe pritej, Rexhepi u zhduk.
Ky hetim mbi zgjerimin global të biznesit të kokainës dhe ngritjes së trafikantëve shqiptarë të drogës është i bazuar në intervista me dhjetëra zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë në Ekuador, Kolumbi, Evropë dhe SHBA, anëtarë të bandave në Ekuador dhe mijëra faqe të dokumenteve gjyqësore nga Ekuadori, Shqipëria dhe Italia. Aty tregohet se si rrjetet kriminale të udhëhequra nga shqiptarët depërtuan në portet e Ekuadorit, në gjyqësor, sistemin e burgjeve dhe në forcat e sigurisë, për të marrë kontrollin e pjesëve kryesore të zinxhirit furnizues me kokainë dhe për të shkaktuar një “vërshim” të drogës në Evropë – një treg kokaine prej më shumë se 12 miliardë dollarësh në vit, sipas Agjencisë Antidrogë të BE-së.
“Me këto fitime, këto organizata arritën të përshkojnë të gjitha institucionet publike e private, duke korruptuar çdo strukturë”, tha në një intervistë ish-drejtori i antidrogës në Ekuador, gjenerali Willian Villarroel.
Sipërmarrësit e trafikut të drogës nga Shqipëria, një shtet me rreth 2.8 milionë banorë, nisën t’i rivalizonin kartelet më të fuqishme në botë duke punuar me ta, e jo kundër tyre, duke transformuar mënyrën se si drejtohet tregtia. Rrjetet e reja, thonë hetuesit, janë shpesh koalicione të ndryshme të grupeve kriminale të ndryshme e të pavarura, e jo kartele hierarkike dhe konkurruese e të dhunshme.
Europoli është në dijeni të dhjetëra klaneve apo grupeve kriminale të organizuara “shqipfolëse” që veprojnë aktualisht në Evropë, tha në një intervistë Robert Fay, kreu i njësisë antidrogë në Europol.
“Nuk ka të bëjë me atë se sa njerëz i keni. Ka të bëjë me aleancat e duhura që mund të krijoni”, thotë Fatjona Mejdini, një analiste shqiptare e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.
Nga qelia e tij e burgut në Ekuador, Rexhepi hapi rrugët. Ai u miqësua me drejtuesit e bandës së fuqishme ekuadoriane, Los Choneros, që po punonin tashmë për kartelin meksikan Sinaloa, sipas një prej anëtarëve themelues të bandës. Ai, si dhe disa tjerë të intervistuar për këtë artikull, folën në kushte anonimiteti nga frika për sigurinë.
Kjo çoi në partneritete strategjike si me trafikantë të Amerikës së Jugut ashtu edhe liderë të bandave nëpër Evropë. Qëllimi ishte i thjeshtë, thonë hetuesit dhe analistët: të shesin sa më shumë kokainë me fitim të bollshëm për të gjitha palët e përfshira.
“Rexhepi është pioner”, thotë Mejdini.

Rritja e prodhimit të kokainës
Shpërthimi i prodhimit të kokainës mund të gjurmohet te çmobilizimi i grupit më të madh rebel majtist në Kolumbi – Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC). Një marrëveshje historike paqeje me qeverinë e Kolumbisë në vitin 2016 i dha fund konfliktit civil më të gjatë në atë hemisferë, një konflikt në të cilin SHBA-ja luajti një rol kyç.
Që nga fillimi i pakos kundër narkotikëve dhe për sigurinë, i njohur si “Plan Colombia” në vitin 2000, SHBA-ja ka shpenzuar 14 miliardë dollarë në financim të Kolumbisë. Së paku 60 për qind prej saj i ka dërguar për ushtri dhe polici. Plani u fokusua kryesisht në luftimin e prodhimit të kokainës dhe eksportit të tij nga Kolumbia, të cilat FARC-u i kontrollonte.
Kur guerilët dorëzuan armët, grupe më të vogla të armatosura, të shtyra nga fitimi dhe jo nga ideologjia, u përfshinë në zonat e prodhimit të kokës.
Këta trafikantë droge “më nuk kishin interesa politike”, tha Leonardo Correa, kreu i misionit UNODC në Kolumbi.
“Ajo që ata duan është të nxjerrin drogën sa më shpejt të jetë e mundur, e të fitojnë sa më tepër para të jetë e mundur”, thotë Correa.
Në vend që të kultivojnë kokë nga fushat në pjesën qendrore të vendit, prodhuesit e kokainës në Kolumbi krijuan “enklava” në afërsi të kufijve dhe brigjeve të vendit, që të eksportonin më lehtë drogën. Këto enklava janë bërë “dyqane me një ndalim”, për një proces që ishte i shpërndarë më parë. Tash, kultivimi, nxjerrja dhe rafinimi i drogës e gjitha ndodh në të njëjtën zonë, para se të lëvizet në shtetin fqinj. Tre prej katër enklavave më prodhuese janë në kufi me Ekuadorin.
Prodhuesit madje kanë përmirësuar edhe vetë bimën, duke krijuar kultura hibride jashtëzakonisht produktive që nxjerrin më shumë alkaloidë nga sasia e njëjtë e gjetheve. Qeveria e Gustavo Petros, presidentit të parë majtist të Kolumbisë dhe një kundërshtues i ashpër i “luftës kundër drogës” të udhëhequr nga SHBA-ja, është zotuar t’i çmontojë rrjetet e trafikut të drogës. Por, ajo zhvendosi fokusin larg nga çrrënjosja e korrave të kokës. Analistët thonë se kjo vetëm ka nxitur me tej kultivimin dhe mund të tërheqë kritika të ashpra nga administrata e ardhshme e SHBA-së e Donald Trumpit.
Sasia e tokës së përdorur për të mbjellë kokë në Kolumbi është rritur për 10 për qind në vitin 2023, por produktiviteti i kësaj toke ka shpërthyer. Prodhimi i kokainës është rritur për 53 për qind, sipas UNODC-së. Si rezultat, këto enklava – që përbëjnë 14 për qind të territorit kolumbian që ka korra të kokës – prodhojnë 40 për qind të kokës në gjithë Kolumbinë, sipas UNODC.
Kjo ka bërë që zonat tjera të vendit të përballen me vështirësi t’i shesin të korrat e tyre të kokës.
Ndërsa grupet kriminale kolumbiane kanë industrializuar sistemin e tyre, mafiet evropiane kanë ofruar perspektivën e rrugëve të reja për t’i shmangur patrullimet e intensifikuara të SHBA-së përgjatë bregdetit të Kolumbisë.
Kokaina filloi të lëvizte në sasi më të mëdha nëpër vende tjera, duke përfshirë Ekuadorin, Kosta Rikan e Paraguain dhe në anije të destinuara për në Evropë.
Në Ekuador, një vend që nuk prodhon kokainë, autoritetet kapën më shumë drogë në vitin 2023 sesa konfiskimet totale të Perusë dhe Bolivisë, vendet e dyta dhe të treta më të mëdha sa i përket prodhimit të kokainës. Vitin 2024, deri në mesin e dhjetorit, Ekuadori kapi 251 tonë kokainë, nga 197 sa kishte kapur në vitin 2023. Më shumë se 81 tonë ishin të destinuara për në Evropë, krahasuar me vetëm rreth 18 sa ishin të destinuara për SHBA dhe Meksikë.
Për vetëm një kilogram kokainë, me vlerë rreth 2000 dollarë në Kolumbi, trafikantët e drogës mund të fitojnë deri 25 mijë dollarë duke e kontrabanduar në SHBA, por të paktën 31,500 dollarë nëse arrin në Evropë, sipas zyrtarëve të OKB-së dhe BE-së.
Në vitin 2022, për të gjashtin vit rresht, shtetet e BE-së raportuan një rekord të konfiskimeve të kokainës, ku Belgjika, Spanja dhe Holanda regjistruan numrin më të madh. Pothuajse 70 për qind e këtyre konfiskimeve të drogës ishin nga anije kontejnerësh që arritën nga Amerika Latine.
Pikë e rëndësishme transiti
Ishte një nga konfiskimet më të mëdha të kokainës në botë – dhe autoritetet e gjetën krejt rastësisht.
Në fund të janarit, oficerët ushtarakë ekuadorianë po hetonin për disa sasi armësh dhe eksplozivësh në një fermë derrash në provincën Los Rios. Në vend të kësaj, në një bodrum, ata gjetën 22 tonë kokainë – që ka vlerë tregu 660 milionë dollarë. Pakot e kokainës ishin etiketuar me logot e linjave ajrore: Iberia, KLM, Katar, Jet2.
Sipas zyrtarëve të inteligjencës dhe dosjeve të gjykatës ekuadoriane, depoja i përkiste një grupi kriminal shqiptar.
Për qeverinë ekuadoriane, që pothuajse ishte inekzistente për shkak të dhunës së bandave, kapja e një sasie të tillë kokaine ishte goditje e madhe dhe u përshëndet nga aleatët. Por konfirmoi rolin global të Ekuadorit si pikë kyçe transiti dhe qendër logjistike për trafikantët më të fuqishëm të drogës në botë.
I vendosur mes vendeve prodhuese të kokainës si Kolumbia dhe Peruja, Ekuadori u bë vend ideal për trafikantët. Ekuadori pati mbikëqyrje të kufizuar bregdetare, institucione të brishta që ishin të korruptueshme, politika të buta vizash që lejonin qëndrimin afatgjatë për të huajt dhe grupe të forta bandash vendase që mezi presin të bashkohen me grupe evropiane për të transportuar drogë.

Artisti i arratisjes
Rexhepi mbërriti në Ekuador rreth vitit 2011, pjesë e një vale shqiptarësh, shumë prej të cilëve kishin lidhje me grupet kriminale në Evropë. Ekuadori kishte filluar të bëhej qendër transiti në tregtinë e kokainës, mund të bëhesh shumë lehtë banor rezident dhe ka pak vështirësi për të huajt në blerjen e pronave dhe krijimin e kompanive.
Rexhepi, i cili kishte shumë identitete të rreme, u prezantua si biznesmen grek, thanë hetuesit.
Djali i një fermeri rrushi në Velcë, fshat malor në Shqipëri, Rexhepi përjetoi kolapsin ekonomik të viteve ‘90 në vendlindje që u shkaktuan nga skemat piramidale. Pas kësaj, në Shqipëri pati kaos. Armët ushtarake u plaçkitën, çka çoi në rritjen e bandave kriminale.
“Të gjithë kishin armë në fshat”, ka thënë xhaxhai i Rexhepit, Arben Jaupaj, 64 vjeç, i cili drejton një lokal në Velcë. “Të rriturit dhe fëmijët”.
Rexhepi u ngrit shpejt në radhët e një rrjeti me ambicie mbarëkontinenti, thanë zyrtarët shqiptarë. Ai u arrestua në vitin 2006, pasi në fund të viteve ’90 vrau një oficer policie dhe një kalimtar të rastit. Akti që e ktheu Rexhepin në emër të njohur në Shqipëri ishte arratisja nga komisariati i Durrësit ditën që u arrestua. Ai thjesht hapi derën ku po mbahej në komisariat dhe u tha oficerëve se intervista kishte përfunduar.
“Ai shihet si i zgjuar, i guximshëm dhe i gatshëm për të marrë përsipër rreziqe”, ka thënë një zyrtar shqiptar i zbatimit të ligjit, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Në vitet që pasuan, Rexhepi u bë një nga kriminelët më të kërkuar të Evropës, i ndjekur nga një vend në tjetrin. Ai u arrestua për akuzën e trafikut të drogës në Holandë dhe u ekstradua në Itali, ku u dënua me 13 vjet burgim. Në vitin 2011, ai dhe dy shqiptarë të tjerë u arratisën nga një burg në afërsi të Milanos duke përdorur litar të improvizuar të bërë me çarçaf. Muaj më vonë, ai u arrestua në Spanjë, por u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për një grabitje të dhunshme vite më parë. Por burgu belg i sigurisë së ulët nuk ishte për Rexhepin. Edhe një herë, ai u arratis, këtë herë duke kaluar murin e burgut.
Qëndrimi në Evropë po bëhej gjithnjë e më i vështirë për shkak të rrezikut të një arrestimi tjetër, dhe Rexhepi iku në Ekuador.
Sipas prokurorëve italianë, Rexhepi e ndërtoi rrjetin e tij duke shfrytëzuar kompanitë legale. Ai filloi të krijojë lidhje me bizneset ekuadoriane të cilat e ndihmonin për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Një nga bashkëpunëtorët e tij, një zëvendëskonsul diplomatik shqiptar në Ekuador, kishte shumicën e aksioneve në kompanitë e ushqimit dhe kanabisit, sipas të dhënave publike dhe një analisti të inteligjencës ekuadoriane që ka studiuar rrjetin.
Në vetëm pak vite në qytetin e Guayaquilit, Rexhepi dhe grupi i tij ndërtuan sistem të sofistikuar të logjistikës së drogës, duke korruptuar stafin e portit dhe kompanitë e transportit që u lejoi atyre qasje pothuajse të lirë në kontejnerët që shkonin në Evropë. Ai krijoi aleanca me të gjitha grupet kriminale ekuadoriane, duke ua prezantuar Evropën si treg të ri, të hapur, ku të gjithë mund të përfitonin.
Megjithatë, autoritetet e zbatimit të ligjit e kapën sërish Rexhepin dhe në vitin 2014, u arrestua në Guayaquil, i akuzuar për trafik droge dhe përfundimisht u dënua me 13 vjet burgim. Sistemi i burgjeve në Ekuador drejtohej kryesisht nga bandat dhe Rexhepi vazhdoi të merrej me “biznes”.
Xhaxhai i Rexhepit, Jaupaj, ka thënë se nipi pretendon se ishte akuzuar në mënyrë të rreme dhe se ai thjesht drejtonte një biznes ushqimesh deti në Ekuador.
Në apelin e vitit 2015, Rexhepi — duke përdorur emrin e rremë Lulzim Murataj — akuzoi autoritetet ekuadoriane se e ngatërruan me një burrë tjetër dhe e privuan nga liria “në mënyrë të padrejtë dhe pa asnjë provë të vetme”.
“Mëkati im i vetëm, si të thuash, është se jam shtetas shqiptar dhe kam ardhur në këtë vend për shkak të publicitetit, duke nxitur investimet”.
Rënia në paligjshmëri
Në shtator 2020, pas një hetimi 5-vjeçar, qindra oficerë përreth Evropës goditën rëndë operacionet e Rexhepit – duke arrestuar 20 individë në Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Rumani, Hungari, Spanjë, Shqipëri dhe Dubai. Autoritetet italiane ua dërguan një sërë kërkesash zyrtarëve ekuadorianë, duke u bërë thirrje që të fillojnë procedurat e ekstradimit ndaj Rexhepit. Në një kërkesë të vitit 2021 nga Ambasada italiane, të cilën e ka parë “The Washington Post”, diplomatët paralajmëruan se Rexhepi organizonte dërgesat transatlantike të drogës dhe se urdhëroi vrasjen e rivalëve “falë një rrjeti të dendur bashkëpunimi dhe korrupsioni, nga burgu, duke përdorur të gjitha llojet e sistemeve të komunikimit”. Por, Rexhepi kishte planet e veta. Në gusht 2021, një gjykatës në Guayaquil, Diego Poma, e vendosi Rexhepin në arrest shtëpiak për “arsye mjekësore” me hallkë elektronike, sipas urdhrit të gjykatës. Disa ditë më vonë, gjykatësi urdhëroi heqjen e hallkës elektronike dhe e udhëzoi Rexhepin që të paraqitej para autoriteteve çdo 15 ditë. Gjykatësi më vonë u shkarkua nga Këshilli Gjyqësor i shtetit, i cili konstatoi se ai kishte shkelur pavarësinë e gjyqësorit në disa vendime në dobi të bosave të fuqishëm të drogës. Poma, gjatë procesit disiplinor të zhvilluar ndaj tij, mohoi se kishte bërë diçka gabim dhe pati thënë se kishte ndjekur të gjitha protokollet ligjore në vendimmarrjet e tij.
Më 2023, lirimi i Rexhepit ishte kritikuar publikisht nga kandidati presidencial Fernando Villavicencio, i cili kishte thënë se ishte tjetër shembull i rënies së Ekuadorit në paligjshmëri; disa muaj më vonë, Villavicencio, i cili premtoi të dilte kundër bandave narkotike, u vra. Në atë pikë, ishte bërë e qartë se sa shumë pushtet kishin trafikantët shqiptarë të drogës në Ekuador. Një tjetër trafikant i njohur shqiptar i drogës, Dritan Gjika, dyshohet se nën mbrojtjen e kreut të Policisë së Ekuadorit kishte krijuar një rrjet të gjerë lidhjesh politike dhe biznesi, zbuluan hetuesit. Disa zyrtarë të inteligjencës evropiane kanë thënë se dyshojnë se Gjika mund të jetë pjesë e rrjetit të Rexhepit. Në janar, bandat ekuadorian nisën një valë dhune që kishin cak institucionet e shtetit dhe mediat. Presidenti i ri, Daniel Noboa, u përgjigj duke shpallur gjendje konflikti të brendshëm të armatosur kundër bandave, duke mobilizuar ushtrinë për të vendosur kontroll në qytetet dhe burgjet e shtetit. Që atëherë, Qeveria ka deklaruar se ka pasur rënie prej 18 për qind në shkallën e vrasjeve, por rrëmbimet dhe zhvatjet kanë vazhduar të rriten, dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Qeverinë për arrestimin e mijëra personave me pak dëshmi. Rënia në shkallën e vrasjeve, ka thënë Renato Rivera, koordinator i Observatorit të Krimit të Organizuar të Ekuadorit, “nuk është një përgjigje ndaj militarizimit, por më tepër ndaj proceseve të paqes dhe aleancave kriminale” midis bandave. Pavarësisht shpalljes së gjendjes të konfliktit të brendshëm të armatosur, strukturat kriminale më të fuqishme të Ekuadorit – siç janë shqiptarët – mbeten “saktësisht të njëjta”, shtoi ai. “Këto grupe transnacionale në të vërtetë nuk janë prekur”, ka thënë Rivera.

Tregjet e reja në Afrikë dhe Azi
Bosët e kokainës vazhdojnë të përshtaten, shpërndahen dhe të “lulëzojnë”. Ndërsa autoritetet e zbatimit të ligjit në Evropë kanë intensifikuar kontrollet, veçanërisht në portet kryesore në Evropën veriore, trafikantët e drogës duket se po zhvendosen në pika të tjera hyrjeje. Holanda dhe Belgjika, me portet më të mëdha në Evropë, kanë sekuestruar rreth gjysmën e sasisë së kokainës në pjesën e parë të vitit 2024 nga ajo që patën sekuestruar periudhën e njëjtë të vitit 2023. Spanja, e cila ka vazhduar të sekuestrojë sasi rekorde të kokainës, duket se ka kaluar Belgjikën dhe Holandën si portat kryesore të drogës në Evropë. Suedia dhe Norvegjia po ashtu kanë raportuar sekuestrime të sasive rekorde të kokainës më 2023, sipas Agjencisë kundër Drogave të Bashkimit Evropian. Gjermania po ashtu ka dyfishuar sasinë e sekuestruar të kokainës mes viteve 2022 dhe 2023, sipas UNODC. Trafikantët po përdorin gjithnjë e më shumë laboratorë në Evropë për të përpunuar kokainën ose për ta ndarë atë nga materialet e tjera që përdoren për ta fshehur. Bashkimi Evropian pati deklaruar shkatërrimin e 39 laboratorëve të kokainës nëpër shtete anëtare në vitin 2022, nga 16 në vitin 2019; një laborator, i zbuluar nga autoritetet në Spanjë më 2023 po nxirrte 200 kilogramë kokainë çdo ditë. Tregjet e reja jashtë Evropës vazhdojnë të hapen në përgjigje të konsumit të kokainës. Australia pati raportuar përhapjen më të lartë vjetore të përdorimit të kokainës në botë, sipas UNODC, megjithëse të dhënat sugjerojnë se shumica e konsumuesve të kokainë e përdorin atë vetëm herë pas here. Në fillim të dhjetorit, autoritetet australiane sekuestruar mbi dy tonë kokainë, sasia më e madhe ndonjëherë e drogës së kapur atje. Vetëm disa ditë më herët, marina kolumbiane pati njoftuar kapjen e gjashtë nëndetëseve transportuese të narkotikëve me mbi 225 tonë kokainë, përfshirë një që transportonte pesë tonë kokainë në Australi.
Derisa të dhënat për Azinë janë të kufizuara, konsumi dhe konfiskimet e kokainës po rriten në Kinë dhe Japoni, sipas raporteve të UNODC-së. Po ashtu është vënë në dukje rritje e konfiskimeve në Indi, Malajzi e Filipine, duke sugjeruar se mund të shfaqen si qendra rritjeje për trafikantët. Nëse normat e konsumit të Azisë do të përputheshin një ditë me ato të Evropës, numri i përdoruesve të rregullt të kokainës atje mund të rritej nga dy milionë në mbi 40 milionë, sipas UNODC-së.
“Janë fëmijët e klasave të larta ata që e konsumojnë”, thotë Pietschmann, hulumtues në UNODC. “Potenciali është aty...Ka një gjeneratë të re atje, një brez të ri që ka para dhe që shkon në festa”.
Konfiskimet e kokainës kanë arritur nivele rekorde edhe në Afrikë, ku grupi kriminal brazilian Primeiro Comando da Capital (PCC) ka zgjeruar prezencën dhe ka përdorur disa shtete, përfshirë Mozambikun, Angolan dhe Kepin e Gjelbër, si pika ndalese për dërgesa të kokainës në Evropë, sipas UNODC-së.
Grupet kriminale shqiptare kanë filluar të krijojnë rrjete po ashtu në Australi, duke shfrytëzuar dobësitë në sistemin e imigracionit atje dhe duke kapitalizuar në një treg në lulëzim me çmime të larta të kokainës.
Shqiptarët kanë qenë në gjendje të perfeksionojnë operacionin e tyre thuajse kudo, tha Mejdini.
“Nuk ka kufi për ta më”, thotë Mejdini. “Modeli që ata kanë krijuar, për të formuar aleanca, të bashkëpunojnë me të huajt e tjerë, i ndihmon ata të shkojnë kudo. Kudo që ka kërkesa, ata do të jenë dërguesit”.
Disa analistë spekulojnë që Turqia, ku zyrtarët kanë raportuar 45 për qind rritje të konfiskimeve të kokainës mes viteve 2020 dhe 2021, mund të bëhet një korridor vendimtar për lëvizje të drogës në lindje.
Aty autoritetet e gjetën Rexhepin në nëntor të vitit 2023, dy vjet pasi ai u lirua nga burgu në Ekuador. Ai u arrestua në përgjigje të kërkesave për ekstradim nga Italia dhe Shqipëria.
Mbreti i drogës kishte shkëmbyer një jetë luksi me një tjetër, pasi arriti në Turqi me një pasaportë kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia dhe u vendos në një vilë të bardhë në periferi të Stambollit, thonë autoritetet.
Ai mbetet prapa grilave në Turqi – për tash.