Tetë vjet pas betimit të parë, Shpend Ahmeti, po largohet nga pozita e kryetarit të Prishtinës.
Në vitin 2013, ai mori timonin e komunës, duke mposhtur në balotazh ish-kryetarin Isa Mustafa me premtimet e tij për një Prishtinë më të mirë.
Por çka bëri Ahmeti në këta 8 vjet qeverisje?
Vetëvendosje që atë kohë kishte fituar me Ahmetin si kryetar nuk kishte arritur që të triumfonte në Kuvendin Komunal ku printe LDK-ja.
Që në mbledhjen e parë, nisën pazaret, kryesisht me PDK-në. Kjo e fundit nuk mori drejtori, por pjesëtarë të saj i delegoi në Ndërmarrje Publike Komunale siç është Termokosi, e cila atë kohë po merrej me projektin më të madh, atë të koogjenerimit.
Ky projekt u finalizua në kohën e Ahmetit dhe ndërtesat kolektive sigurojnë ngrohjen nga KEK-u.
Shumë premtime kishte dhënë Ahmeti, ndër to edhe qeverisje të pastër e të pa korruptuar.
Me ta marrë pozitën, dërgoi në prokurori shumë lëndë të dyshimta për korrupsion, duke dërguar prapa grilave 10 inspektorë.
Rasti i tyre këtë tetor është kthyer në pikën zero në rigjykim.
Derisa në mesin e të arrestuarve kishte edhe një ndërtues, Ahmeti tha se u kërcënua për jetë dhe kështu, vetëm pas disa muajsh harroi premtimin për të udhëtuar me transport publik dhe iu kthye veturës e shoferit nga komuna.
Gjatë fushatës premtoi shitjen e Audi Q7 të ish-kryetarit, Isa Mustafa.
Ai nuk e përdori kurrë makinën Audi Q7 të ish-kryetarit Mustafa. 3 vjet më vonë, më 2017, e nxori në ankand publik veturën që u ble mbi 70 mijë euro. Ajo u ble nga një banor i Pejës për 22 mijë e 500 euro.
Për t’u marrë ekskluzivisht me Prishtinën, Ahmeti dha dorëheqje nga pozita e profesorit në Universitetin Amerikan të Kosovës.
E akuzoi Mustafën se duke u marrë me nivelin qendror, la anash e humbi Prishtinën. Nuk e kishte menduar atë kohë se fat i njëjtë e priste edhe atë.
Në vitet e para të qeverisjes, Ahmeti ndali degradimin urban dhe inspektorët nuk bënin kompromise me ilegalët.
Nisi me shujtat në shkolla, projekt ky që u diskutua shumë, por që megjithatë, synonte barazi mes nxënësve.
Por, parregullsi në tender ishin raportuar shpeshherë, e kiflet përfundonin në kontejner mbeturinash.
“Trafiku Urban” ishte pranë falimentimit, por Ahmeti e rifunksionalizoi atë, ndonëse ndërmarrja asnjëherë nuk arriti të jetë profitabile.
Disa muaj kishte pritur nga niveli qendror që të nënshkruante garancinë për kredi në BERZH, e që vitin 2017, Prishtina e nisi me autobusët e verdhë të IVECO-s.
Edhe pas 4 vjetësh është komuna ajo që paguan kredinë e ndërmarrjes publike komunale.
Ahmeti ka injoruar vazhdimisht transportuesit privatë, duke mos iu dhënë leje qarkullimi, e këta të fundit kanë protestuar edhe kur Komuna e Prishtinës u ndërhyri në linja.
Të vetmen ndihmë për ta e dha në pandemi si pjesë e subvencioneve për rimëkëmbje nga COVID-19.
Projekt i përfolur shumë ishte edhe lirimi i hapësirave për këmbësorë e vendosja e pengesave në trotuare. Ato ende njihen si “kungjat e Shpend Ahmetit”.
Ahmeti fitoi edhe mandatin e dytë me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e mposhtur vetëm për pak vota Arban Abrashin e LDK-së.
Pas fitores, Ahmeti në vitin 2018 u largua nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia e Albin Kurtit jo vetëm që mbeti pa Ahmetin si kryetar, por humbi edhe shumë këshilltarë komunalë të cilët iu bashkuan PSD-së.
Ahmeti veçse filloi të merrej me politika shtetërore, ashtu siç kishte premtuar që nuk do të bënte kurrë.
Bashkë me Fatmir Limajn, në fund të vitit 2018 u bë pjesë e delegacionit shtetëror për bisedime.
Në Prishtinë mbeti edhe pa ndihmën e nënkryetarit Dardan Sejdiu, derisa në këtë pozitë emëroi Muhedin Nushin, që kishte udhëhequr administratën dhe Selim Pacollit, për shkak të koalicionit paszgjedhor.
7 vjet që nga ideja, iu deshën që ta funksionalizojë ndërmarrjen “Prishtina Parking”, derisa ajo ende nuk kryen punën siç e ka të përcaktuar me rregullore.
I heshtur ka qenë në dy vjetët e fundit dhe është kritikuar shumë nga opozita, shoqëria civile, e edhe vetë qytetarët.
Aktiv ishte vetëm në vitin 2020, kur krijoi ekip të pandemisë të cilët ndihmonin qytetarët që izoloheshin nga COVID-19.
Paratë që nuk i kishte shpenzuar, e që ishin miliona, filloi t’i ndante si subvencione për biznese e qytetarë.
Megjithëkëtë, ai barti mbi 24 milionë euro nga viti 2020 në vitin 2021.
Qeverisja e tij vazhdimisht ka përkrahur ndërmarrje të caktuara komunale, siç është NPB-ja, e cila u kritikua shumë nga banorët e niveli qendror, por jo edhe nga kryetari i komunës, i cili me ligj dërgon 1 aksionar në ndërmarrje.
Asnjë investim në 8 vjet nuk e ka bërë në pishinën e Gërmisë dhe ndërmarrja është pranë falimentimit.
Edhe “Hortikultura” këtë vit është lënë anash dhe sivjet qyteti ka qenë më së paku i mbushur me lule.
Në mandatin e tij, Kuvendi i Kosovës e kaloi ligjin për kryeqytetin dhe me kërkesë të Ahmetit, pallati i rinisë u bë ndërmarrje komunale, por Prishtina asnjëherë s’u bë me polici komunale .
Ai ka hapur disa çerdhe me bazë në komunitet, formulë kjo që ka funksionuar dhe është marrë edhe nga komunat e tjera.
Për një Prishtinë më të pastër kaloi pagesat e mbeturinave te komuna, por që qyteti vazhdon të ketë probleme me bërllokun.
Ahmeti do të largohet nga Prishtina duke lënë në gjysmëprojekte si parkingu nëntokësor, e me procedura tenderimi të rrugës A. Ai po e lë Prishtinën të dekoruar për festat e fundvitit, e sigurisht që Përparim Ramës do t’i lërë edhe shumë miliona euro të bartura nga viti 2021 në vitin 2022.