Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, më 13 korrik të vitit të kaluar, nuk ka qenë në përputhshmëri me Kushtetutën.
Vendimi ishte marrë me propozim të Qeverisë, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.
Vendimi ishte marrë me propozim të Qeverisë, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Atë kohë, Qeveria pati propozuar shkarkimin e Gashit pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka pasur garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit. Kryeministri Albin Kurti pati thënë se me vendimin e OSHP-së për furnizim me insulina rrezikohej shëndeti publik.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, precedenti i tillë bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, “do të cenonte thellë pavarësisë funksionale të OSHP-së dhe vetë qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme”.
KOHA pati raportuar në vazhdimësi se si Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit.
Kërkesa për vlerësim të këtij vendimi ishte parashtruar në Kushtetuese nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.